Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005
Nga Emin AZEMI
Shkup, 13 gusht – Marrëveshja e Ohrit sot shënon 17 vjetorin e nënshkrimit. Më 13 gusht para 17 viteve me nënshkrimin ishte pikërisht kjo marrëveshje që i dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001. Dokumentin, pas negociatave disaditore në Ohër, në Shkup e kanë nënshkruar presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski dhe liderët e PDSH-së, Arbën Xhaferi, PPD-së Imer Imeri dhe i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Në cilësi të garantuesve, dukomentin, i cili është i njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, e kanë nëshkruar edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
Në frymën e Marrëveshjes së Ohrit janë miratuar viteve të fundit më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime të ligjeve, prej të cilave pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskrimimin dhe përfaqësiumin e drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.
Por, ajo që nuk arriti ta tejkalojë Marrëveshja e Ohrit, është trajtimi i shqiptarëve jo si etni, por si shifër, gjë që ka motivuar shumë pakënaqësi në qarqe të ndryshme intelektuale e qyetare.
Shtatëmbëdhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument ky që për kohën kur u miratua, u konsiderua si ‘zbulim’ që do të rregullonte të gjitha kontradiktat etnike, sociale e politike në shoqëritë multietnike.
POLTIKANËT VETË E KANË OBSTRUUAR IMPLEMENTIMIN E MO
Parimet themelore të kësaj Marrëveshje ishin 4: Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht; Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.
Mbi Marrëveshjen e Ohrit janë organizuar dhjetëra konferenca e shumë projekte dhe nga individë, institucione e faktorë të ndryshëm janë dhënë vlerësime të ndryshme mbi ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshje. Por, emërues i përbashkët i të gjitha këtyre vlerësimeve ka qenë konstatimi se MO ka pësuar ngecje në segmente të caktuara dhe jo rrallë obstruimi i mos implementimit të saj ka ardhur nga vetë politikanët.
Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005.
Vonesat që sollën mosimplementimin me kohë të kësaj marrëveshjeje kanë mjaftuar të frustrojnë shumë njerëz, por të shfaqin edhe ide e alternativa konkurruese në “tregun” e ideve politike. Ka shumë arsye të kërkohet llogari nga ata që e kanë vonuar procesin e implementimit të MO, qofshin ata në pushtetin aktual, apo pararendës. Emërues i përbashkët i të gjithë vonuesve të këtij procesi ka qenë obstruimi i afateve duke luajtur lojë jo të sinqertë në mes të partnerëve të koalicionit.
MARRËVESHJA E OHRIT NUK ËSHTË LIBËR
Askush nuk ka ekskluzivitet dhe autorësi personale mbi Marrëveshjen e Ohrit për ta konsideruar atë si dokument partiak rreth të cilit duhet domosdoshmërisht të lidhen koalicionet brendashqiptare. Fundja, koalicionet nuk kanë gjithmonë për bazë aspektin ideologjik e doktrinar, sa e kanë dimensionin praktik të implementimit të një procesi të caktuar politik brenda një afati të caktuar kohor. Pikërisht pse mungoi një koalicion më i gjerë i forcave politike shqiptare pati edhe vonesë në implementimin e MO.
Pastaj, nëse ka oferta të ndryshme politike, të cilat jo gjithmonë duhet kuptuar si zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, por vazhdim i këtij procesi, atëherë nuk na duket e tepërt që pikërisht për këto oferta të ketë bashkëpunim brendashqiptar. Të trumbetosh gjatë gjithë kohës se Marrëveshja e Ohrit është zeniti i kualitetit dhe kuantitetit të politikbërjes së shqiptarëve, në njërën anë, dhe të refuzosh të bashkëpunosh mbi bazat e një diversiteti normal idesh e strategjish politike, në anën tjetër, fsheh brenda vetes tendencën e ngurtësismit të veprimit politik për qëllime shumë speciale dhe në favor të pazareve jotransparente me faktorët politik maqedonas.
Marrëveshja e Ohrit nuk është libër i shenjt dhe shumë më pak janë të shenjtë ata që e (keq)përdorin atë për të bllokuar bashkëpunimin dhe bashkërendimin brendashqiptar.
Por, mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit, është viktimë e marrëveshjeve interne të liderëve maqedonas dhe shqiptar.
A ËSHTË MARRËVESHJA E OHRIT MODEL PËR TË TJERËT?
Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë. Nëse Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet si një dokument që arriti të neutralizoj plasaritjet e mëtejme ndëretnike, pas një konflikti dramatik në v. 2001, ky nuk është kurrfarë argumenti për të shpikur një fjalor të posaçëm politik i cili do të shpjegonte ekskluzivitetin e këtij dokumenti gjoja të pakrahasueshëm në arealin e konfigurimeve shumetnike.
Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, bie fjala, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.
Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se serbët në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale.
Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.
Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin nuk po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli shumetnik i Pakos së Ahtisarit. Përkundrazi, ky model në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i kishte të garantuara 20 vende në parlament.
Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër – Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi.
Jofunksionalitet në Kosovë erdhi edhe për shkak të standardeve të dyfishta që përdori bashkësia ndërkombëtare , e cila ndryshe e trajtonte Kosovën me shqiptarë, e ndryshe Kosovën ku shqiptarët nuk guxonin të shkelnin me këmbë (veriu i Mitrovicës). Kjo qasje ndërkombëtare ( sidomos disa segmente të EULEX – it dhe më herët të UNMIK-ut) bëri që roli i Serbisë në Kosovë të fuqizohet dhe të merr atributet e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në administrimin e Kosovës (rasti i strukturave paralele në veri të Mitrovicës).
Lejimi blanko i Serbisë të kontrollojë adiministrativisht (madje edhe në aspektin e sigurisë) veriun e Mitrovicës, nuk paraqet asgjë tjetër, pos leje për të hapur Serbia në Kosovë minibursa që do të vinin në ankand tokat e Kosovës.
Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.
Fryma e Marrëveshjes së Ohrit është ende aktuale, por me një kusht që mbindërtimet e ardhshme jurdike e politike të flakin nga përdorimi terma që ngushtojnë kuptimin e statusit të njëmendët të shqiptarëve. Fundja, shqiptarët kanë vijimësinë dhe mvetësinë e tyre etnike e historike dhe është e pakuptimtë që ata edhe në të ardhmen të trajtohen si shifër. (koha.mk)