Laura PAPRANIKU
Shkup, 20 dhjetor – Propozim-ligji për arsimin e lartë edhe zyrtarisht ka hyrë në fazën e komentimeve on-line. Varianti i tij është tanimë i kapshëm edhe në vebfaqen e Regjistrit të Vetëm Nacional Elektronik të Akteve në Republikën e Maqedonisë (ENER) në “ener.gov.mk”, shkruan gazeta KOHA. Këtu, sikurse ishte paralajmëruar kohë më parë edhe nga vetë ministria e Arsimit, Renata Deskovska, të gjitha palët e interesuara mund të japin sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre për propozim-ligjin në fjalë. MASH-i ka marrë kohë më parë autorësinë e dy varianteve të propozim-ligjit, të cilat ishin punuar paraprakisht në drejtim të përpjekjeve për korrigjimin dhe përmirësimin e Ligjit të deritanishëm. Jozyrtarisht, thuhet se variantet paraprake të tekstit përfundimtar të propozim-ligjit, tanimë në debat publik kanë ardhur nga ish-Plenumi i Profesorëve (i pari) dhe nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Kirili dhe Metodi” të Shkupit (i dyti). Ky informacion, i siguruar nga burime të sigurta të gazetës KOHA brenda Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), mbështetet edhe nga argumenti se zyrtarisht nuk është formuar asnjë Komision për përgatitjen e tekstit të propozim-ligjit për arsim të lartë, sikurse veprohet zakonisht në rastet e ndryshimit dhe plotësimit, respektivisht të nxjerrjes së ligjeve dhe akteve tjera ligjore. Në të njëjtën kohë, ajo që dihet me saktësi është edhe fakti se institucionet e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, nuk kanë qenë fare të kyçura në procesin e përgatitjes së propozim-ligjit të arsimit të lartë. Për këtë u mbetet të japin mendimet e tyre në fazën e debatit publik, i cili do të jetë në forma të ndryshme dhe ku mund të inkuadrohet të gjithë, qoftë si subjekte juridike apo fizike. Komentet on-line në “ener.gov.mk” janë vetëm njëra prej këtyre formave, ndërsa do të jetë i mundur deri në datën 6 janar 2018.
Propozimet eventuale, vërejtjet dhe sugjerimet mund të dërgohen edhe në adresën elektronike “[email protected]” ose me shkrim në arkivin e MASH-it. Që në krye të radhës, propozim-ligji nënvizon përcaktimin për mbrojtjen e autonomisë universitare dhe lirisë akademike. Në nenin e parë, ku flitet për lëndën dhe rregullimin e tij thuhet se “Me këtë ligj rregullohet autonomia universitare dhe liria akademike, kushtet dhe procedura e nxjerrjes, ndryshimet statusore dhe pushim i institucioneve të arsimit të lartë, veprimtaria e tyre, sistemi i sigurimit dhe kontrollimit të cilësisë në arsimin e lartë, kushtet e organizimit,rregullimin, zhvillimin dhe financimin e veprimtarisë së arsimit të lartë, të drejtat dhe obligimet e studentëve, njohjen e kualifikimeve nga institucioneve arsimore të jashtme dhe mbikëqyrjen e punës së institucioneve të arsimit të lartë”. Në dispozitat bazë të propozim-ligjit, të përshkruara në nenin e tretë, autonomia universitare dhe liria akademikë kanë zënë gjithashtu vendim e parë. Veprimtaria e arsimit të lartë thuhet se bazohet në predispozitat vijuese si: 1. autonomia dhe liria akademike; 2. bashkimi i mësimit dhe kërkimit shkencor, respektivisht punës artistike. 3. hapja me publikun dhe qytetarët, 4. Jetësimi i vlerave humanitare dhe demokratike të traditës nacionale dhe evropian dhe trashëgimisë kulturore, e kështu me radhë deri te pika e njëmbëdhjetë për sigurimin e cilësisë dhe efikasitetit të studimeve. Në nenin e 7-të ku përcaktohet përmbajtja dhe ruajtja e autonomisë, mes tjerash thuhet se “autonomia e institucioneve të arsimit të lartë përfshin edhe përgjegjësisë e anëtarëve të bashkësisë akademike ndaj shoqërisë në ët cilën veprojë”, sikurse qëndron në pikën numër 3 apo se “autonomia e institucioneve të arsimit të lartë përshin lirinë akademike, autonominë e drejtimit, pa cënueshmërinë territoriale, autonominë financiare dhe paprekshmërinë e autonomisë” (pika 4). Ndërkaq, në nenin e 8-të dedikuar lirisë akademike, mes tjerash thuhet se e njëjta përshin “lirinë e shprehjes, përkujdesjen dhe nxitjen e mendimit kritik dhe vetëdijes te anëtarët e bashkësisë akademike”. (koha.mk)