Shkup, 15 shkurt – Mendimi se Bashkimi Evropian nuk duhet të përzihet në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni dominon krahasuar me mendimin se BE duhet të ndërmjetësojë në zgjidhjen e problemeve, shkruan gazeta KOHA. Rezultatet e anketës së Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Agjencisë PROSPEKT dhe TV TELMA, e cila me mbështetjen e USAID-it amerikan tregojnë se 52.8 për qind e të anketuarve janë shprehur se “BE është e nevojshme ta lë vet të zgjidhë krizën”, derisa 45.3 për qind kanë kërkuar që “BE më shumë të përzihet deri në zgjidhjen e krizës”, ndërsa 2 për qind kanë refuzuar të përgjigjen. Pyetja: “Cili është mendimi Juaj për rolin e BE-së në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni?” ka nxjerrë në shesh edhe ndasitë e mëdha sa i përket mendimit të shqiptarëve nga njëra anë, dhe maqedonasve nga ana tjetër për BE-në. 63 për qind e maqedonasve kanë kërkuar që BE të heq dorë nga ndërmjetësimi për zgjidhjen e krizës, ndërsa 76.5 e të anketuarve shqiptarë kanë kërkuar më shumë përfshirje të BE-së në këtë krizë. Në VMRO, 83.9 për qind janë kundër “përzirjes” së BE-së në krizën e brendshme të Maqedonisë, derisa 15.4 mendojnë se BE duhet të kyçet edhe më shumë në zgjidhjen e krizës. Ndryshe është te LSDM – 70.1 për qind e votuesve të partisë së Zaevit kërkojnë që BE të kyçet edhe më direkt, derisa 28.6 për qind mendojnë se BE nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të vendit. Nga partitë shqiptare, BDI ka përqindjen më të madhe të atyre që mendojnë se BE nuk duhet të përzihet në zgjidhjen e krizës – 28 për qind, derisa 71.9 për qind kërkojnë kyçje më direkte të BE-së. Votuesit e Aleancës për shqiptarët në 100 për qind mendojnë se BE duhet të kyçet në krizën e shtetit, derisa këtë përqindje te Lëvizja BESA e gjejmë me 91.4 për qind. Votuesit e PDSH-së që kërkojnë ndihmën e BE-së për zgjidhjen e krizës arrin në 87 për qind, derisa 13 duan që BE të mos përzihet. (koha.mk)