Evis HALILI
Shkup, 7 qershor – Sfidat për një kulturë ndryshe do të jenë të shumta për ato shqiptarë që do të ulen në postet drejtuese në Ministrinë e Kulturës dhe në institucionet e tjera në vartësi të saj. Edhe pse ende nuk dihet se cila prej partive shqiptare do të marrë “pjesë” në kulturë, më të nxehtat janë ato çështje që kanë qenë pjesë e premtimeve politike dhe realizmi i shumë projekteve kapitale që janë zvarritur prej më shumë se disa vitesh dhe sigurimi i buxhetit për t’i mbyllur ato, shkruan gazeta KOHA. Se nga do të anojë fuqia, do të shihet edhe në “ndarjen” e drejtorive dhe aftësisë për të emëruar kuadro shqiptarë në to. Por, edhe ndryshime në organizimin e përgjithshëm të jetës kulturore dhe artistike, sidomos të drejtën për të qenë pjesë dhe për të organizuar manifestime teatrore, letrare, muzikore, festivale, e të tjera, të financuara nga shteti ashtu siç ndodh me pjesën maqedonase. Ajo që është më e rëndësishme për një pjesë të mirë të njerëzve të artit është gjuha shqipe dhe mbrojtja e saj në formën më të plotë institucionale. Nuk mund të nisen reformat nëse nuk zgjidhet çështja e gjuhës, ndërsa politikat kulturore duhet të përpilohen sipas pranimit të barabartë.
Sipas shkrimtarit Xhabir Ahmeti, ideator për themelimin e Institutit të Trashëgimisë, “beteja” për ndryshime duhet të nisë që në momentet kur partitë do të vendosin se kush persona do të ulen në poste kyçe.
“Në radhë të parë dhe nga ajo që do të varemi edhe në të ardhmen janë zgjedhjet kadrovike. Do të ishte fatkeqësi nëse do të zgjidheshin njerëz që nuk kanë lidhje me artin, por edhe të tillë që janë kanë vrapuar për të ngjitur pllakate, pasi përvoja e deritanishme është e hidhur. Së dyti, nuk e di edhe nëse partitë kanë paraparë reforma dhe nëse kanë diskutuar për problemet lidhur me pjesën shqiptare. Në kulturë duhet të krijohen kushte për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në kuptimin më të plotë të fjalës”, thotë për KOHA, Ahmeti. Për të pas zgjidhjes së çështjes së gjuhës shqipe dhe mbrojtjes institucionale së saj duhet të insistohet në ndryshime dhe subvencionim nga ana e shtetit qoftë për një gazetë dhe revistë në gjuhën shqipe, por edhe të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë dhe për të kërkuar llogari për punën që bëjnë.
Salajdin Salihu, profesor në UT, thotë se gjithçka mund të jetë më e thjeshtë nëse investohet më shumë për kulturën dhe institucionet shqiptare, në mënyrë që të kompensohet dëmi i shkaktuar deri tani.
“Është e thjeshtë ajo që pritet – të përpilohet politikë kulturore e pranimit të barabartë. Ajo që parashihet të bëhet për kulturën maqedonase, të vlejë edhe për kulturën shqiptare, e cila, deri më sot, e cila ka qenë e nëpërkëmbur institucionalisht dhe ky është fakt i pa kontestueshëm. Gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e mbrojtur institucionalisht. Të themelohen institucione kulturore dhe shkencore e shqiptarëve në Maqedoni dhe të trajtohen ashtu sikurse institucionet kulturore e shkencore maqedonase, të krijohet një qendër e studimeve albanologjike…. Thjesht, duhet investim shumë më i madh për kulturën shqiptare, që të kompensohet padrejtësia që i është bërë deri më tani”, thotë për KOHA, Salihu. Më problematike për shqiptarët mbeten mospjesëmarrja e tyre në shumë ngjarje dhe institucione elitare, si Mbrëmjet poetike të Strugës, Vera e Ohrit, Opera dhe Baleti, Galeritë dhe Muzetë në Shkup…, financimi minimal i aktiviteteve letrare, teatrore dhe shtimi i mini-festivaleve. Ajo që nuk financohet prej vitesh janë ansamblet folklorike, aktivitete për fëmijë, teatro e të tjera. Ndryshimet duhet të pësojnë edhe çmimet shtetërore që ku figuron vetëm një figurë shqiptare, ajo e Nënë Terezës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara