Laura PAPRANIKU
Shkup, 11 dhjetor – Jo të gjithë ata të cilët kanë aplikuar dhe jo të gjitha kategoritë e bursave do të ndahen këtë vit në lartësinë e paraparë me konkurset përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), shkruan gazeta KOHA. Në raste të caktuara ka pasur tejkalim të numrit të paraparë të bursave, sikurse është kategoria për nxënësit e talentuar të shkollave të mesme, ashtu siç ka kategori të tjera, ku numri i nxënësve që kanë aplikuar është poshtë numrit të bursave që MASH kishte vënë në dispozicion. Por, marrë në total, për gjashtë kategoritë e bursave për vitin shkollor 2017/2018, numri i aplikimeve është më i madh se numri i planifikuar, ndërsa është goxha më i ulët numri i bursave të fituara.
Në bazë të listave që MASH ka publikuar pasditen e së enjtes, për 745 bursat në dispozicion të nxënësve të shkollave, në të gjitha format kishin aplikuar 948 nxënës. Bazuar në kriteret e shënuara paraprakisht nëpër konkurse, për të gjitha kategoritë veç e veç, komisionet përkatëse u kanë dhënë dritën e gjelbër vetëm 621 nxënësve. Të gjithë do të përfitojnë përafërsisht nga 3 mijë denarë për nëntë muaj, aq sa zgjat një vit shkollor. Numri më i madh i bursave të ndara janë te kategoria sociale, ku këtë viti shkollor janë ndarë fiks 400 bursa, pra po aq sa ishin caktuar me konkurs. Por bursat e nxënësve të talentuar, te të dyja kategoritë, duket se nuk kanë mundur të shmangin as këtë vit problematikën e joharmonisë nacionale. Raporti më i thellë është te bursat për nxënësit e talentuar sportiv, ku në listën e 81 ftuesve vetëm 3 janë nxënës shqiptarë. Te kjo kategori është publikuar edhe një listë tjetër me emrat e 67 nxënësve, të cilët nuk kanë plotësuar kushtet e kërkuara me konkurs dhe ku 18 prej tyre janë shqiptarë. Një numër i konsiderueshëm i nxënësve të kësaj liste nuk janë fitues, ose sepse çmimet nuk janë në nivelin e kërkesave të konkursit, ose sepse çmimet e tyre janë më të vjetra se sa një vit shkollor apo sepse suksesi i notave është më i ulët se katër. Kështu, edhe pse për 150 bursat e kësaj kategorie kishin aplikuar 148 nxënës, 81 gjenden në listën e fituesve, kurse 67 në listën e jo fituesve. Ndërkaq te kategoria e bursave për nxënësit përgjithësisht të talentuar të shkollave të mesme publike dhe private, situata është shumë më dinamike. E para, kanë konkurruar pesëfish më tepër nxënës se sa numri i paraparë me Konkurs, pra për 50 bursat në dispozicion, kanë aplikuar 264 nxënës, ndërsa janë lejuar 65 të tillë, që do të thoit se është kapërcyer limiti i paraparë. Bazuar në emrat dhe mbiemrat e nxënësve, te fituesit e këtyre bursave, rezulton se 56 janë maqedonas, 6 shqiptarë dhe 3 të tjerë. Këtu gjenden edhe nxënës që kanë më pak pikë se disa të tjerë që enden në listën e 32 nxënësve, që plotësojnë kushtet e kërkuara me konkurs, por që nuk do të jenë fitues pasi është vendosur vija e kuqe te nxënësi i 65-të i një listë më lartë. Lista e tretë e bursave të kësaj kategorie përbëhet nga 167 nxënës, të cilët nuk janë fitues, pasi nuk i plotësojnë kriteret e shënuara në konkurs. Pikërisht te kjo listë, gjendet dhe numri më i madh i nxënësve shqiptarë, të cilët përbëjnë mbi 22 për qind të listës. Konkretisht në mesin e 167 emrave jo fituese, 37 janë të nxënësve shqiptarë shqiptarë, pjesa me e madhe e të cilëve nuk kanë fituar me arsyetimin se diplomat që vërtetojë pjesëmarrjen dhe fitimi e çmimeve nëpër gara janë nga ana e shoqatave të pa akredituara. Për pasojë, ata kanë humbur shansin të gjenden në dy listat paraprake, pra ose të listës së parë me emrat e nxënësve fitues të konkursit për bursa nxënësve të talentuar të shkollave të mesme dhe private, ose të atyre që edhe pse kanë plotësuar kushtet e kërkuar me konkurs nuk janë fitues pasi gjenden poshtë limitit të lejuar. Në dy kategoritë e bursave për nxënës të talentuar, përgjithësisht dhe specifikisht të talentuar sportiv për vitin shkollor 2017/2018 do të ndahen 65, respektivisht 81 bursa. Prej tyre, nxënësit shqiptarë do të marrin vetëm 9 bursa, edhe atë 6 për kategorinë e parë dhe 3 për kategorinë e dytë. Te kategori e bursave sociale gjenden emrat e 84 nxënësve shqiptarë nga gjithsej 400 fitues, kurse te bursat për nxënës me nevoja të veçanta, 11 nxënës shqiptarë, 36 maqedonas dhe 3 të tjerë. Nga 80 bursat për nxënësit pa prindër, janë ndarë vetëm 23 aq sa ishte edhe numri i aplikimeve, ndërsa për 15 bursat e nxënësve të turizmit dhe hotelerisë fitues janë vetëm dy nxënës. (koha.mk)