Shkup, 28 korrik – Pjesa dërrmuese e shqiptarëve, më saktë 67% e tyre janë dakord me presidencën e Donald Trump, thotë raporti më i fundit i Gallup për vlerësimin e lidershipit amerikan nëpër botë, ku në analizë merren plot 135 shtete të botës. Shqipëria është e dyta në Europë për normën më të lartë të aprovimit ndaj presidencës amerikane. Në vendin e parë në Europë, por edhe në Botë është Kosova, me një normë aprovimi në 82%.
Shqipëria me normën në 67% ndërkohë është vend i 5-të në botë sa i përket “dashurisë” së popullsisë ndaj lidershipit amerikan, kushdo qoftë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht kësaj, norma e pëlqimit ndaj presidencës amerikane ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, kur fiksohej në 69%.
Sipas raportit të publikuar nga “Gallup”, vetëm 20% e shqiptarëve nuk e aprovojnë lidershipin amerikan, ndërkohë që 13% janë të pavendosur. Në Kosovë ndërkohë, norma e pëlqimit ndaj Trump është rritur lehtë, me dy pikë përqindje krahasuar me vitin paraardhës.