Laura PAPRANIKU
Shkup, 24 shkurt – Maqedonia vazhdon të ngecë në edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore, shkruan gazeta KOHA. Megjithëse, mjaft i rëndësishëm për socilaizimin e tyre, jo të gjithë ata që regjistrohen në klasë të parë, kanë pasur mundësinë të jenë të edukuar paraprakisht nëpër kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve të moshës nga 0 deri në 6 vjet. Qasja deri te këto institucione është e vështirë, sidomos në vendbanimet shqiptare, ku është dukshmi i vogël numri i kopshteve dhe çerdheve. Në kryeqytet për shembull, vetëm në Komunën e Çairit ka grupe për fëmijët shqiptarë. Në komuant rurale të Haraçinës, Studeniçanit dhe Sarajit, mungesa e çerdheve dhe kopshteve është e dukshme. Përveç kësaj, nuk ka edukatorë dhe përkëdhelëse shqiptare as nëpër kopshtet e Komunës së Buletit, ku shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm, kurse nuk mund të bëhet fjalë për kopshtet në gjuhën shqipe nëpër komuna ku shqiptarët janë pakicë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e hedh përgjegjësinë te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale(MPPS), kurse kjo e fundit tek e para. Në MASH thonë se kanë marrë përsipër të gjitha shpenzimet që nevojiten për arsimimin e fëmijëve të moshës 6 vjeçare e që para 12 viteve ishin përgjegjësi e MPPS. Ndërsa, nga MPPS arsyetohet se pavarësisht kalimit të kësaj kategorie fëmijësh në ingjerencat e MASH-it, në shumicën dërmuese të rasteve arsimimi dhe edukimi i tyre bëhet nëpër kopshte dhe çerdhe, pra në objekte për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e të cilave kujdeset MPPS-ja.
Sipas të dhënave të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, përcjellë KOHA, në vitin 2015 në institucione të arsimit parashkollor ishin të përfshirë 32 660 fëmijë të moshës 6 vjeçare, ndërkohë që të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se 43 për qind e tyre, respektivisht 14 035 fëmijë janë të grupmoshës përgatitore, sikurse quhen grupi i fëmijëve 5 dhe 6 vjeçar. Pjesa tjetër i bie të jenë fëmijë të moshë nga 0 deri 4 vjet. Të dhënat tregojnë se në Maqedoni nuk është i kënaqshëm numri i institucioneve të arsimit parashkollor. Madje, krahasuar me periudhën e para decentralizmit, ka një rritje të vogël të atij numri. Nga 51 kopshte dhe çerdhe publike që kishte në vitin 2005, momentalisht ka 60 të tilla. Është shtuar numri i kopshteve private që aktualisht arrin në 22 sosh. Në vitin 2005, gjithashtu u rregullua me ligj inkuadrimi i fëmijëve të moshës 6 dhe 7 vjeçare në sistemin e arsimit të detyrueshëm, dhe kjo me automatizëm rriti edhe numrin e tyre në procesin edukativ. Kalimi i arsimit fillor nga tetë në nëntëvjeçar, synonte që të nis një vit më herët arsimimin e popullatës në Maqedoni, duke e bërë të obligueshëm shkollimin jo më nga mosha 7 vjet, por nga mosha 6 vjeçare, eventualisht 5 vjet e gjysmë. Në këtë mënyrë, edhe shpenzimet për socializmi dhe edukimin e fëmijëve të kësaj moshe u transferuan nga MPPS te MASH-i. Kjo e fundit përgatiti program jo vetëm për procesin edukativo-arsimor të fëmijëve të kësaj grup moshe, por edhe për trajnimin e stafit që do të punonte me këta fëmijë në kuadër të arsimit nëntëvjeçar. Mirëpo, në vitin 2014, me avancimin e kërkesave për një arsimim sa më kualitativ të tyre u soll një program i ri, i njohur si Programi për zhvillim të hershëm të fëmijëve, e që duhet të paraqet vazhdim logjik të edukimit paraprak, pra të fëmijëve nga 0 deri në 6 vjet. Për arritjen e këtyre standardeve u trajnuan 157 edukatorë, të cilët duhet t’i përcjellin tek edukatorët tjerë përvojat e tyre të fituara nga trajnimi në fjalë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.