Përderisa ekzistencën e Izraelit që disa dekada e njohin disa shtetearabe, shqiptarët nuk mund të bëhen më arabë se arabët dhe ta mohojnë atë. Njëkohësisht shqiptarët nuk mund të bëhen më hebrenj se hebrenjtë dhe të dalin me mbështetje ndaj çdo veprimi të Izraelit kundër palestinezëve, sepse ka shumë hebrenj që ashpër e kritikojnë politikën ndaj palestinezëve
Nga Daut DAUTI
Sa gjë e vështirë është të shkruash për një konflikt që duket aq lehtë që ta drejtosh gishtin se kush ka të drejtë! Fjali e komplikuar për ta kuptuar, sepse në shikim të parë duket gjithçka e qartë?Nuk ka dilemë se si janë të ndara rolet aktualisht: palestinezët janë viktima të politikës agresive izraelite. Një konflikt midis të pabarabartëve, të një shteti me forcë ushtarake legale që forcën e përdor ku sipas konventave ndërkombëtare(kur është e rrezikuar), e ku duke i shpërfillur ato. Ndodh që për një viktimë izraelite, të pësojnë dhjetëra e qindra civilë palestinezë… Përherë në emër të mbrojtjes.
Logjika thotë që duhet të jesh nga i dobëti dhe nga i drejti. I dobëti tash është palestinezi në një geto të madhe shtetërore, në pothuajse një parashtet, që i forti nuk e le të zhvillohet, e të cilin vazhdimisht e rrëgjojnë me ndërtime lagjesh për hebrenj e prishje vendbanimesh palestineze në tokën ku të paktën ekziston pajtimi për shtetin palestinez, të okupuar me forcë kaherë, vihen mure të larta e rrethoja…e çka s’do të shpikin për ta “mbrojtur” shtetin izraelit… Të flasësh për këtë konflikt, i cili me absurdin e vet nuk përfill norma, është dhuna më e re që shpërtheu pas aksioneve në prag të festës së Fitër Bajramit në xhaminë AlAksa në Jerusalem, duke u përshkallëzuar në përmasa të pakuptimta të “këmbimit” të raketave e sulmeve ajrore midis Izraelit dhe Hamasit, ku disproprorcioni edhe i përdorimit të forcës edhe i viktimave, nuk dyshohet se është i kobshëm për palestinezët…
Sikundër që bota është e tmerruar në pamundësinë për të zgjidhur këtë konflikt, ashtu edhe ne shqiptarët nuk mund të rrimë pa bashkëndier me fatin e viktimës, por gjithë këtë e bëjmë disi të përmbajtur, për shkak të disa relacioneve që ndërkohë fituan peshë të madhe politike, siç është njohja e Kosovës nga Izraeli. Dhe këtu dalim te “konflikti” midis qasjesemotive(bashkendierja me viktimën por dhe për shkak të fesë) dhe asaj racionale(ndjekja e interesit shqiptar), dhe këtu çuditërisht gjërat duken anasjelltas! Interesi kombëtar, me një kontekst të çuditshëm, është në disfavor të qasjes emotive. Dhe debatet që po bëhen nuk janë pa këtë përzierje “ndjenjash”, pasi s’është se duhet të heshtësh para dhunës së “Të Fortit ndaj Të Dobëtit”, por kur e thua fjalën, është problem si të jesh aq i balancuar sa të mos e rrezikosh interesin kombëtar. Ndaj, çdo prishje e këtij balanci, duke absolutizuar njërën kundrejt tjetrës, ka gjasë ta huq cakun. Dhe këtu dallojnë për shembull debatet rreth këtij konflikti në Shqipëri, ku ka një qasje më të balancuar ose më realiste, se sa në Kosovë, kur njohja e Kosovës nga ana e Izraelit, inhibon debatin rreth të drejtës dhe bashkendierjes me viktimën, sepse të del argumenti i atyre që thonë “ç’kemi ne të përzihemi aty?”. Argumenti i tyre, që nuk është për t’u hedhur, lidhet pikërisht ka qëndrimin ndaj viktimës, sepse autoritetet palestineze në konfliktin shqiptaro-serb janë në anën e Fortit (Serbisë), edhe pse do të ishte më e logjikshme të ishte e kundërta, pikërisht duke pasur parasysh se ata janë në rolin e kosovarëve kundrejt Izraelit! Këtë kontekst edhe më të ndërlikuar për debat e bënë përkrahja e përhershme amerikane ndaj Izraelit, edhe pse ka pasur kryetarë amerikanë të cilët janë përpjekur të zgjidhin konfliktin me sa më shumë balancim, siç ishte Bill Klintoni.
Në anën tjetër të ndërlikueshmërisë së çdo analize është konteksti (para)“biblik” i kontestit izraelito-palestinez (kujtoni dramën e Nolit tonë, “Israilitë dhe filistinë”), ku një përpjekje supremacie të këtyre dy popujve në një territor që është djep i tri religjioneve abrahamike dhe civilizimeve, ka shkaktuar konflikte ndër shekuj. Shkaqet e këtij kontesti vazhdojnë “të jenë në veprim” në formë të rrezikut real apo të stërmadhuar i njërit popull nga tjetri. Rrënjët e fundit të këtij konflikti, që duket se kanë qenë pjesë e mungesës së vizionit, duhet të jetë reagimi palestinez dhe arab ndaj krijimit të shtetit të Izraelit në shtetin e Palestinë pas Luftës së Dytë Botërore. Një popull që tashmë kishte shtetin e vet, s’do të pranonte aq lehtë krijimin e një shteti tjetër në duke i marrë territor, por në anën tjetër, meqë ai shtet ishte për popullin fqinj që ka jetuar po në atë hapësira me mileniume, refuzimi ishte mohim i një të drejte historike. Duke mohuar këtë të drejtë dhe duke luftuar për ta penguar, kemi situatën e sotme absurde që palestinezët dhe arabët, ndërkohë të mundur ushtarakisht nga disa luftëra izraelito-arabe, me sa dëshirë do ta donin atë shtet palestinez të vitit 1947-48 që e kishin lëshuar prej dore! Dhe në thelbin e kontekstit, që shpesh e përdor Izraeli në masat “pacifikuese” të palestinezëve, qëndron fryma e kontestimeve përjashtuese historike, kur disa forca ekstremiste palestineze (Hamas…) por dhe të frymëzuar nga shtete tjera arabe, është mohimi ose mosnjohja e shtetit izraelit, shumë më tepër se sa për krijimin e shtetit funksional palestinez!
Një popull viktimë nëpër histori dhe një populli viktimë tash. Me absurdet e veta. Sepse pikërisht hebrenjtë që ishin viktima e pogromeve në shtetet e krishtera evropiane, strehim gjetën në Perandorinë Osmane(hebrenjtë sefardikë të dëbuar nga Spanja), e pikërisht nga fundi i kësaj perandorie, zuri fill lëvizja antiosmane për krijimin e shtetit izraelit, si shprehje bukëshkalësie ndaj të mirës që u ofroi Perandoria Osmane, e cila ishte në anën e Palestinës.
Pikërisht hebrenjtë ishin ata që dolën viktima nga Lufta e Dytë Botërore pas holokaustit që e organizoi Hitleri dhe krijimi i shtetit të Izraelit nga ana OKB-së ishte një shpërblim për vuajtjet e përjetuara dhe epilog i logjikshëm për jetësimin e një synimi shekullor, por falë mungesës së vizionit te arabët dhe vetë palestinezët, ngritjen e frikës nga zhdukja në nivel të politikave agresive ndaj palestinezëve, sot kemi absurdin tjetër, që ish-viktima krijon viktimë tjetër… I ndërlikuar kontesti historik, që nga periudha para islamit(që do të thotë se ai jo domosdo ka konotacion fetar), e ndërlikuar edhe e tashmja, e cila për fat të keq, epilogun e ka me një padrejtësi të madhe ndaj popullit palestinez, sepse shteti që e patën në vitet 1947-48, është shumë më i vogël se ky, për të cilin tashmë vetë janë pajtuar më pak, vetëm Izraeli t’i lë rehat! E ne, si shqiptarë, nuk duhet ta kemi vështirë që të jemi në anën e së drejtës e humanizmit dhe të jemi në anën e viktimës.
Në Facebook ka shumë shqiptarë që e shpërndajnë njëfarë harte të Palestinës në kuadër të së cilës është i përfshirë tëre territori i Izraelit. A është e saktë ajo hartë? Përderisa ekzistencën e Izraelit që disa dekada e njohin shtetet arabe Egjipti, Jordani, dhe së fundi u shtuan edhe 4 tjera, shqiptarët nuk mund të bëhen më arabë se arabët dhe ta mohojnë ekzistencën e tij. Njëkohësisht shqiptarët nuk guxojnë të bëhen më hebrenj se hebrenjtë dhe të dalin me mbështetje ndaj çdo veprimi të Izraelit kundër palestinezëve, sepse kanë për botë njerëz vetë janë hebrenj, por ashpërsisht e kritikojnë politikën shtetërore të Izraelit ndaj palestinezëve. Dhe nuk guxon të ekzistojë as tabuja e kritikave ndaj Izraelit përderisa Izraelin e ka quajtur shtet aparthejd jo më pak se ish-presidenti amerikan Xhimi Karter.
Në dallim nga arabët tjerë, te palestinezët shqiptarët mund ta gjejnë një karakteristikë të përbashkët: tolerancën ndërfetare. Si askund tjetër në botën arabe, palestinezët myslimanë dhe krishterë(shumë shqiptarë nuk e dinë që ekzistojnë palestinezë të krishterë!) janë së bashku në idealin e lirisë me shumë priftërinj palestinezë që janë shumë të zëshëm në kritikat ndaj okupimit izraelit dhe madje thërrasin në ruajtjen e xhamisë Al-Aksa!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)