Fatos RUSHITI
Shkup, 3 dhjetor – Viti që lamë pas nuk ishte viti më i mirë për Maqedonisë dhe për qytetarët e saj. U trashëguan probleme të vjetra dhe kriza e zgjatur politike që nisi me të ashtuquajturat “bomba” të opozitës maqedonase nga marsi i vitit 2015, e dominoi edhe vitin 2016. Zhvillimet politike kryesisht u dominuan rreth organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u ricaktuan më 11 dhjetor për shkak të refuzimi të LSDM-së që të merr pjesë në to pa u bërë reforma në media dhe reforma në ligjet zgjedhore. Në gusht të vitit 2016, LSDM e Zoran Zaevit pranoi datën 11 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve, vetëm pasi u pranuan kërkesat e saj që 100 para zgjedhjeve të monitorohen mediat nga një komision i veçantë prej 5 anëtarësh dhe pasi u hoqën nga lista zgjedhore 40 mijë votues të kontestuar, 30 mijë prej të cilëve ishin shqiptar. Ndonëse kishte kohë të mjaftueshme prej gati një viti e gjysmë që kur u lidh Marrëveshja e Përzhinos, më 2 qershor të 2015 dhe kishim kryeministër të ri dhe qeveri teknike dy herë brenda vitit 2016, asgjë nuk ndodhi sa i përket reformave të kërkuara prej Bashkimit Evropian. Të dy partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM, më shumë harxhuan kohë me luftën e bërrylave mes ministrave dhe zëvendësministrave të tyre plotësues se sa për reforma prioritare në fushën e gjyqësorit, administratës publike, luftës kundër korrupsionit, reformimit të shërbimit inteligjent dhe organeve tjera të pavarura, të cilët bazuar në kritikat e BE-së nuk kishin reaguar ndaj skandalit të përgjimeve. Të gjitha këto reforma u lanë për vitin 2017, ku barrën kryesore do ta ketë Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Skandalit të përgjimeve he pyetjes së famshme “kush përgjoi në Maqedoni”, nuk i dha përgjigje as komisioni i veçantë anketues i cili dështoi më punën e tij. Përveç dorëheqjeve të ish ministres së punëve të brendshme Gordana Jankullovska, ish ministrit të transportit Mile Jakanievski dhe ish shefit të drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim Sasho Mihajlkov, edhe në 2016-ën mungoi tërësisht përgjegjësia politike në lidhje me skandalin e përgjimeve. Prokuroria Speciale Publike, si një nga obligimet që del nga Marrëveshja e Përzhinos, tani më ka formuar disa lëndë për keqpërdorim të pushtetit e që bazohen në materialet e përgjimeve të paligjshme. Si rezultat e skandalit të përgjimeve, BDI bëri ndërrimin e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave të saj. Partitë politike duke shkelur hapur Kodin zgjedhor pranuan të shkojnë në zgjedhje duke mbyllur sytë rreth problemit me trupin votues në Njësinë 6 që kishte kaluar +5 % me rreth 30 mijë votues më shumë së sa Njësia 3, e cila gjithashtu kishte kaluar pragun me -5.2 %.
Qeveria e re me një thes probleme të vjetra
Një thes me probleme të pazgjidhura mbi shpinë do të ketë kryeministri i ri dhe Qeveria e re, e cila pritet të zgjidhet brenda muajit janar të vitit 2017. Duke filluar nga çështja e emrit më shtetin fqinj Greqinë, që kërkon konsensus të brendshëm politik dhe shoqëror, zhvillimi ekonomik dhe ulja e papunësisë e cila ende vazhdon të jetë e lartë, marrëdhëniet ndëretnike dhe zbatimi i plotë i obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, decentralizimi fiskal që po pretendohet sidomos nga partitë shqiptare, reforma urgjente në organet e inteligjencës dhe në sistemin gjyqësor, si dhe një varg problemesh tjera qoftë me rrafshin publik apo edhe luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto do të jenë sfida, pasi në çdo konstelacion përbërja e ardhshme qeveritare do të përballet nga ana tjetër edhe me një opozitë të formë. Dora e ndërkombëtarëve pritet të shihet menjëherë tani kur pritet të ketë zvarritje rreth krijimit të shumicës parlamentare dhe votimit të Qeverisë së re, e mos të flasim lidhur me detyrat që duhet t’i kryejnë politikanët që të kthehet vendi në binar të sigurt të integrimeve euroatlantike. Dy janë sektorët kur pritet të ndërhyjnë ndërkombëtarët, gjyqësori dhe shërbimi inteligjent, të cilët shihen edhe si burim dhe pengesë për zgjidhjen e vërtetë të krizës politike, sektorë këto edhe ku ka patur kritika të vazhdueshme nga ana e BE-së dhe SHBA-së. Në lidhje me reformat në sistemin gjyqësor, që mund të prekin edhe shumë politikanë që përfliten në materialet e përgjuara, në qarqet diplomatike në vend kanë dominuar zërat se zgjidha më e mirë është modeli i Vetingut si në rastin e Shqipërisë. Nëse vërtetë ndodhë kjo, shumë gjykatës dhe prokurorë do të pamundësohen të vazhdojnë punën, ndërsa nga ana tjetër shumë persona zyrtarë dhe politikanë do të duhet të largohen nga funksione publike nëse kanë qenë në ndjekje penale dhe të përfolur për korrupsion. Tek organet e inteligjencës pritet të ketë ndryshime të ligjit për DSK-në dhe Ligjin për agjencinë për siguri dhe zbulim, ku kompetencat për ndjekjen e komunikimeve mund t’i kalohen Prokurorisë, e jo siç është tani nën kompetencë të MBP-së, respektivisht DSK-së.
Shqiptarët humbës apo fitues në 2016
Kontributi i BDI-së dhe PDSH-së në zgjidhjen e krizës politike, arritjen e Marrëveshjes së Përzhinos dhe zbatimin saj nuk u shpërblye nga pala maqedonase, përkundrazi interesi shqiptar u dëmtua me fshirjen e mbi 20 mijë votuesve shqiptar nga Lista zgjedhore. Me aminin e ndërkombëtarëve u bë edhe një analizë cilësore për Marrëveshjen e Ohrit dhe konkluzionet që dolën nga një Konference disa ditore me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar pritet të përfshihen në planin e Qeverisë së re për vitin 2017. Kalimi nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndëretnike, avancimi i gjuhës shqipe në përdorim të brendshëm, decentralizim i plotë fiskal me rritjen e buxheteve komunale përmes rritjes së TVSH-së për komunat, ishin ndër pikat kryesore të analizës profesionale që i’u bë Marrëveshjes së Ohrit. Ndër pikat e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos, programi 24 orë në gjuhë shqipe në servisin publik, mbetet të kryhet për vitin 2017, ashtu si edhe shumë aspekte të tjera që burojnë nga kjo Marrëveshje.
Ulet numri, rritet pesha!
Zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit lanë shije të hidhur tek shqiptarët me uljen drastike të numrit të deputetëve, nga 27 në 20. Absurdi në këtë mes është se të gjitha statistikat, qoftë në lindshmëri, qoftë për nga fëmijët që regjistrohen në klasë të parë dhe në shkollat mesme, tregojnë se shqiptarët në Maqedoni nuk janë më 25 % në bazë regjistrimin të vitit 2002, por se janë mbi 30 %. Këto të dhëna imponojnë edhe nevojën për mbajtjen e një regjistrimi të mirëfilltë. Përqindja aktuale e shqiptarëve në rrethana normale do të çonte numrin e deputetëve shqiptar mbi 35, edhe pse jemi me 6 njësi zgjedhore, ndërsa ndarja territoriale mes këtyre njësive llogaritet katastrofale dhe në dëm të shqiptareve. Jo pa qëllim, por për të fshehur numrin real të shqiptarëve në Maqedoni u shty regjistrimi popullsisë nga pala maqedonase. Nëse numri i deputetëve shqiptarë pati ulje, as VMRO dhe as LSDM nuk iu afruan 61-shit, numrit magjik për të zgjedhur qeverinë. Tani se kush do ta formojë Qeverinë tërësisht është në dorë të BDI-së, por edhe partive tjera shqiptare. Në këto rrethana, është vështirë të imagjinohet që BDI do të dialogojë ndarjen e pushtetit me VMRO-në njëjtë si në zgjedhjet e 2014-tës, kur VMRO e vetme mori 61 deputetë. Tani që ka vetëm 51, pa partitë shqiptare, VMRO nëse nuk pranon kërkesat tyre shumë lehtë mund të kalojë në opozitë dhe fronin e pushtetit ta merr LSDM-ja e Zoran Zaevit. Pritshmëritë dhe shpresat e shqiptarëve janë të mëdha pas këtyre zgjedhjeve, ku më në fund pala maqedonase nuk do të gjen alibi përmes zgjatjes së krizës politike, por vërtetë do të vihen në agjendë shtetërore realizimi i kërkesave politike shqiptare. Pika nevralgjike është gjuha shqipe, e cila ndonëse në Kushtetutë është zyrtare për përdorim të brendshëm në gjithë territorin e vendit, pala maqedonase nuk pranoi që ajo të rregullohet mirëfilli me ligj të veçantë, ku përdorimi i saj do të ishte i obligueshëm për të gjithë qytetarët në vend. Gjatë fushatës parazgjedhore zyrtarizmi i plotë i gjuhës shqipe ishte kryefjala e liderëve politik Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Bilall Kasami dhe Zijadin Sela, por se sa do të realizojnë atë nëse do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar, mbetet të shihet. Jo vetëm gjuha shqipe, por barazia e shqiptarëve me maqedonasit, shpërndarje e barabartë e buxhetit të shtetit, zbardhja e rasteve “Sopoti”, Mosnstra”, “Kumanova” dhe të aspekte të tjera, janë kërkesa kapitale që mbetet të shihet nëse partitë politike shqiptare do të këmbëngulin deri në fund, apo do të shkojnë hap pas hapi siç ka shkuar deri më tani zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë mes, pikëpyetje e madhe gatishmëria politike e Gruevskit apo Zaevit për përmbushjen e këtyre kërkesave. Kjo pasi këto kërkesa në shumicën e rasteve që të realizohen nevojiten 2/3 e numrave në Parlament. Apo do të ndodh që përsëri të merret koha në 2017-ës për hir të stabilizimit politik dhe ekonomik, integrime evropiane dhe atlantike, dhe mos të vijnë në shprehje kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni. Por një është e sigurt, 20 deputetët shqiptarë në përbërjen e ardhshme parlamentare kanë peshë të mjaftueshme politike për të avancuar të drejtat. Jo vetëm matematika e numrave në Parlament që jep shpresë për më mirë, por edhe kërkesa e kamotshme e shqiptarëve për barazi të plotë me maqedonasit në shtet, flet se viti 2017 mund të jetë një kthesë e madhe për shqiptarët. Kjo pasi vendi pritet t’i kthehet integrimeve euroatlantike dhe vete ky proces imponon avancim në marrëdhëniet ndëretnike.
Ngritja e opozitës së re
Kur jemi tek skena politike shqiptare, Lëvizja BESA, një parti e re e formuar para një viti i zuri vendin e dytë Partisë Demokratike Shqiptare për nga numri i votave dhe numrit të deputetëve. Aleanca për shqiptarët gjithashtu u rendit si partia e tretë në kampusin politik shqiptar. Përveç PDSH-së, rënie në vota kishte po ashtu edhe BDI, por pa e zbehur fuqinë politike, sepse pa 10 deputetë e saj në asnjë variant nuk mund të formojë Qeveri as VMRO e as LSDM. Risi në këto zgjedhje përveç Lëvizjes BESA ishte dhe Aleanca për shqiptarët që mori 3 deputetë me 35 mijë vota. Por ajo që ishte befasi është fakti se mbi 30 mijë vota shqiptare shkuan tek LSDM-ja e Zoran Zaevit, fakt ky që gjithashtu ndikoi që të ulet ndjeshëm numri i deputetëve shqiptar. Mbetet të shihet nëse 20 deputetët nga partitë politike shqiptare dhe dy deputetët shqiptar nga LSDM do të ngjallin Komitetin për marrëdhënie ndëretnike, i cili ka kohë që nuk funksionon si duhet në Parlament, e që është në interes të shqiptarëve, sidomos për ligjet dhe vendimet që merren me Badinter, mekanizëm ky që u instalua me ndryshimet kushtetuese pas Marrëveshjes së Ohrit. Të gjitha pikat e kërkesave të partive politike shqiptare sigurisht që nuk janë pjesë e thesit me dhurata të Babagjyshit të Vitit të Ri, por se për t’i realizuar ato sigurisht nuk mjaftojnë vetëm fotografimet me liderët politik maqedonas, por edhe punë e vazhdueshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.