Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare nga ana e UDB-s, vinte për shkak se, siç thuhej në një dokument – “pjesa dërmuese e saj rrjedh nga shtresa konservatore”, përkatësisht “qarqeve fetare, tregtare etj”, prandaj te ajo kemi “shtrembërime ideore, si dhe dukuri të ndryshme armiqësore”, të përqendruara kryesisht ndaj këtyre çështjeve: “kërkesa që në shkollat shqipe të mësohet historia nacionale shqiptare; kërkesa që të hapen shkolla të mesme-profesionale në gjuhën shqipe; rezistencë ndaj krijimit të shkollave të përziera me motivacion se të njëjtat çojnë drejt asimilimit të popullatës shqiptare… etj”,
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Sipas anketës në komunat e sipërpërmendura jetonin 102.717 shqiptarë dhe “turq”, ndërsa 84.190 maqedonas e të tjerë ose gjithsej 186.907 banorë. Në sektorin shoqëror gjithsej të punësuar pati 20.200 persona, prej tyre 7203 shqiptarë dhe “turq”, përkatësisht 32,8 nga numri i përgjithshëm i të punësuarve. Sipas të dhënave del se raporti i popullsisë ishte 56% me 44% në favor të shqiptarëve dhe “turqve”, ndërsa punësimi në sektorin shoqëror ishte 32.8%, ose 67.2% në favor të popullsisë maqedonase e të tjerëve.
Një situatë të ngjashme kemi edhe në ndërmarrjet ekonomike. Kështu, sipas anketës, në ndërmarrjet e përmendura punonin si nëpunës dhe punëtorë 18.163, prej tyre 4675 shqiptarë, 1169 “turq” dhe 12.319 maqedonas e të tjerë ose 32% nga numri i përgjithshëm ishin shqiptarë dhe “turq”. Gjithnjë sipas anketës, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 16.356 ishin punëtorë, prej të cilëve 5718 ose 35% shqiptarë dhe “turq”, ndërsa prej 1794 nëpunësve, vetëm 113 ose 6.2% ishin shqiptarë dhe “turq”. Duhet të vëmë në dukje faktin se në të gjitha këto ndërmarrje ekonomike, nuk kishte asnjë shqiptar me fakultet, ndërsa në anën tjetër, maqedonas ose të tjerë pati 149 të tillë. Në disa ndërmarrje më të mëdha ekonomike, ku pati një numër të konsiderueshëm të punësuar shqiptarë nuk kishte asnjë nëpunës apo punëtor me kualifikim të lartë shqiptar. Këso raste kemi në “Silikë”, “Struzhankë”, “Karposh”, “Korab”, “Mavrovë”, “Granit”, Qilimarja në Dibër etj., ndërsa në “Teteks” pati vetëm tre punëtor me kualifikim të lartë nga shqiptarët e “turqit”, në “Beton” 9, në “Goce Dellçev” 1 etj.
Karakteristikë e veçantë është se deri në vitin 1965, të punësuarit shqiptarë, në përmasa më të mëdha, i takonin kategorisë së punëtorit të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar. Kështu, në Komunën e Tetovës, nga gjithsej 876 punëtorë me kualifikim të lartë, 628 ishin maqedonas, 108 shqiptarë dhe 73 “turq”; nga 3687 punëtorë gjysmë të kualifikuar, 2004 ishin maqedonas, 1036 shqiptarë dhe 468 “turq”; nga 4066 punëtorë të pakualifikuar, 1638 ishin maqedonas, 2087 shqiptarë dhe 480 “turq”. Për sa u konstatua më sipër, del se shqiptarët më lehtë punësoheshin si punëtorë krahu se sa si nëpunës, qoftë në administratë apo në organizatat ekonomike. Kështu, në rrethin e Tetovës, nga gjithsej 303 nëpunës me përgatitje të lartë, vetëm 14 ishin shqiptarë; nga 1.663 nëpunës me arsim të mesëm, vetëm 343 ishin shqiptarë. Situata nuk ishte aspak më e volitshme edhe me nëpunësit me arsim të ulët: nga 1.776 nëpunës të këtillë, vetëm 356 ishin shqiptarë etj. Si rrjedhojë e kësaj politike, zonat ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë më të pazhvilluara, të ardhurat për kokë banori ishin shumë më të ulëta se në zonat me shumicë maqedonase. Kjo shihet nga të dhënat e Komisioni për pakicat nacionale, ku thuhet se në vitin 1963: “mesatarja e të ardhurave për kokë banori në RPM-së ishte 125.000 dinarë, ndërsa në Tetovë 84.000. Shpenzimet buxhetore për kokë banori në vitin 1964, në rrethin e Tetovës ishin 11.000 dinarë, ndërsa në nivelin republikan kjo arrinte në 25.149 dinarë”.
Duhet të vëmë në dukje faktin se problemi kryesor për zhvillimin e ngadalësuar të popullsisë shqiptarë, qëndronte në numrin e vogël të shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe, një dukuri e cila vazhdoi edhe në pjesën e parë të viteve gjashtëdhjeta. Në dokumentin me titull: “Vështrim ndaj disa problemeve te pakicat nacionale /shqiptare e turke/ në RP të Maqedonisë”, të hartuar në vitin 1960 nga Komisioni për pakicat nacionale të KQ të LKM-së, veç tjerash thuhej se në RP të Maqedonisë, përveç “Normales Zef Lush Marku në Shkup dhe paralelet në gjimnazin e Tetovës”, nuk ka shkolla tjera në të cilat “do të shkolloheshin pakicat nacionale në gjuhën e tyre amtare”. Për këtë arsye, thuhej më tej në dokument: “në kohë të fundit janë shpeshtuar propozimet për hapjen e shkollave profesionale dhe të shkollave tjera në territoret, ku kryesisht jeton popullsia e përzier – shqiptare e turke”. Komisioni si shembull e paraqet, propozimin e paraqitur me shkrim, për hapjen e gjimnazit në Dibër, pastaj për shkollën Normale në Gostivar etj. Këto propozime, sipas vlerësimit të komisionit, nuk “niseshin nga qëndrimi që të hapen shkolla vetëm në gjuhën shqipe, por me zhvillimin e rrjetit” të shkollave profesionale në territoret ku jetonin shqiptarët, “të sigurohet shkollimi i mëtutjeshëm i tyre”, me çka do të lehtësoheshin kushtet “për krijimin e kuadrit profesional” të shqiptarëve. Në fakt, një ide e tillë u iniciua që në janar të vitit 1959, kur KQ i LKM-së në Analizën që i kushtohej problemit të shkollimit të shqiptarëve, ndër të tjera propozonte që në “shkollat e mesme ekzistuese të hapen paralele të veçanta” me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa për lëndët ku mungon kuadri shqiptar “mësimi do të plotësohej në gjuhën maqedonase” përderisa nuk krijohej kuadri i mjaftueshëm shqiptar.
Burimet arkivore hedhin dritë se në atë periudhë kohore, si nga ana e udhëheqjes partiake, po ashtu edhe nga ajo shtetërore dhe e organizatave shoqëror-politike e RP të Maqedonisë, u ndërmorën disa hapa më konkrete drejtë zgjidhjes së problemit shqiptar në RP të Maqedonisë. Në këtë drejtim, dallohej aktiviteti i dy komisioneve, përkatësisht i komisionit për pakicat nacionale të KQ të LKM-së dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LSPPM-së. Anëtarët e këtyre komisioneve, hartuan një sërë vështrime, analiza, informata, raporte, konkluzione etj., përmes të cilave nxirrej në pah problemi i ngecjes së zhvillimit shoqëror-politik, në përgjithësi te popullsia shqiptare, veçmas kjo shprehej në arsim dhe në kulturë. Në Analizën që Komisioni për pakicat nacionale pranë KP të LSPPM-së e hartoi në vitin 1961, veç tjerash në mënyrë të hapur u shtruan disa probleme konkrete, si problemi i librave shkollore për shkollat fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe, çështja e gjuhës drejtshkrimore shqipe, programet mësimore, përkatësisht programi mësimor për lëndët: histori, gjeografi, gjuhë shqipe dhe edukatës së muzikës etј.
Përkundër përpjekjeve që u ndërmorën në atë kohë nga ana e organeve partiake e shtetërore, për gjetjen e një rruge, e cila do të mundësonte zhvillim më të shpejtë shoqëror-politik, kulturor, arsimor ekonomik etj., të popullsisë shqiptare në RP të Maqedonisë, deri kah viti 1963 nuk patën rezultatin e duhur, sepse pozita e saj me përjashtime të vogla, ngeli e njëjta, siç ishte ajo e para vitit 1959. Kjo gjendje ishte si rrjedhojë e rolit destruktiv të Shërbimit për Sigurimin Shtetëror (UDB-ë), e cila çdo kërkesë të shqiptarëve, veçmas nëse ajo buronte nga inteligjenca, e konsideronte si: “irredentiste e nacionaliste”. Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare nga ana e UDB-s, vinte për shkak se, siç thuhej në një dokument – “pjesa dërmuese e saj rrjedh nga shtresa konservatore”, përkatësisht “qarqeve fetare, tregtare etj”, prandaj te ajo kemi “shtrembërime ideore, si dhe dukuri të ndryshme armiqësore”, të përqendruara kryesisht ndaj këtyre çështjeve: “kërkesa që në shkollat shqipe të mësohet historia nacionale shqiptare; kërkesa që të hapen shkolla të mesme-profesionale në gjuhën shqipe; rezistencë ndaj krijimit të shkollave të përziera me motivacion se të njëjtat çojnë drejt asimilimit të popullatës shqiptare… etj”, thuhet, veç tjerash, në këtë dokument. Sjellja e këtillë e Shërbimit për Sigurimin Shtetëror, shkaktoi reagime edhe te një pjesë e shqiptarëve që mbanin pozita të larta partiake e shtetërore në RS të Maqedonisë. Në mbledhjen e komitetit të qarkut të LKM-së në Tetovë, mbajtur më 26 nëntor 1963, anëtari i KQ të LKM-së dhe njëherit edhe deputet republikan, Bajram Gola, në mënyrë të hapur i akuzoi organet e sigurimit, që sipas tij: “punojnë padrejtësisht, se përzihen edhe atje ku nuk duhet, me çka nxisin pasoja negative.”. Ai më tej shtonë se: “Organet e sigurimit e teprojnë. Mbajnë qëndrim shumë të ashpër gjatë marrjes së masave. Në vend se të ndikojnë pozitivisht, ata burgosin nxënës, madje disa nga ata edhe i gjykojnë dhe në këtë mënyrë krijojnë frikë dhe i trembin. Ata janë të rinj dhe të paformuar dhe a thua duhet të ndërmerren masa të tilla ndaj tyre. Ata nxënës nuk janë të rrezikshëm..”, theksonte veç tjerash, Bajram Gola.
Në fillim të vitit 1963, në RP të Maqedonisë filloi debati i gjerë lidhur me Kushtetutën e re që duhej të sillej në pjesën e parë të atij viti. Në kuadër të atij debati, u fol edhe për të drejtat e popullsisë shqiptare e turke, ku në pah dolën dy botëkuptime të kundërta. Përderisa një pjesë e drejtuesve politik të republikës, ishin të mendimit që të drejtat e “kombësive – pakicave nacionale të vendosen në nivelin e garancës dhe obligimit kushtetues”, në anën tjetër, disa të tjerë “shprehën mendimin se Projektkushtetuta nuk do të duhej të trajtohet” shumë gjerësisht, dhe se mjafton “të nënvizohen të drejtat themelore të kombësive – pakicave nacionale”, por jo edhe të “flitet për zbatimin e tyre institucional”, ku si shembull ata e marrin dygjuhësinë.
Pa marrë parasysh dallimet që dolën në pah gjatë debatit, me Kushtetutën е re që u soll më 12 prill 1963, termi “pakicë” që përdorej asokohe për shqiptarët dhe turqit, u zëvendësua me atë të “kombësisë – pakicës nacionale”. Në pjesën e Kushtetutës me titull “Të drejtat e kombësive – pakicave nacionale”, theksi vihet në nenet 72, 73, 74 dhe 75. Në to shprehimisht thuhej:
“ – pjesëtarët e kombësive – pakicave nacionale që jetojnë në RS të Maqedonisë janë të barabartë në gjithçka dhe i kanë të drejtat dhe obligimet e njëjta;
– bashkësitë shoqëror-politike kujdesen që pjesëtarët e kombësive – pakicave nacionale të caktuara të jenë të përfshirë në trupat përfaqësuese të bashkësive shoqëror-politike, duke u kujdesur për strukturën e popullsisë të territoreve të tyre;
– secilës kombësi – pakicë nacionale i garantohet e drejta për përdorimin e lirë të gjuhës së vet, ta shprehë dhe zhvillojë kulturën e vet dhe të krijojë institucione dhe organizata që ua garantojnë këto të drejta;
– në viset në të cilat jetojnë kombësitë – pakicat nacionale, arsimi dhe edukimi i pjesëtarëve të kombësive realizohet në shkolla, përkatësisht klasa dhe institucione edukative, në të cilat mësimi dhe edukimi zhvillohet në gjuhën e kombësisë përkatëse;
– në komunat në territorin e të cilave jeton numri më i madh i pjesëtarëve të kombësive – pakicave nacionale të caktuara, vendimet dhe aktet më të rëndësishme të kuvendeve komunale shpallen edhe në gjuhën e kombësisë – pakicës nacionale;
– të gjithë banorët e viseve me përbërje të përzier nacionale në RSM, kanë të drejtën e njëjta për ta përdorur gjuhën e tyre në procedurën administrative e gjyqësore;
– mbishkrimet publike në këto territore janë dygjuhësore;
– me statutin e komunës, në pajtueshmëri me kushtet e përgjithshme të përcaktuara me ligj, përcaktohen kushte dhe procedura më të afërta që sigurojnë realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të kombësive – pakicave nacionale.
Arritja e “barazisë” së popullsisë shqiptare e turke me popullsinë maqedonase, do të flitet edhe në Kongresin IV të LKM-së, i cili u mbajt më 29-31 mars 1965. Në Konkluzionet që u miratuan në këtë kongres, ndër të tjera thuhej:
“Si problem i përhershëm dhe pjesë përbërëse e zhvillimit tonë socialist-demokratik, realizimi i barazisë së kombësisë shqiptare e turke, edhe më tej ngel detyrë esenciale e politikës që e udhëheq Republika dhe për veprimtarinë e tërësishme të Lidhjes komuniste. Si faktor i barabartë, me të drejta e obligime të njëjta në ndërtimin e bashkësisë në të cilën janë pjesë integrale, kombësia shqiptare e ajo turke, do ta bazojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre të bashkësisë, duke i realizuar drejtpërsëdrejti interesat e tyre ekonomike, kulturore e interesat tjera nacionale përmes zhvillimit të lirë e intensiv të aktivitetit të pjesëtarëve të tyre, në kuadër të mbarë organizmave të sistemit të vetëqeverisjes socialiste… Themelimi i shkollave të caktuara të shkallës së dytë ose organizimi i paraleleve në shkollat ekzistuese me mësim në gjuhën amtare për të gjitha ose për disa lëndë të caktuara – sipas kushteve dhe mundësive – do të sigurojë krijimin më të përshpejtuar të kuadrove me shkollim të mesëm profesional nga radhët e kombësive…”.
Nuk vonoi shumë, Kuvendi i RS të Maqedonisë, solli Ligjin për gjimnazet, ku për herë të parë parashihej hapja e gjimnazeve, përkatësisht të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Këtë e garantonte neni 15, paragrafi 1 e 2 i këtij Ligji, ku shprehimisht thuhej: “Në territoret në të cilat kryesisht jetojnë kombësitë – pakicat nacionale, për pjesëtarët e atyre kombësive themelohen gjimnaze ose paralele të gjimnazeve, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën e kombësive. Në territoret në të cilat jetojnë së bashku kombësitë – pakicat nacionale dhe popullsia maqedonase në përbërje përafërsisht të njëjtë, themelohen në përputhje me mundësitë, edhe gjimnaze me mësim dygjuhësor”.
Për rrjedhojë, gjatë vitit shkollor 1965/66, në RS të Maqedonisë, paralele të gjimnazeve me mësim në gjuhën shqipe, krahas gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, u hapën edhe në gjimnazet e Kumanovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës e Strugës. Krahas problemit të arsimit, gjatë viteve 1963-1966, autoritetet e politike të RS të Maqedonisë, ndërmorën një aksion të gjerë edhe në zhvillimin e kulturës së popullsisë shqiptare. Që kjo çështje të përshpejtohet, në vitin 1963, autoritetet politike të RS të Maqedonisë dhe asaj të KSA të Kosovës, nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në lëmin e arsimit e të kulturës. Marrëveshja në fjalë përfshinte 6 pika:
- Bashkëpunimi në botimin e librave: nga Prishtina libra në gjuhën shqipe për shkollat në Maqedoni, nga Shkupi libra në gjuhën turke për shkollat në Kosovë.
- Literatura politike në gjuhën shqipe, e cila botohet në Prishtinë të sigurohet për të gjithë lexuesit.
- Aranzhimi konkret në përkthimin reciprok të autorëve maqedonas në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
- Trajtimi i jetës në shtyp dhe në punë në të dy territoret, hapja e revistave edhe për viset tjera për të gjithë autorët.
- Shkëmbimi reciprok – vizita e ansambleve dhe shoqërive kulturor-artistike.
- Ndihma e Universitetit të Shkupit shkollave të larta dhe fakulteteve në Kosovë përmes shkëmbimit të ligjëratave, në fushën e praktikës, në shfrytëzimin e laboratorëve, shkëmbimin e librave etj..
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 1965, një delegacion i LSPPM-së, i kryesuar nga Gjoko Mitrevi dhe Azem Zulfiqari, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e LSPP të Kosovës, me ç’rast dy palët ranë në ujdi që: “të shkohet në marrëveshje më precize (pas kësaj mbledhjeje) për të gjitha format e bashkëpunimit, ekzistojnë institucione dhe organe rreth së cilave mund të grumbullohen forma të ndryshme të bashkëpunimit”, si dhe “bashkëpunimi të realizohet më shumë përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe aranzhimin e institucioneve të caktuara, se sa përmes mbledhjeve (për shkak se në themel politika është e qartë, duhet vetëm të zbatohet)”. Gjithashtu, në mbledhje u propozuan një sërë çështjesh konkrete për bashkëpunim midis dy palëve, disa prej tyre po i paraqesim në vazhdim:
- Në botimin e literaturës klasike e politike – vlerësimi përfundimtar për atë se çfarë literature duhet të merret për gjuhën shqipe.
- Afrimi i plan-programeve mësimore, harmonizimi i përbashkët i përzgjedhjes së librave (qoftë të shkruar, qoftë përkthime).
- Përpjekje të përbashkëta (në financimin) për përkthim nga shqipja në maqedonisht e serbisht për arritjet e kombësisë shqiptare.
- Konkretizimi i bashkëpunimit në shkollimin e lartë e superior (“që të mos bëhen fakultete të thjeshta provinciale).
- Grupi për gjuhën dhe letërsinë shqipe pranë fakultetit në Prishtinë dhe në Shkollën e Lartë pedagogjike në Shkup – nëse nuk mund të kenë në tërësi program të njëjtë të punës, gjithsesi se u nevojitet bashkëpunimi më i fortë.
- Shtypi ditor dhe radio-stacionet nga Shkupi mund të kenë korrespodentë të rregullt në Prishtinë (në Shkup tash më ekzistojnë korrespodentë për Prishtinë).
- Përgatitja e përbashkët e ndonjë profili të kuadrit: bibliotekistë, dramaturg, për balet, për film etj. “.
Për dallim nga më herët, veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në RS të Maqedonisë nga viti 1964, pati një zhvillim më të theksuar. Tashti me ndihmën financiare të Fondit republikan për përparimin e veprimtarisë botuese, filloi të botohet revista për kulturë artë dhe shkencë “Jehona”, pastaj gazeta e vetme në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit” u bë e përjavshme, përkatësisht 52 numra në vit, si dhe për herë të parë u botuan “përmbledhje poezish” të autorëve shqiptarë, përkatësisht të Abdylazis Islamit, Maksut Shehut, S. Selimit etj. Përkundër asaj se veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në atë periudhë kohore pati një ngritje të dukshme, sepse tash më ishin “tejkaluar disa dobësi themelore” që paraqiteshin më herët, Grupi për kombësitë në Komisionin për çështje politike dhe ideor-edukative të KP të LSPPM-së, ishte i mendimit që e njëjta: “ende nuk i përmbush nevojat dhe nuk është në përputhshmëri me kërkesat e shtruara”, që burojnë si rezultat i transformimit të rëndësishëm shoqëror-ekonomik të “pozitës së kombësive” në strukturën e përgjithshme shoqërore të RS të Maqedonisë. Nisur nga kjo, Komisioni i propozonte KP të LSPPM-së, themelimin e këshillit botues, përkatësisht “Qendrës për veprimtari botuese të kombësisë shqiptare”, në krye të së cilës do të ishte këshilli botues me këto redaksi: redaksia e “Flakës së Vëllazërimit”, redaksia e revistës “Jehona”, redaksia e revistës për të rinj “Gëzimi”, redaksia e revistës për fëmijë “Fatosi” si dhe redaksitë për botimin e librave, beletristikës për fëmijë dhe për të rritur dhe redaksia për literaturë profesional-shkencore:
“…Për mënyrë e tillë – thuhej në Konkluzionet e grupit të miratuara më 26 nëntor 1965 – vlerësohet se mjetet materiale në disponim dhe kuadrot do të shfrytëzoheshin, do të rritej vetë produkti, por do të sigurohej më shumë edhe vetë plasmani. Si përvojë pozitive, në këtë drejtim u vunë në dukje shembujt me veprimtarinë botuese në gjuhën hungareze, italiane dhe gjuhëve tjera në Jugosllavi, ku botimi zhvillohet nga një qendër për secilën kombësi…”.
Po nga ky grup, më 30 dhjetor 1965, u sollën Konkluzione lidhur me problemet e “emisioneve në gjuhën shqipe e turke” të Radio Shkupit, ku veç tjerash, në to vihej në pah se: “të njëjtat nuk i përmbushin nevojat më elementare të kombësive”, përkatësisht “në përmasa më të mëdha paraqesin versionin e shkurtuar të pjesës informative” nga programi i Radio Shkupit që emitohet në gjuhën maqedonase, dhe se “në mënyrë të pamjaftueshme trajtohen problemet nga jeta e kombësive” Më tej, në to thuhej se emisionet në gjuhën shqipe, krahas problemeve të përgjithshme të vendit, duhet të trajtohen “edhe problemet nga jeta e kombësive që për ta paraqet interes i veçantë…”.
Më herët, përkatësisht më 24 dhjetor 1965, Grupi mbajti mbledhje të zgjeruar me temën: “Konkretizimi i dispozitave kushtetuese për të drejtat e kombësive në projektstatutet e komunave” dhe “administrata dygjuhësore në organet e administratës në kuvendet komunale në mjediset me përbërje të përzier nacionale”. Lidhur me pikën e parë, në mbledhje është konstatuar se: “në disa projekt-statute të komunave janë bërë përpjekje përkatëse për implementimin sa më konsekuent e sa më konkret” të këtyre dispozitave, ku si shembull merret Komuna e Tetovës dhe e Gostivarit, ndërsa në disa komunat tjera, si Kërçova, Kumanova, Kalaja etj., kjo materie “është rregulluar me disa formulime shumë të thjeshta”, por ka edhe “aso projekt-statute ku asgjë nuk është thënë për të drejtat e kombësive”, ku si shembull merret Komuna e Idadisë dhe qyteti i Shkupit. “Trajtimi i ndryshëm i këtillë të dispozitave kushtetuese për të drejtat e kombësive” sipas Grupit, vinte si rezultat i “mungesës së një analize më të thelluar” të problemeve të komunave përkatëse. Sa i përket çështjes së vendosjes së dygjuhësisë, të pranishmit kanë shprehur mendimin se e njëjta duhet të implementohet “jo vetëm në organet e administratës” në territoret me përbërje të përzier nacionale, por edhe në “organizatat shoqërore-politike” të atyre territoreve. (fund)