Në njërën anë avancohen kuadro maqedonase, edhe përkundër precedentëve të ndryshëm penalë të tyre në të kaluarën, kurse në anën tjetër, iu bëhen lloj-lloj pengesash kuadrove shqiptare të cilët, edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet, madje edhe përvojën e duhur të punës mbi 15 vjeçare, ata sërish mbeten jashtë kritereve ekskluzive që i ka caktuar ministri Spasovski dhe drejtori Dimovski
Nga Emin AZEMI
Të gjithë ata që kishin menduar se me ndërrimin e pushteteve, do të ndryshojnë edhe maniret e dyshimeve e mosbesimeve ndaj kuadrove shqiptare, ka të ngjarë që të mbeten të zhgënjyer. Pëshpëritjet publike për njëfarë diferencimi të brendshëm të kuadrove shqiptare që punojnë në institucionet e sigurisë, sidomos në shërbimet e ashtuquajtura sekrete të shtetit, mund të vërtetohen lehtësisht, për arsye se gjatë procesit të transformimit të DSK-së në Agjencinë Nacionale të Sigurisë (ANS), janë shpikur disa pengesa vetëm për një grup të caktuar kuadrosh, konkretisht shqiptarë. Ka zëra që thonë se këto pengesa madje fabrikohen vetëm e vetëm që kuadrot të cilët edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet, të njëjtit të mos mund të avancohen në ANS.
Sipas procedurave të parapara ky institucion i sigurisë brenda një afati të caktuar duhet ta kryej fazën e transformimit nga DSK në ANS dhe për këtë është caktuar edhe një komision amë i cili merret me seleksionimin, gjegjësisht me përzgjedhjen e kuadrove që do të kalojnë nga DSK në ANS. Mirëpo jo të gjithë kuadrot e kalojnë filtrin e këtij seleksionimi. Madje nuk mjaftojnë as 17 vite përvojë pune, që ndonjëri prej tyre të refuzohet dhe për rrjedhojë të bëhet shkak që edhe pjesëtarë tjerë të DSK-së të mos mund të transferohen në ANS.
Të punësuarit shqiptarë në DSK shprehen të pakënaqur nga kjo mënyrë arbitrare e seleksionimit të kuadrove, duke fajësuar me këtë rast drejtpërdrejt ministrin e Brendshëm, Spasovskin dhe drejtorin e DSK, Viktor Dimovski. Emërues i përbashkët i kësaj pakënaqësie rrok një gamë më të gjerë problemesh, por ata fokusohen në dy ekstreme: në njërën anë avancohen kuadro maqedonase, edhe përkundër precedentëve të ndryshëm penalë të tyre në të kaluarën, kurse në anën tjetër, iu bëhen lloj-lloj pengesash kuadrove shqiptare të cilët, edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet, madje edhe përvojën e duhur të punës mbi 15 vjeçare, ata sërish mbeten jashtë kritereve ekskluzive që i ka caktuar ministri Spasovski dhe drejtori Dimovski. Si duket këto kritere janë të rezervuara vetëm për kuadrot shqiptare, madje ka zëra që thonë se në këtë institucion ka kohë që manifestohet një dozë mosbesimi ndaj kuadrove me prejardhje nga Kosova.
Për ta hulumtuar më detajisht këtë fenomen dyshimi dhe mosbesimi ndaj kuadrove shqiptare, gazeta jonë shpejt do të del edhe me një hulumtim me të cilin do të bëhen publike të gjitha prapaskenat që e shoqërojnë këtë fenomen të çuditshëm.
Ajo që mbetet të vërtetohet me këtë hulumtim është se si është e mundur që në një institucion shtetëror siç është DSK, gjegjësisht ANS, të vlejnë standarde të dyfishta, sa i përket kritereve për avancim, duke shkelur me të dy këmbët kodeksin e punës profesionale kur janë në pyetje kuadrot shqiptare.
Gjithashtu ky hulumtim duhet të zbulojë edhe një mori shkeljesh që bëhen në këtë institucion shtetëror, ku jo rrallë ndodhë që të avancohen kuadro maqedonase të cilët në të kaluarën janë të dyshuar për përfshirje në afera të ndryshme që për opinionin publik janë të njohur si raste të montuara, siç është, bie fjala, ai i Sopotit dhe ndonjë tjetër. Ky i fundit madje ka mbetur i pambyllur në kuptimin zhdëmtimit, sepse shteti ende nuk ka paguar dëmshpërblim për të disa persona nga Sopoti që gabimisht vuajtën dënime disa vjeçare.
Një shtet në të cilën aplikohen metoda të deplasuara nga regjimet e kaluara, ku shqiptarët si me automatizëm vendosen nën thjerrëzën dyshimit dhe mosbesimit, pavetëdijshëm rekruton kundërshtarë të cilët çdo pushtet të ri e shohin në dioptrinë e po atyre regjimeve. (koha.mk)