Omer XHAFERI
Shkup, 27 shkurt – Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim i mungojnë kriteret e qarta dhe mirë të definuara që kanë të bëjnë me çështjen e vlerësimit të sigurisë dhe me shkallën e sigurisë. Ky është vlerësim i zëvendësministrit për Punë të Brendshme, Agim Nuhiu, i cili duke u përgjigjur në pyetjet për diskriminimin që ju bëhet nëpunësve shqiptarë, me mosdhënien e certifikatave të sigurisë, tha se këto probleme kanë ekzistuar në vazhdimësi dhe të njëjtat janë në zgjidhje e sipër.
Duke e komentuar rastin e fundit, me mos vazhdimin e certifikatat për sigurisë, të Enver Kurtishit dhe dy kolegëve të tij, të punësuar në Aeroportin e Shkupit, Nuhiu thotë se nuk e i përjashton paragjykimet dhe arbitraritetin nga punonjës dhe inspektor të caktuar të DSK-së. Puna të cilën e bëjnë këta inspektorë, sipas Nuhiut, përkundër faktit se duhet të bazohen në dispozitat e ligjeve përkatëse, atyre të rendit kushtetues, angazhimi i tyre duhet të mbështet edhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, gjegjësisht në dinjitetin njerëzor.
“Kur flasim për çështjen konkrete, me rastin e fundit në Aeroportin e Shkupit, gjatë mbledhjes së ditë së hënë, ne e kemi diskutuar edhe këtë çështje. Kështu që mund të them se ekziston dispononin për të vënë në binarë, jo vetëm këtë çështje, por edhe revidimin e të gjitha çështjeve tjera për të cilat ekzistojnë dyshime se janë vlerësuar në mënyrë arbitrare. Falë kuadrove profesionale në DSK, pavarësisht se a bëhet fjalë për shqiptar apo jo, ne po ia arrijmë qëllimit që këto gabime dhe lëshime t’i përmirësojmë. Kuptohet, me një angazhim plotësues. Për këtë arsye, në mbledhjen e ditës së hënë u vendos që shërbimet e DSK-së të propozojnë dhe të instalojnë një sistem, i cili në të ardhmen ‘gabimet’ e kësaj natyre nuk do t’i përsëritë. Të gjithë këto kandidatë të cilët janë refuzuar, DSK edhe njëherë, me secilin një nga një, do të zhvillojë bisedë zyrtare, me qëllim shqyrtimin e rrethanave dhe fakteve të cilat kjo drejtori i posedon në bazë të evidencës së saj, ndërsa janë fakte relevante për të vendosur në mënyrë meritore”, tha për KOHA zëvendësministri Nuhiu.
Dalja publike e nëpunësve shqiptarë të Aeroportit të Shkupit, të cilët akuzojnë për diskriminimin që u është bërë, i ka nxitur edhe nëpunësit tjerë shqiptarë të institucioneve shtetërore të tregojnë hallin e tyre e që lidhen me mos dhënien e certifikatave të sigurisë. Listës së personave të revoltuar me trajtimin dhe qasjen e DSK-së i janë shtuar edhe disa nëpunës shqiptarë të Ministrisë për Punë të Jashtme. Kësisoj, ata shprehen se edhe pse me 10 vite përvojë pune, së fundmi kërkesat për certifikatat e sigurisë ju refuzohen, madje pa u dhënë sqarime për se pse miratohet një vendim i tillë.
Numri dy i policisë së shtetit, Agim Nuhiu, për gazetën KOHA mes tjerash ju bëri thirrje të gjithë punonjësve apo qytetarëve, të cilat vlerësojnë se u është bërë padrejtësi nga ana e DSK-së t’i drejtohen personalisht atij, me të vetmin qëllim kyçjen në procesin e rishqyrtimit të vendimeve për refuzim të certifikatave të sigurisë.
Ndryshe, përgjatë kohës kur zëvendësministri Nuhiu deklaron se rasti i fundit në Aeroportin e Shkupit, do të shqyrtohet në mënyrë shtesë, nga Drejtoria për Sigurimin e të dhënave të klasifikuara (DSTK), njoftojnë se për Enver Kurtishin dhe kolegët e tij, nuk është kërkuar inicim i procedurës për ndarjen e certifikatat të sigurisë për qasje deri te të dhënat e klasifikuara.
“Në evidencën e bazës së të dhënave të Drejtorisë për sigurimin e të dhënave të klasifikuara, nuk figuron se Aeroporti i Shkupit ka ngritur procedurë për ndarjen e certifikatave të sigurisë për qasjen deri te të dhënat e klasifikuara, për punonjësit e tyre”, thonë nga DSTK.
Me problemet dhe sfidat kësaj natyre, krahas nëpunësve shqiptarë në institucionet e apostrofuara, gjatë viteve të kaluara janë ballafaquar edhe deputetët. Lidhur me këtë çështje, zëvendësministri Nuhiu tha se të gjithë deputetët, të cilëve u nevojiten certifikatat e sigurisë për realizimin e aktiviteteve ditore, të njëjtëve u janë ndarë tashmë. Në ndërkohë, hesht edhe Aeroporti i Shkupit, zyrtarët e së cilës gazetës KOHA i kanë siguruar se sot (e martë) do të japin sqarime konkrete se çfarë po ndodhë me nëpunësit shqiptarë. (koha.mk)