Strugë, 24 dhjetor – Nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor” në Strugë, përmbyllën me sukses projektin me moton “Dituria nuk blihet me para”, shkruan gazeta KOHA. Klubi i gjuhës, i drejtuar nga profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Xhevrije Konjufca-Istrefi, realizuan një varg aktivitetesh gjatë gjithë muajit nëntor, me qëllim të pasurimit të bibliotekës së shkollës me tituj të rinj. Kjo iniciativë, siç thanë nxënësit, ishte e domosdoshme, pasi që atyre u mungonte libri. Një ndihmesë të madhe dhanë edhe donatorët, kryesisht biznese që ndihmuan në finalizimin e këtij projekti. “Klubi i nxënësve është falënderues ndaj të gjithë kontribuesve, të cilët e mbështetën këtë iniciativë. Edhe pse ky aktivitet rezultoi i suksesshëm, klubi i gjuhës shpreson që aktivitetet e tilla të shndërrohen në traditë”, thekson Vjosa Reçi nga klubi i nxënësve. Ndërkohë, aksione të kësaj natyre janë realizuar në vazhdimësi edhe nga nxënësit e Gjimnazit “Ibrahim Temo”, sepse biblioteka e shkollës është shumë e varfër me tituj, sidomos në drejtim të fondit në gjuhën shqipe, sepse ai maqedonas në vazhdimësi është shtuar si rezultat i kontributeve nga MASH dhe organizma të tjera. Kjo situatë nuk ka ndryshuar, pavarësisht që në vazhdimësi kjo problematikë është ngritur nga shkollat dhe nxënësit. Për shumë lexues shqiptar në Strugë Biblioteka e Qytetit që funksion në kuadër të Pallatit të Kulturës, nuk ofron një shumëllojshmëri titujsh në gjuhën shqipe, dhe ka mbetur me një fond që në pjesën më të madhe është trashëguar nga sistemi i kaluar. Kjo literaturë dhe këta tituj librash në shumicë janë të ngarkuar me ideologjizma të kohës, të cilat në këto kohë nuk janë më interesante dhe atraktive për lexuesin potencial, situatë e cila ka sjellë edhe largimin e lexuesve nga ky institucion. Por, është për të ardhur keq që edhe pas njëzetepesë vitesh në pluralizëm nuk janë marrë masa për pasurimin e Fondit e bibliotekës në gjuhën shqipe, i cili për disa herë është më i vogël se ai në gjuhën maqedonase. Biblioteka e qytetit disponon sallë leximi si dhe një fond librash që kalon mbi njëzet e pesë mijë tituj në gjuhën shqipe, tregon një nga të punësuarit në këtë bibliotekë. (P.L)