Pa asnjë mbështetje nga institucionet e shtetit të Kosovës shqiptarët e veriut të Mitrovicës kanë vazhduar t’i shesin pronat e tyre. Nga rreth 500 banesa të uzurpuara kanë mbetur pa u shitur edhe rreth 250 sosh, ndonëse zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, siguron se mbahen të uzurpuara edhe 430 banesa. Mujka: 20 banesa të shqiptarëve në veri janë rregulluar, shkruan gazeta “Zëri”
Kthimi i shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në banesat dhe në shtëpitë e tyre të uzurpuara po realizohet me vështirësi të mëdha, ndonëse në kohë të fundit një organizatë e huaj ka financuar rregullimin e 20 banesave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës për të krijuar kushte për kthim. Pa mbështetje të institucioneve të Kosovës për një kohë të gjatë dhe duke iu lënë vetvetes shumë shqiptarë i kanë shitur tashmë banesat e tyre dhe shtëpitë.
Ndonëse i ishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një fond dhe t’i blejë vetë banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës për ta ndalur spastrimin etnik që kryen Serbia duke i blerë shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, tashmë shqiptarët kanë shitur rreth 60 për qind të shtëpive dhe rreth 50 për qind të banesave të tyre në veri të Mitrovicës. Burime të “Zërit” në veri thonë se nga 500 banesa sa janë evidencuar të uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës, janë shitur rreth 50 për qind e tyre dhe tani nuk kanë mbetur më shumë se 250 banesa, të cilat nuk janë shitur dhe në të cilat edhe më tutje ndodhen familjet serbe. Por, shitja e pronave të shqiptarëve nuk është ndalur kurrë prej përfundimit të luftës. Mbi 350 shtëpi dhe shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës qeveria e Serbisë i ka blerë, duke u ofruar shuma marramendëse të parave, ndonëse Komuna e Mitrovicës nëpërmes aksionit “Ndihmo edhe ti” kishte financuar ndërtimin e rreth 70 shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore.
Ndërtimi ishte ndalur atëherë kur institucionet e Kosovës kishin shpallur zgjedhje edhe në komunat veriore me sistemin kosovar të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë Mitrovica ishte ndarë në dy komuna, në komunën jugore dhe në komunën veriore. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, me ta marrë pushtetin nuk kishte lejuar asnjë ndërtim të shtëpive të shqiptarëve dhe çdo tentim i shqiptarëve ndëshkohet nga inspektorët komunalë dhe Policia.
Shqiptarët e veriut thonë se duke mos ndier dorën e shtetit të vet kanë vendosur t’i shesin shtëpitë dhe banesat e tyre. Sipas tyre, janë shitur mbi 50 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët. Në këtë mënyrë duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bëri spastrimin etnik në veri të Mitrovicë.
Pronat e tyre fillimisht shiteshin me ndërmjetësim të avokatëve, por në kohë të fundit pronarët e banesave dhe uzurpatorët shitblerjen e kanë kryer në mes vete, pa ndërmjetësues. Burime të gazetës thonë se prej vitit 2007 vetëm në “Lagjen e Boshnjakëve” qeveria serbe i ka blerë mbi 120 shtëpi, pastaj në zonën e “3 Soliterëve” dhe në qendër janë shitur 10 shtëpi, te “Kroi i Vitakut” 10 shtëpi, në “Kodrën e Minatorëve” rreth 80 shtëpi, pastaj në lagjen “7 Shtatori” dhe në “Lagjen e doktorëve” rreth 130 shtëpi. Deri në vitin 2007, siç thonë disa nga banorët e lagjes “Kroi i Vitakut”, asnjë shqiptar nuk ka shitur pronën e tij në veri të Mitrovicës. Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, i tha “Zërit” se arsyetimet e shqiptarëve se nuk kanë mbështetje të Qeverisë së Kosovës për t’u kthyer në banesat e tyre në veri dhe për këtë arsye i shesin janë plotësisht të vërteta.
“U besoj plotësisht, sepse ata vërtet nuk kanë asnjë mbështetje dhe nuk mund të kthehen në banesat dhe në pronat e tyre prej nga janë dëbuar. Unë e di që një organizatë e huaj i ka rregulluar 20 banesa të shqiptarëve në veri, por sa prej tyre janë kthyer ne nuk kemi njohuri, sepse neve nuk na njofton askush. Ka mundësi që është kthyer ndonjë, por përgjithësisht shqiptarët edhe më tutje pengohen të kthehen në pronat e tyre”, tha Mujka. Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit” se është kthyer vetëm një familje shqiptare pasi i është rregulluar banesa në veri.
“Nuk e di sa banesa janë rregulluar, por e di që një familje është kthyer në rrugën ‘Kolasinska’, që shkon për në Suhadoll. E di që një organizatë e huaj ka financuar rregullimin e disa banesave të shqiptarëve në veri, por nuk e di sa. Unë e di vetëm që edhe më tutje mbahen të uzurpuara 430 banesa të shqiptarëve në veri të Mitrovicës”, ka thënë Cimili. Një rast i kërcënimit me jetë është shënuar në ditën e fundit në veri të Mitrovicës kur dy serbë kanë kërcënuar Shemsedin Miftarin, i cili ka 20 vjet që kërkon të kthehet në pronën e tij. Ai jeton në jug të Mitrovicës, ndërsa prona e tij shfrytëzohet nga dy serbë.
“Dy serbë po e shfrytëzojnë pronën time matanë urës, kanë hapur biznes. Ka 20 vjet që punën e shtyjë nëpër gjykata, kam edhe vendime gjyqësore që tregojnë se prona është imja, por nuk po mund ta shfrytëzoj. Ata më kërcënohen për çdo ditë, në truallin tim kanë ndërtuar objekt”, thotë Shemsedini, duke shtuar se lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit, sipas ankesës së uzurpatorëve, por që ajo ende nuk është zgjidhur.