Hapësira kulturore e ekonomike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është përtej kufijve artificial që i ka caktuar politika maqedonase e frymëzuar madje edhe nga elaboratet e vjetra serbe. Prandaj të mos mërzitemi shumë a po bëhet a jo grosha në Tetovë dhe duhani në Likovë, por të përqendrohemi se si do të jetë e ardhmja e shqiptarëve të Pellagonisë
Emin AZEMI
Shqiptarët e njësive administrative të Dollnenit, Krushevës, Prilepit, Manastirit, Prespës duhet ta kenë një përfaqësues të tyre të përhershëm në ekzekutivin e vendit. Kjo zonë në vazhdimësi ka qenë e lënë pas dore dhe të jesh shqiptar këtu nuk është lehtë. Kjo për arsye se këta shqiptarë kanë qenë të margjinalizuar në aspektin e përfaqësimit, sidomos në pushtetin qendror, prej ku edhe dirigjohen politikat zhvillimore.
Partitë shqiptare prej viteve nëntëdhjeta e deri sot nuk kanë arritur të sigurojnë një nivel më dinjitoz të jetës së banorëve të këtyre trevave. Për rrjedhojë, nxënësit shqiptarë nga Manastiri, Prilepi, Velesi, Krusheva me dekada kanë qenë të shtrënguar të vazhdojnë shkollimin e mesëm në Kërçovë, Strugë, Tetovë, Shkup e gjetiu, kurse kjo ka nxitur shpërnguljen gati masovike të shqiptarëve nga këto treva. Madje në vendbanime të caktuara nuk ka qenë i garantuar në gjuhën shqipe as shkollimi fillor (!).
Një shtet me zhvillim joproporcional ekonomik, kulturor e arsimor mund të shndërrohet në karantinë për ata që nuk arrijnë t’i gëzojnë frytet e të qenit banorë të kryeqendrës. Ndërkaq, problemi i shqiptarëve të Pellagonisë është i dyfishtë, sepse ata janë edhe larg politikave zhvillimore që i dirigjon qendra, por edhe larg resurseve kulturore e arsimore që i kanë rajonet tjera të shqiptarëve.
Një shqiptar nga Manastiri ndjehet totalisht i vetmuar dhe i errësuar në vendlindjen e tij për arsye se llamba e fokusimit ndodhet larg tij. Atje jeta kulturore dhe mbulimi mediatik ka rënë gati në pikën zero, kurse organizimi i intelektualëve të pakt është i hendikepuar, sepse ata nuk e kanë mbështetjen e duhur nga faktori shqiptar në pushtet. Në këtë qytet ndjehet njëfarë gjallërie vetëm gjatë Ditëve të Alfabetit dhe pastaj gjithçka bie nën e pushtetin e apatisë dhe përgjumjes institucionale.
Po të mos ishin, herë pas here, mediat që aktualizojnë ndonjë problematikë nga kjo zonë, njeriu fiton përshtypjen se kemi të bëjmë me ndonjë rajon të shkëputur diku në Alaskë apo në Zelandë të Re.
Në qeveritë e ardhshme të vendit duhet të ekzistojë një vend i rezervuar për ndonjë përfaqësues shqiptar që do të vinte nga rajoni i Pellagonisë. Ideja për të pasur këtë përfaqësues nuk është thjesht e karakterit vetëm burokratik e administrativ, por më tepër e karakterit psikologjik e zhvillimor. Ky përfaqësues shqiptar do të jetë çdo vikend në mesin e bashkëvendësve të tij në Manastir, Prilep, Resnjë e gjetiu. Prania e tij fizike atje do të jetë simbolika e pushtetit të munguar të shqiptarëve dhe kjo, në njërën anën, ndikon në vrasjen e inferioritetit të shqiptarëve në këto rrethe, dhe, në anën tjetër, ndikon edhe në nxitjen e një strategjie të re zhvillimore si në ekonomi, ashtu edhe në arsim e kulturë.
Të menaxhosh hallet e shqiptarëve të Pellagonisë nga Shkupi, por pa shkelur asnjëherë këmba e ndonjë zyrtari shqiptar në Manastir, Prilep, Resnje,Veles e gjetiu, (pos gjatë fushatave zgjedhore), është një mision gati i pamundur. Jo vetëm për shkak të specifikave që përshkojnë jetën e tyre të përditshme, por edhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të politikave maqedonase për ta integruar këtë hapësirë shqiptare në hartën e zhvillimit normal ekonomik, kulturor e arsimor, faktori politik shqiptar duhet të mendojë më seriozisht që tash e në të ardhmen ta ndryshojë strategjinë dhe qasjen ndaj këtij rajoni të madh të shqiptarëve.
Hapësira kulturore e ekonomike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (nga Kumanova në Strugë) është përtej kufijve artificial që i ka caktuar politika maqedonase e frymëzuar madje edhe nga elaboratet e vjetra serbe. Prandaj të mos mërzitemi shumë a po bëhet a jo grosha në Tetovë dhe duhani në Likovë, por të përqendrohemi se si do të jetë e ardhmja e shqiptarëve të Pellagonisë. Të projektosh të ardhmen e tyre me parametrat europiane e amerikane të zhvillimit proporcional të rajoneve, është në frymën e politikave integruese, për çka angazhohet (deklarativisht) edhe estabilishmenti politik në Shkup.