Urojmë që Haraçina të del nga projektimet e ngushta partiake dhe të frymojë më shlirshëm me projekte zhvillimore që jo patjetër duhet të jenë produkt i ndonjë premtimi parazgjedhor që kënaq nevojat e një grupi të vogël njerëzish. Fundja askush nuk ua ka ndaluar edhe partive shqiptare të bëjnë ndonjë punë të hairit në zonat rurale, atje ku luhatshmëria politike ende matet me peshën e thesit të miellit
Nga Emin AZEMI
Kryeministri Zaev dje ishte në Haraçinë. Ai shoqërohej nga disa ministra të kabinetit të tij. Ishte edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Gjithë këta burra kishin shkuar për ta nderuar një zonjë, kryetaren e komunës së Haraçinës, e cila i kishte ftuar ata për të hedhur gurëthemelin e objektit të ri të Komunës, i cili do të financohet (260.000 euro) nga Bashkimi Evropian si pjesë e Programit për investime në Komunat Rurale. Siç u tha programi administrohet nga Banka Botërore ndërsa implementohet nga Ministria e Financave.
Në fjalën e tij, me këtë rast solemn, kryeministri Zaev tha se “Haraçina ka luajtur rol serioz në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë pasi të gjithë e pranojmë se kjo komunë bashkë me disa komuna tjera rurale ishin harruar në të kaluarën”. Ai u shpreh se duam të kemi jetë cilësore pa dallim nëse jetohet në komunat e qytetit apo ato rurale.
Ende nuk e dimë se çka do të ndikojë në “jetën cilësore” të banorëve ky objekt administrativ, kur dihet se komunat si godinë as prodhojnë diçka, as ndryshojnë ritmet e punës dhe biznesit në këtë rajon. Sigurisht që stafi i kryetares së Komunës do ta shijojë komforin dhe në të ardhmen nuk do të kenë nevojë të ndihen keq se po punojnë në një objekt të djersiut e rrëzbitur nga koha e pakujdesia. Kryeministri ka zgjedhur një rrugë të lehtë për t’i shpërblyer mbështetësit shqiptarë të partisë së tij, duke investu në objekte administrative, për çka edhe ka pasur nevojë, që përveç lojalitetit të ngushtë partiak nuk e dimë nëse do të prodhojë edhe ndonjë efekt më të gjerë për komunitetin. Kjo rrugë ka edhe efekt publicitare, teksa nxjerr në pah një fjalë të dhënë në fushatë parazgjedhore dhe tani, ku përpos në Haraçinë, duhet të përmbushet ajo fjalë për arsye se siç tha kryeministri “Haraçina ka luajtur rol serioz në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë”.
Nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, politikanët maqedonas ende perceptohen si faktorizues dominantë, pa të cilët nuk ngrohë dielli në oborret e varfra të shqiptarëve, sidomos kur një objekt komune bëhet simbol i “rrafshimit të dallimeve”, por me kusht që vota të shkojë për një parti që po “korrigjon” gjithçka që s’kanë mundur të bëjnë partitë shqiptare.
Në funksion të strategjisë për të zgjedhur gjoja midis shiut e breshrit, disa megafon dhe reprezentë të shoqërisë civile, që zakonisht flasin njëfarë gjuhe të unitarizmit të tejkaluar maqedonas, ua kanë imponuar votuesve shqiptarë edhe një alternativë që shkon përtej kampusit elektoral shqiptar, duke e prezantuar LSDM-në si ventilin e vetëm ku mund të shfryhen frustrimet dhe pakënaqësitë e shqiptarëve. Përpjekja për ta paraqitur shoqërinë shqiptare pa alternativë politike e civile, ndërkohë që ajo është prezente dhe shumë aktive, e bënë edhe më problematike marrëdhënien që mund të krijojë politika maqedonase me një pjesë të shqiptarëve, duke ua hequr atyre akrepat e orës politike. Nëse ndodhë kjo, atëherë tiktaku i kohëmatjes për një pjesë të shqiptarëve në të ardhmen mund të trokas në ndonjë sahatkullë të Strumicës a Vallandovës, ndërkohë që brirët e politikës shqiptare mund të thyejnë rekorde absurd të brendapërleshjes për do funksione që rehatojnë individë, por jo edhe shqiptarët. Këta të fundit kanë nevojë të faktorizohen përmes projekteve urbane, sociale, kulturore e ekonomike të përfaqësuesve legjitimë të tyre, e jo përmes sponzorizimeve jeniçere që impiantet parapolitike i paketojnë si “produkte vendore”, paçka se etiketat e tyre mund të jenë shtypur që moti në ofiqin.
Në defektet e këtij keq-drejtimi kanë shumë faj edhe forcat kryesore politike shqiptare, të cilat me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karakterit ndëretnik.
Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre. Gara për t’i nxjerrë syrin njeri tjetrit dhe vrapi për të siguruar sa më shumë vota në favor të partisë së Zaevit, i bënë një pjesë të shqiptarëve të Maqedonisë do fare kopje të zbehta të sanço-pançove pa brekë, të cilëve do t’ua kishte zili edhe Servantesi po të ishte gjallë. Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bën aparatçikët e caktuar të shoqërisë shqiptare edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard mbamendjeje sa për të dalluar sinqeritetin nga dallavera, interesin publik nga ai personal.
Urojmë që Haraçina të del nga projektimet e ngushta partiake dhe të frymojë më shlirshëm me projekte zhvillimore që jo patjetër duhet të jenë produkt i ndonjë premtimi parazgjedhor që kënaq nevojat e një grupi të vogël njerëzish. Fundja askush nuk ua ka ndaluar edhe partive shqiptare të bëjnë ndonjë punë të hairit në zonat rurale, atje ku luhatshmëria politike ende matet me peshën e thesit të miellit. (koha.mk)