SHQIPTARËT HABISIN EDHE AMERIKANËT. Rekord në kalimin e ilegal të kufirit, më shumë se sirianët e afganët

Të dhënat zyrtare nga roja kufitare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregojnë se shqiptarët mbajnë rekord për emigracionin e paligjshëm edhe në kontinentin e ri. Madje, sipas këtyre të dhënave, shqiptarët që kanë kaluar ilegalisht kufirin gjatë vitit të kaluar për në SHBA, janë më të shumtë në numër edhe se afganët, sirianët apo qytetarë të tjerë nga vendet në konflikt.

Rumunët janë ata që `shpëtojnë` shqiptarët nga të mbajturit e një tjetër rekordi europian në drejtim të emigrimit të paligjshëm, por kësaj here përtej kufijve të kontinentit të vjetër. Paçka se bëhet fjalë për vetëm 55 individë të pikasur dhe të deportuar nga roja kufitare amerikane gjatë 2017-ës, të dhënat tregojnë se jemi të dytët europianë në listën e zezë të autoriteteve amerikane.

Për rumunët shifra fiksohet në 450 emigrantë të paligjshëm. Ndërkohë, për vendet e tjera të rajonit, shifrat janë bindshëm më të ulëta, pasi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi bëhet fjalë për vetëm nga një rast, 2 në rastin e Kosovës, 9 në rastin e Maqedonisë dhe 3 në rastin e Bosnje Hercegovinës.

Por ndërkohë që shqiptarët janë pranë rekordit europian, të dhënat tregojnë se gjatë viteve të kaluara, shifrat kanë qenë më të mëdha. Për 2016-ën bëhet fjala për 113 individë, ndërkohë që rekordi është në 20 13-ën, me 311 të tillë. Shifra ka zbritur në 307 në 2014-ën dhe 41 në 2015.