Aida XHONI
Zana Aliu është dizajnerja më e re e momentit, e preferuara e shumë personazheve VIP, nga të cilat do të veçojmë Big Mamën, Elita Ziberin, Tamara Todevskën… Zana, për Gazetën tonë flet për tendencat më të fundit të fustaneve, stilit dhe modës. Vlen të përmendim, në prag të maturës, ajo ofron edhe fustane falas për ata që nuk kanë mundësi financiare.
KOHA: Kush është Zana Aliu? Mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të vetes?
ALIU: Unë jam Zana Aliu, e lindur ne Prishtinë, jetoj në Shkup me familjen time. Arsimimin e kam përfunduar këtu ne Shkup, jam juriste e diplomuar. Sa i përket dizajnit, jam e certifikuar për prerje, qepje dhe modelim në Universitetin punëtorë profesionist “Blagoj Strackovski”, gjithashtu dhe në qendrën kreative “Karriera Plus” kam ndjekur kurse të modës dhe dizajnit.
KOHA: Si lindi ideja e të bërit biznes me anë të modës?
ALIU: Ideja paraprakisht ka qenë të ndjek kurse të modës meqenëse arsimin e lartë e kisha përfunduar veç se me një drejtim komplet tjetër. Këtë përzgjedhje e bëra për t’ia plotësuar vetvetes dëshirën dhe njëkohësisht për ta testuar vetveten në drejtimin e dizajnit, se normalisht ndonjëherë nuk mjafton vetëm dëshira. Siç e vlerësuan edhe të tjerët, talenti dhe mundi që e dhashë përgjatë atyre orëve u kryqëzuan me dëshirën për të bërë këtë hap në vazhdim. Është fakt se çdo gjë në kohën e fundit është materializuar, unë kam punuar diçka komplet tjetër para kësaj dhe jam paguar shumë mire, por jo çdoherë ajo kënaqësi është primare. Duke mos hequr dorë nga biznesi familjar, vendosa qe vetveten ta plotësoj ende me shumë duke hapur dhe një mini biznes timin. Normalisht, pa mbështetjen e prindërve te mi, vëllait tim dhe të afërmit e tjerë nuk do mund të arrija këtu ku jam sot. Ky është vetëm fillimi, shpresoj të më ecën mbarë ashtu siç me ka filluar.
KOHA:Çfarë ofron ZanaALiu Showroom?
ALIU: Zana Aliu Showroom është studioja ime. U hap në nëntor të 2017, në ambientet e kompleksit Grand Prestigj në Shkup. Kam një ambient të rehatshëm, i përshtatshëm për çdo vajzë /grua që të ndjehen te kënaqura dhe te mirëpritura. Orari i punës i studios është relativisht 6 ditë pune, sigurisht me një marrëveshje paraprake. Në studion time të gjitha vajzat qe duan te duken bukur janë të mirëpritura.
KOHA: A janë përmbushur pritshmëritë tuaja deri në këtë moment?
ALIU: Pritshmëritë, ndonëse është akoma herët për të folur gjithsesi ambicia është pjesë e karakterit tim dhe në këtë drejtim nuk më mungon aspak ndërsa punoj me ngulm për të realizuar objektivat të cilat ja caktoj vetes. Studioja ime zyrtarisht punon afro 6 muaj dhe pa dashur te tingëllojë imponuese megjithatë realisht edhe vete jam e befasuar nga reagimet pozitive ne masën e gjere, por edhe nga njerëz kritik të fushës në fjalë si rezultat i disa bashkëpunimeve me fytyra publike. Për një kohë shumë të shkurtër akoma pa u mbushur viti shumë njerëz arritën të dëgjonin për punën dhe kreacionet e mia, gjë që më bën shumë të lumtur dhe më motivon për të dhënë përkushtim dhe përqendrim ende më të madh në rrugën drejt suksesit.
KOHA:Çfarë mendoni për tregun shqiptar? Sa janë të gatshëm shqiptarët të shpenzojnë për modën?
ALIU: Tregu shqiptar i Maqedonisë, ne raste është treg i çuditshëm. Dua të jem e sinqertë, në fillim kur po punoja “online” para se të hapja studion, kërkesat në numër te madh vinin nga Kosova, gjë qe na bezdis neve shqiptareve të kësaj ane meqë se edhe ne nuk jemi pak në numër. Në raste tjera, kemi edhe vajza me përkatësi etnike jo shqiptare te cilat vlerësojnë kualitetin dhe dinë të jenë harxhuese të konsiderueshme në treg. S’është diçka statike që nuk ndryshon, gjithmonë duke e pasur parasysh edhe reciprocitetin me vlerën reale të produktit në këtë rast fustanet që i servohen tregut. Mendim personal i imi se shqiptaret nuk kursejnë aspak për modë, ndoshta shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore do ti kisha veçuar si shpenzues potencial më të mirë në dallim me zonat tjera.
KOHA:Cila është risia/trendet që Zana Aliu sjell për stinën e pranverës?
ALIU: Zana Aliu Shoëroom sapo ka prezantuar fillimin e sezonit Pranverë -Vere ’18 në vikendin e modës në Shkup, por gjithsesi ajo nuk është e gjitha. Vazhdojmë te bëjmë punë të palodhshme bashkë me ekipin tim për të sjellë shumë e shumë kreacione të reja për këtë sezon. Mënyra se si do ti prezantojmë ato do te jetë e ndryshme, nëpërmjet rrjeteve sociale gjithsesi dhe nëpërmjet seteve profesionale fotografike.
KOHA:Çfarë jeni duke punuar për momentin?
ALIU: Momentalisht, pasi që mbaruam me sfilatën për të cilën jemi përgatitur kohë të gjatë, kohën tonë këtë muaj do tua kushtojmë klientëve tanë të cilët kanë bërë terminët kohë më parë. Për momentin jemi edhe në shërbim të maturanteve për t’iu ndihmuar ne përzgjedhjen e tyre për mbrëmjen e maturës dhe për tua realizuar dëshirat e tyre,pa i lëne anash dhe të tjerët të cilët na kontakton çdo ditë pune.
KOHA:Çfarë ju kishit rekomanduar maturanteve?
ALIU: Matura po qe është një natë e rëndësishme gjatë rrugëtimit jetësorë, por ka shumë gjëra më te rëndësishme që pasojnë pas asaj mbrëmje. Iu kisha rekomanduar të mos shpenzojnë shuma të mëdha të hollave, çdo gjë të jetë në masë, të mos dalin nga vetvetja si ne stil ashtu dhe në sjellje. Zana Aliu Shoëroom ofron çmime tepër te volitshme, bazuar në standardin tonë të jetës. Gjithashtu, për maturantet qe janë në pamundësi të përballojnë harxhimet e fustaneve, neve ofrojmë fustane falas, e gjitha që duhet të bëjnë është të na kontaktojnë nëpërmjet rrjeteve sociale.
KOHA:Ku e shihni vetën në ardhmen?
ALIU: Ëndrra e çdo njeriu është të arrij majat e suksesit në çdo punë që bën, po e njëjta është dhe e imja. Rëndësi ka që kjo punë mua më përmbush emocionalisht, sensualitetin tim dua ta përçoj tek dëshira e çdo vajze që dëshiron të duket bukur. Shpresoj qe njerëzit përreth ta vlerësojnë punën që unë bëj, të cilën e bëj me shumë pasion. Natyra ime më lejon te jem fleksibile dhe shumë e afërt me klientët e mi, gjë që i bën klientët e mi të ndjehen shumë rehat.(koha.mk)