Shkup, 25 qershor – Ka një perceptim te shqiptarët, turqit, romët e të tjerët, se ekzistojnë paragjykime etnike në vendimmarrjen e gjyqësorit, tha midis tjerash në fjalën e tij zëvendëskryeministri Bujar Osmani, gjatë debatit “Strategjia kombëtare për zhvillim të konceptit për një shoqëri t përbashkët”, shkruan gazeta KOHA.
Ai theksoi se shqiptarët kanë një bindje se gjyqësori vendos ndryshe kur bëhet fjalë për kryerës të veprave të njëjta penale kur kryerësi është shqiptarë, e ndryshe kur është maqedonas.
“Është një temë senzitive, jemi në përgatitje të një strategjie me OSBE-në që ta vërtetojmë se a është percepcion ky paragjykim i komuniteteve apo është e vërtet. Po, ashtu kemi nis një iniciativë që të marrim disa raste të kryerës të veprave të njëjta penale të komunitetit shqiptarë, turk, romë etj se çfarë vendime kanë marrë gjykatësit për veprat e njëjta. Nëse në të vërtet konstatojmë se ka dallime, atëherë duhet seriozisht ti qasemi fenomenit”, deklaroi Osmani. (koha.mk)