Askush nuk na e ka fajin! Boll më, e bartëm fajin anembanë. Bartja e fajit shërben për mjegullnajë, konfuzion dhe shfajësim të atyre, që shërbejnë argatë të qendrave të caktuar të interesit politik për karikaturimin dhe zhbërjen e simboleve të identitetit kombëtar shqiptarë
Nga Shaqir ISLAMI
Gjuha është vegël për të kumtuar (komunikuar) me njëri-tjetrin. Çdo gjuhë e ka këtë detyrë; dhe shërben që të kuptohemi mes nesh. Fjala si përbërës kryesor i çdo gjuhe shërben për ta ndërtuar kumtesën, të cilën e shkëmbejmë gjatë kumtimit me të tjerët. Duke shkëmbyer kumtesa mes nesh dhe me të huajt, e shpjegojmë dhe kuptojmë botën rreth nesh; dhe natyrisht që edhe të huajt të na kuptojnë ne, se çfarë hallesh dhe derteshkemi. Çka mendojmë, si mendojmë për veten, për fqinjët dhe për të huajt?
Përfundimisht, gjuha shqipe vuan dhe duron nga vetë ne – shqiptarët ! Nga askush tjetër. Jemi ne, ata që – me këtë kuazi-nacionalizmin tonë të sajuar enkas për të na zhbërë si komb – vetëm ‘lehim’një shqipe të shpërfytyruar! Edhe atë, ‘lehim’ si një orkestër i çakorduar, që dirigjohet nga një dirigjent i padukshëm. Burimi njihet dhe dihet! Ndërsa ekzekutorët jemi vetë na. Nuk na thonë më kot, se paskëshim qenë ‘pesë pare’!
Ne nuk flasim dot! Nuk e artikulojmë të folmen për t’u kuptuar si njerëz të qytetëruar; ndonëse, kemi një trashëgimi të lashtë të kumtimit dhe kuvendimit nga breza … e breza, të krijuar nga ta në shekuj… e shekuj: me mund, djersë, urtësi, largpamësi dhe gjak. Ne kemi zhvlerësuar dhe ende zhvlerësojmë të gjithë atë mund të brezave të stërgjyshërve tanë. Vetëm le ta përmendim nocionin “besa”, një institucion i lashtë shqiptar i barasvlershëm me kontratën juridike të sotme. Kontratë e pashkruar burrash – një vepër e përsosur qytetarie – që s’e ka shoqin në historinë e njerëzimit. Besa është koncepti më i vlefshëm, më i rëndësishëm i të arriturës më fisnike dhe më bujare të një populli. Arkitektura e thelbit tonë.
Besa është trashëgim kulturorë dhe juridik, që s’e ka pasur dhe s’e ka asnjë popull dhe kulturë në këtë rruzull tokësorë. Simbol dhe ‘brend’ i jonë, ose thënë popullorçe nishan i thadruar në identitetin tonë kombëtarë. Për të huajt, besa është pasaporta jonë. Edhe këtë nocion, po të doni koncept dhe ngrehinë shpirtërore të lashtë jemi duke e zhbërë. Në vend që të kultivohet dhe artikulohet e të ruhet si sytë e ballit – çdo komb e kishte promovuar me fanfara dhe krenari këtë pasuri shpirtërore me vlera universale – ne e shpërfillim dhe përbuzim.
Brezi jonë jemi shkatërruesit, shtrembëruesit dhe zhbërësit e simbolit dhe brendit besa. Të gjitha dëshmitë flasin se, kjo që ndodh me ne, është një fushatë me ‘aktivitete për ndikimin e informacionit’ që ka për synim çorientimin dhe shkaktimin e mosbesimit në institucionet, në autoritetet; të mohimit të çdo vlere shqiptare;të krijimit të ndjesisë së fajit kolektiv; të krijimit të dykuptimshmërive për simbolet, besimet, traditën; dhe në përçarjen mes nesh dhe polarizimin e shoqërisë me dushmanllëk të paparë.
Prandaj, nuk kuptohemi mes veti dhe nuk na kupton, kush! Pa prajtur krekosim si bretkosa thithëlopa në moçalin tonë shoqërorë-politikë-arsimorë-kulturorë, që zhurmon kakofoninë në vend të simfonisë.
Dhe, kjo ngrehinë e shëmtarake moçalore, pështirëse, neveritëse, e turpshme … ; ky siklet dhe sëkëlldi i padurueshëm,është vepra e përbashkët e shëmtuar, e ‘lehjeve’ kolektive në shqipe të orkestruara nga dirigjentë nacionalistë të rremë dhe të maskuar me ‘gjoja se patriotizëm’.
Thënia popullore, nuk e thotë më kot: “mendja bën, koka hekë”. Neve, miq e dushmanë, patriotë e tradhtarë, dhe nacionalistë-harambashë na ka zënë harami! Edhe atë, haram i gjuhës shqipe!!!
Askush nuk na e ka fajin! Boll më, e bartëm fajin anembanë. Bartja e fajit shërben për mjegullnajë, konfuzion dhe shfajësim të atyre, që shërbejnë argatë të qendrave të caktuar të interesit politik për karikaturimin dhe zhbërjen e simboleve të identitetit kombëtar shqiptarë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)