Ulja e popullsisë nga 3.2 milionë në 1990 në vlerën e parashikuar prej 2.6 milionë në 2018 i detyrohet emigrimit me më shumë se një të tretën e popullsisë së 1990 që ka lënë vendin deri në vitin 2011. Kjo ka prekur kryesisht atë popullsi aktive të moshave 15-59 vjeç, duke krijuar kështu për herë të parë në Evropën Juglindore një mungesë të ofertës të punës, duke mos lejuar që Shqipëria të shfrytëzojë dividendin demografik
Popullsia e Shqipërisë është zvogëluar në numër që nga rënia e regjimit socialist në 1990, nga 3.2 milionë banorë më 1989 në 2.8 milionë më 2011 dhe në 2.6 milionë në 2018, nga një normë e lartë vjetore e rritjes prej 2.06% në vit në vitet 1980, në një rritje negative në vitet 2000, prej -0.91%. Këto të dhëna janë publikuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara UNFPA, gjatë një aktiviteti në Tiranë ku merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë, Parlamentit si dhe organizatave të shoqërisë civile. Aty u tha se Shqipëria po kalon një regjim të ri demografik të jetëgjatësisë afatgjate, me një jetëgjatësi në lindje të femrave prej 80.6 vjet dhe për meshkujt 77.4 vjet në vitin 2018, dhe fertilitet të ulët me normë totale të fertilitetit 1.4 fëmijë për grua në vitin 2018.
Sidoqoftë, aty u tha se përcaktuesit kryesorë demografikë të dinamikës së popullsisë në Shqipëri mbeten deri tani shkalla e lartë dhe e papritur më parë e migrimit. “Ulja e popullsisë nga 3.2 milionë në 1990 në vlerën e parashikuar prej 2.6 milionë në 2018 i detyrohet emigrimit me më shumë se një të tretën e popullsisë së 1990 që ka lënë vendin deri në vitin 2011. Kjo ka prekur kryesisht atë popullsi aktive të moshave 15-59 vjeç, duke krijuar kështu për herë të parë në Evropën Juglindore një mungesë të ofertës të punës, duke mos lejuar që Shqipëria të shfrytëzojë dividendin demografik”, u tha gjatë prezantimit të këtij raporti.
Migrimi, sipas këtij studimi, ka shkaktuar jo vetëm rritjen negative të popullsisë së Shqipërisë, por gjithashtu ka qenë forca shtytëse që vendi të përjetojë një plakje të popullsisë, më shpejt sesa pritej, të grupmoshës mbi 60+, duke u rritur në 14% në 2011 dhe e pritshme mbi vlerën 25% në vitin 2040. Për sa i përket vdekshmërisë, Shqipëria u tha se vazhdon të tejkalojë nivelin e tij të zhvillimit ekonomik, duke u konsideruar një “vend me shëndet të mirë dhe me kosto të ulët”. Më tej, në raport u prek edhe raporti i lindshmërisë gjinore, duke thënë se ky raport është i paekuilibruar.
“Zhvillimet demografike në Shqipëri kanë pasur gjithmonë një paragjykim gjinor. Shqipëria vazhdon të ketë një raport të paekuilibruar në lindje, referuar 110 lindjeve meshkuj përkundrejt 100 lindjeve femra, duke sugjeruar një aplikim të gjerë të abortit selektiv”, u tha në raport. Ndërkohë që arritjet për sa i përket arsimimit të grave dhe integrimit të tyre në tregun e punës kanë qenë të lavdërueshme për femrat në Shqipëri, raporti i UNFPA-së thotë se megjithatë, shoqëria mbetet mjaft patriarkale, duke ndikuar kështu në rolet shtëpiake dhe fuqizimin e grave në shtëpi dhe në disa aspekte të shoqërisë. Politikat e ardhshme në Shqipëri, sipas UNFPA-së, duhet të adresojnë politika të rëndësishme të popullsisë që synojnë uljen e emigracionit të popullatës së re, përmes zhvillimit të politikave që përqendrohen kryesisht në punësimin dhe mundësitë për të rinjtë. Pastaj, politika që synojnë përmirësimin në mënyrë shumë të ndjeshme të kujdesit shëndetësor dhe kujdesit shoqëror për të moshuarit, pasi, siç thotë raporti, “thyerja e rrjetit tradicional shoqëror së bashku me plakjen më të shpejtë të popullsisë do të shtojnë barrën mbi kujdesin shoqëror dhe shëndetësor të shoqërisë”.
Më tej, si politikë e rëndësishme konsiderohet edhe përmirësimi i fuqizimit të grave në shoqëri, jo vetëm për arsimim dhe punësim, por edhe përmes përmirësimit të pozitës së vendimmarrjes shtëpiake. Dhe në fund u tha se një fokus i veçantë urgjent duhet t’i kushtohet eliminimit të plotë të raportit të paekuilibruar në lindje, përmes një legjislacioni të ri më shtrëngues dhe zbatimit të atij ekzistues mbi abortin selektiv.