Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 mars – Ngarkesa më e madhe e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, krahasuar me paralelet në gjuhën maqedonase dhe turke, nuk është asgjë e re, shkruan gazeta KOHA. Kjo dukuri është evidente në thuajse të gjitha shkollat, nga Kumanova në Strugë, Veles, Prilep dhe çdo kund ku mësimi zhvillohet në gjuhë shqipe.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e arsyetojnë këtë situatë me “problemet e trashëguara nga e kaluara” dhe thonë se është punuar për zgjerimin e arsimit edhe në gjuhën shqipe, sidomos në nivelin e shkollimit në gjuhën shqipe.
Me gjithë përpjekje për zbutjen e problemeve, përsëri pabarazia në kushtet e shkollave, numrin e paraleleve, mësimdhënësve dhe nxënësve në klasë vazhdon të jetë evidente. Madje, jo vetëm duke i krahasuar shkollat me njëra tjetrën, por edhe brenda vetë shkollave, ka raste kur shqiptarët mësojnë në klasa me 34 dhe 37 nxënës në klasë, ndërsa maqedonasit me 20 dhe 16 nxënës në klasë.
Në komuna si Çairi, Saraji, Tetova apo Gostivari ku maqedonasit janë pakicë, përcjellë gazeta KOHA, nuk mungojnë paralele deri me një dhe dy nxënës në klasë, pasi klasë me 10 e 15 nxënës janë të zakonshme. Ndërkaq, nuk ndodh kjo me nxënësit shqiptarë në komunat ku maqedonasit janë shumicë. Përkundrazi, shqiptarët pengohen të mësojnë në gjuhën amtare. Disbalanci, është padyshim treguesi më i mirë i politikat diskriminuese, që fatkeqësisht nuk kanë marrë fund ende. Në Shkup, për shembull, shqiptarëve nuk u lejohet të formojnë paralele nga klasa e gjashtë në shkollën fillore “Petar P. Njegosh” në Idrizovë. Në shkollat fillore të Gjorçe Petrovit, nuk hapen fare paralele për nxënësit shqiptarë, në shkollat e Karposhit shkollat shqipe janë lënë si në mesjetë. Histori ende më të dhimbshme janë ato të shqiptarëve të Manastirit, të cilët nuk kanë realizuar ende të drejtën e mësimit shqip në arsimin e mesëm, ndërsa në arsimin fillor gjysma e mësimdhënësve janë maqedonas. Në Veles gjithashtu nuk sigurohen mësimdhënës shqiptarë. Për paralelet gjimnaz të vitit të katërt, këtë vit shkollor ka vetëm një profesor shqiptar, ai i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Nuk është e rastësishme, që në shkollat publike një mësimdhënësi maqedonas i takon të ketë shumë më pak nxënës se sa një mësimdhënësi shqiptarë. Kështu, shqiptarët që me numër nxënësish në arsimin e mesëm përbëjnë 29.3 për qind të numrit të përgjithshëm, me paralele dhe mësimdhënës marrin pjesë 28.8, respektivisht 26.7 për qind. Nga ana tjetër, maqedonasit që me numër nxënësish përbëjnë 66.9 për qind, me paralele dhe mësimdhënës përbëjnë 68.6, respektivisht 67 për qind. Por, më i dallueshme është raporti në numrin e shkollave, ku janë të përfshirë maqedonasit dhe shqiptarët. Të parët shtrihen në 83 5 për qind të shkollave (në 96 nga 115 gjithsej) ndërsa të dytët në 31 shkolla (36 nga 115 gjithsej).
Nuk ka dyshim se nga mos-racionalizimi sikurse duhet i arsimit në Maqedoni, kanë pësuar më së shumti shqiptarët. Është shkuar deri atje, sa për vite të tëra të mbahen të mbyllura me çelës shkolla, sepse nuk kanë nxënës maqedonas dhe, në të njëjtën kohë, ata shkolla të mos vihen në dispozicion për nxënësit shqiptarë, të cilat nuk kanë shkolla në atë mjedis. E tillë është historia e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në lagjen Vizbeg të Shkupit. Për mungesë nxënësish maqedonas, shkolla u mbyll në vitin 2004 dhe vazhdon të mbetet e tillë. Ndërsa, qindra nxënës të këtij vendbanimi udhëtojnë në këmbë nga dy – tre kilometra për të mësuar në shkollën fillore “26 Korriku” të Shutkës. Ajo shkollë, normal që nuk do ta zgjidhte problemin e shkollimit të shqiptarëve të Vizbegut, por vetëm do ta zbuste atë nëse në objektin e ish- shkollës “Kirili dhe Metodi” do të formoheshin paralelet nga klasa e parë deri të pestën. Me këtë do të shkarkohej pak edhe “26 Korriku”, e cila numëron mbi dy mijë nxënës. Kështu të ngarkuara dinë të jenë vetëm shkollat e shqiptarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.