Zejnulla VESELI
Shkup, 16 mars – Në sektorin publik të Maqedonisë, gjegjësisht në 1291 institucione shtetërore përfundimisht me muajin dhjetor të vitit 2016 numri i të punësuarve aktiv kap shifrën prej 129.653 pa llogaritur këtu edhe personat që ushtrojnë funksione të larta shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Për herë të parë këto të dhëna për numrin e të punësuarve në administratë i bëri publike ministrja për Shoqëri Informative dhe Administratë, Marta Arsovska Tomovska gjatë prezantimit të Raportit vjetor për numrin e të punësuarve në sektorin publik përfundimisht me vitin 2016. “Në raportin vjetor është bërë analizë e të dhënave strukturore të 110.331 të punësuarve në sektorin publik, ku numër më të madh të punësuarve – 59.111 e përbëjnë gratë, ndërsa 51.200 janë burra. Numër më të madh të të punësuarve në sektorin publik sipas përkatësisë etnike – 82.900 janë maqedonas, 21.279 janë shqiptarë, 1781 janë turq, 1272 janë serbë, 1215 romë, 479 boshnjakë, 478 vlleh, ndërsa 907 të punësuar nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike. Mosha mesatare e të punësuarve është 45 vjet, ndërsa 9 të punësuar janë të moshës 19 vjeçare dhe 21 të punësuar janë të moshës 67 vjet”, deklaroi Arsovska-Tomovska. Sipas Raportit vjetor, numër më të madh të të punësuarve shqiptarë ka në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit – 91.05 për qind shqiptarë kundrejt 0.69 për qind maqedonas, derisa numër më të vogël të punësuarve shqiptarë, ose 4.35 për qind ka në Gjykatën Kushtetuese, në Bankën Popullore shqiptarët janë të përfaqësuar me 7.18 për qind, po aq të punësuar ka edhe të presidenti i shtetit me 7.14 për qind. Ndërkohë, në gjashtë institucione shtetërore nuk asnjë të punësuar shqiptarë, ashtu sikurse në Agjencinë për rregullimin e sektorit hekurudhor, Komisionin Shtetëror për Ankesa të furnizimeve publike, Agjencinë për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë, Agjencinë për Planifikim Hapësinor, Agjencia për Film, si dhe në Institutin për Standardizim të Republikës së Maqedonisë. Sipas institucioneve, numër më ta madh të të punësuarve shqiptarë ka te Avokati i Popullit, ku përfaqësimi i shqiptarëve arrin nivelin 40.91 për qind, në Parlamentin e Maqedonisë 25.18 për qind e të punësuarve janë shqiptarë, ndërsa nëpër ministri – përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve është 20.44 për qind. Shërbimet e Qeverisë mbahen larg shqiptarë. Konkretisht, përfaqësimi i shqiptarëve në këtë institucion është jo më shumë se 4.72 për qind. Në pyetjen se si është përfaqësimi i shqiptarëve sipas Marrëveshjes së Ohrit, ministrja Arsovska Tomovska tha se ndër vite, ky përfaqësim në ato institucione ku udhëheqin shqiptarët – përqindja e tejkalon 50 përqindëshin, ndërsa në përgjithësi – përqindja e shqiptarëve nga 10 për qind në vitin 2007 tani ka arritur 19.29 për qind. “Punësimet në bazë të Marrëveshjes së Ohrit vazhdimisht ndër vite po rriten dhe përfundimisht më muajin dhjetor – numri i shqiptarëve në institucionet ka arritur shifrën prej mbi 21 mijë të punësuar apo rreth 20 për qind. Ndërsa sa i përket administratorëve të cilët qëndrojnë në shtëpi dhe marrin rroga ndërsa ende nuk janë sistematizuar në vendet e tyre, ky numër është 1700. Pengesa e vetme që këta të punësuar ende nuk janë vendosur nëpër vendet e punës është për shkak se profili i këtyre personave nuk korrespondon me vendet e punës. Deri më tani, 1000 administratorëve u është caktuar vendi i punës dhe për këta persona duhet të gjendet hapësira teknike qe të mund të ushtrojnë detyrën e tyre. Kanë mbetur të caktohen detyrat edhe për 700 të tjerë dhe presim që më formimin e Qeverisë, përfundimisht të gjithë këta persona të sistematizohet në vendet e tyre të punës dhe kjo çështje të mbyllet përfundimisht”, tha ministrja Arsovska Tomovska. Në Raportin vjetor, për të punësuarit në sektorin publik gjithashtu thuhet se për periudhën 2007-2015, punësimet e shqiptarëve pothuajse janë dyfishuar nga 10.78 për qind në vitin 2007 në 12.76 për qind në vitin 2008, në 14.05 për qind në vitin 2009, 16.92 për qind në vitin 2010. Në vitin 2011 përfaqësimi i shqiptarëve arrin shifrën prej 17.2 për qind, 17.8 për qind në vitin 2012, 18.1 për qind në vitin 2013, 18.6 për qind në vitin 2014, në vitin 2015 – 18.8 për qind dhe përfundimisht me muajin dhjetor të vitit 2016, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore ka arritur shifrën prej 19.29 për qind. Njëherësh, në këtë raport vjetor për të punësuarit në sektorin publik nuk jepet struktura e 19.342 punësuarve në Armatë, Polici dhe në Drejtorinë për Zbulim dhe Kundërzbulim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.