Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të dalin nga euforia e fushatës zgjedhore, të respektojnë vullnetin e votuesve dhe konform atij vullneti – të veprojnë në institucionet e shtetit, qoftë në Parlamentin republikan ku opozita duhet të jetë zëri kryesor apo në Qeveri, ku partitë që do jenë pjesë e shumicës parlamentare, të bartin mbi vete përgjegjësinë për angazhimin e tyre
Nga Arjanit HOXHA
Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, hapi i radhës është formalizimi i shumicës së re parlamentare dhe rivendosja e institucioneve në kapacitetin e tyre të plotë. Edhe pse në esencë numrat diktojnë shumicën e re, prapë së prapë nuk është edhe një operacion, i cili mund të merret me komoditet dhe të krijohet përshtypja se lehtësisht mund të përmbyllet. Por, faktori politik shqiptarë duhet të ketë parasysh jo vetëm procesin e negociatave për Qeveri, por edhe në këndvështrimin rajonal të interesit të përbashkët të shqiptarëve.
Maqedonia e Veriut është në grupin e përbashkët me Shqipërinë sa i përket rrugës së eurointegrimeve për zhvillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ka qenë një betejë e vështirë diplomatike në kohën kur disa shtete tentuan të ndajnë pakon Maqedoni e Veriut & Shqipëri, në rrugën drejt BE-së, por në fund u bë e duhura, që krah për krah të ecim në rrugëtimin e bashkimit në kuadër të BE-së. Maqedonia e Veriut e tejkaloi pengesën e parë, atë të zgjedhjeve parlamentare, proces i cili u vlerësua si i kënaqshëm duke marrë parasysh rrethanat e pandemisë të shkaktuar nga Covid-19.
Shqipëria ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e radhës që duhet të mbahen vitin e ardhshëm (2021), dhe duke e pasur parasysh se kjo përbërje parlamentare në Shqipëri ishte e cunguar nga fakti se opozita atje i “dogji” mandatet e saj, gjë që ndikonte edhe në hamendjen e shumë shteteve të BE-së për t’i hapur rrugën vendit për marrjen e datës për negociata. Tash, në Shqipëri po zhvillohet një debat gjithëpërfshirës për reformën zgjedhore, gjë që po monitorohet me vëmendje nga BE, pasi ashtu si Maqedonia e Veriut, edhe Shqipëria nuk e kanë luksin e arbitrazhit të jashtëm, pasi të dyja shtetet janë në njëfarë faze para testit për të parë nëse kanë kapacitetet e nevojshme demokratike për të zhvilluar procese ashtu si i ka hije shteteve që janë para derës së Bashkimit Evropian. Nëse deri më tani si shtete kemi patur sugjerime dhe udhëzime për formën e veprimit politik, tashmë jemi lënë në “mëshirë” të kapacitetit tonë si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Shqipëri, prandaj nëse në të kaluarën gabimet kanë qenë të korrigjueshme, tash ndodhemi në fazën kur gabimet mund të kushtojnë shtrenjtë.
Në anën tjetër, e kemi edhe situatën e krijuar në Kosovë, ku sipas gjitha gjasave, përmes një ndërmjetësimi ndërkombëtar, veçanërisht të aleatit tradicional të shqiptarëve – SHBA-ve, brenda vitit dhe jo më vonë se fillimi i vitit tjetër dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet të ketë një epilog që do t’i hapë rrugë Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, gjë që do të lejonte edhe hapjen e rrugës të Kosovës për nisje të bisedimeve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Gjithë këto procese qoftë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri apo Kosovë, në sytë e bashkësisë ndërkombëtare – shqiptarët shihen si një tërësi rajonale, prandaj çdo veprim politik i gjithë spektrit politik shqiptar në rajon, duhet të jetë i matur, i mirëkoordinuar për të ndihmuar proceset e përmendura më lart, ose aty ku nuk ka forcë për të ndihmuar – të paktën mos të paraqitet si pengesë që mund të ndikohet negativisht për cilindo pjesëmarrës në proceset eurointegruese.
Ti kthehem asaj që e fillova në fillim të këtij shkrimi, se çka është e rëndësishme për faktorin politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Normalisht që çdo parti ka interesat e veta përmes negociatave apo pjesëmarrjes në Qeveri për të realizuar Programin politik, ofertën zgjedhore dhe premtimet e dhëna gjatë fushatës, dhe e gjithë kjo është legjitime. Por në momentumin politik në të cilin ndodhemi edhe si shtet, por edhe si shqiptarë në interesin e përbashkët rajonal, por edhe në orbitën e mbështetjes nga aleatët tonë tradicional me të cilët ndajmë interesin e përbashkët, në njërën anë për të garantuar ndikimin properëndimor në rajon dhe ruajtjen e vlerave evropiane, dhe në anën tjetër duke vendosur barriera kundrejt trysnive për ndikime nga shtetet anti-perëndimore, të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm me veprimin politik të partive politike. Prandaj, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të dalin nga euforia e fushatës zgjedhore, të respektojnë vullnetin e votuesve dhe konform atij vullneti – të veprojnë në institucionet e shtetit, qoftë në Parlamentin republikan ku opozita duhet të jetë zëri kryesor apo në Qeveri, ku partitë që do jenë pjesë e shumicës parlamentare, të bartin mbi vete përgjegjësinë për angazhimin e tyre.
Tek e fundit, e gjithë sakrifica e shqiptarëve sidomos në vitet e fundit, qoftë në vitin 2016 kur përmes votës shqiptare u rrënua politika anti-perëndimore e Nikolla Gruevskit, qoftë edhe sot në vitin 2020 kur përmes Lëvizjes BESA, e cila mori mbi vete një barrë shumë të madhe, por që në fund ia vlejti, sepse përsëri bëri diferencën duke i mundësuar forcave pro-perëndimore që ndajnë vlerat e përbashkëta evropiane të fitojnë kundrejt një strukture politike si VMRO-DPMNE që ende nuk mund të shkëputet nga hija anti-perëndimore e Nikolla Gruevskit.
Gjithë ky angazhim politik i shqiptarëve, të cilët pa përjashtim me shumicë absolute janë faktori kryesor që mbajtën orientimin pro-evropian të Maqedonisë së Veriut, ka vetëm një qëllim – bashkimin e gjithë shqiptarëve në Bashkimin Evropian, si një mundësi e vetme (në kontekstin kohor që tani ndodhemi). Prandaj, duhet me kujdes maksimal të veprojmë politikisht duke menduar interesin e përgjithshëm rajonal të shqiptarëve. Ky është çmimi që duhet paguar, dhe kur e shohim fotografinë e përgjithshme se ku synojmë të shkojmë dhe çka duam të arrijmë, lirisht mund të themi se I’A VLEN.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)