Në hulumtimin e ri i realizuar nga Forumi Rinor Arsimor dhe i mbështetur nga Qeveria Britanike, është vërejtur një dallim i madh në mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas, sa i përket ecurisë së vendit, perspektivës evropiane dhe ardhmërisë së tyre
Zenel MIFTARI
Shkup, 22 dhjetor – Forumi Rinor Arsimor ka prezantuar hulumtimin e radhës “Apatia, optimizmi ose zhgënjimi”. Hulumtimi në fjalë ka pasur në fokus qëndrimet e të rinjve, përmes pyetjeve se si ata e shikojnë të ardhmen e vendit të tyre në shoqëri, si dhe perspektivën evropiane dhe shumë pyetje të tjera, shkruan gazeta KOHA.
Sipas këtij hulumtimi të rinjtë nuk janë të informuar dhe të interesuar për ngjarjet politike në vend, ndonëse ata sërish thonë se gjithmonë votojnë në zgjedhje. Ata aspak nuk janë të kënaqur se si trajtohen nga qeveria, por megjithatë kanë besim se gjendja do të ndryshoj vetëm nëse vendi bëhet anëtar i BE-së. Hulumtimi në fjalë ka përfshirë të gjithë tetë rajonet e vendit dhe në të kanë marrë pjesë moshat e të rinjve nga 15 vjeç deri në 35 vjeç. Në baza etnike, pjesëmarrësit në hulumtim ishin 71.6% maqedonas, 24.3% shqiptarë dhe 4.1% nga grupet tjera etnike.
SHQIPTARËT MË OPTIMIST SE MAQEDONASIT
Pyetjes se “Nëse flasim përgjithësisht, a është duke ecur Maqedonia e Veriut, në rrugë të drejt apo të gabuar”, nga pjesëmarrësit në hulumtim 31% e të tyre besojnë se gjërat janë duke ecur në rrugën të drejtë, ndërsa 24% kanë thënë se jemi duke ecur në rrugë të gabuar, 39% të tjerë janë përgjigjur as në rrugë të gabuar dhe as në rrugë të drejtë dhe 6% kanë refuzuar të përgjigjen në këtë pyetje. Në këtë aspekt ka një dallim të madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve, 63% e të rinjve shqiptarë janë përgjigjur se vendi është duke ecur në rrugë të drejt, ndërsa vetëm 20% nga maqedonasit besojnë se vendi është duke ecur në rrugë të drejt.
Një pyetje tjetër e këtij hulumtimi ishte se “Sa jeni të kënaqur personalisht me vendin tuaj në shoqëri”, një nga tre të rinj ndjehen të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri, por vetëm 3% e të rinjve ndjehen plotësisht të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri. Ndërsa 63% janë të pa kënaqur me vendin e tyre në shoqëri, prej tyre 21% janë plotësisht të pa kënaqur. Në këtë aspekt ka dallim të madh mes të rinjve me një buxhet të lartë familjar dhe ata me buxhet të ulët familjar.
GJYSMA E TË RINJVE, TË PASIGURT PËR TË ARDHMEN E TYRE
Sa i përket perspektivës së tyre për të ardhmen, më shumë se gjysma e të rinjve ndihen të pasigurt kur ata mendojnë për të ardhmen e tyre. Sa i përket sigurisë për të ardhmen, 57% e të rinjve ndihen plotësisht të pasigurt, kurse 29 % ndihen pak të sigurt dhe 10% – plotësisht të sigurt. Objekt i këtij hulumtimi ishte edhe perspektiva evropiane. 28% e të rinjve mendojnë se nuk do të bëhemi pjesë e BE-së dhe 12% të tjerë nuk janë të sigurt në këtë pyetje. Edhe në këtë pyetje kemi një dallim të madh mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Në këtë pyetje 93% e të rinjve shqiptarë besojnë se vendi do të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa vetëm 47% e të rinjve maqedonas besojnë se vendi i tyre do të bëhet pjesë e BE-së. Për këtë hendek të madh dallimesh mes të dy etnive më të mëdha në vend mund të shpjegohet në bazë të zhvillimeve të fundit politike në vend si ndryshimi i emrit të shtetit dhe marrëveshja me Bulgarinë. Pyetja e dytë për perspektivën evropiane ishte se kur mendoni se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e BE-së, 69% e të rinjve mendojnë se në 5vite të ardhshme do të jemi pjesë e BE-së, 24% e tyre mendojnë se do të anëtarësohemi mes viteve 2026-2030, ndërsa 4% mendojnë se pas 10 viteve mund të anëtarësohemi në BE.
Më shumë se gjysma e të rinjve në sondazh treguan një qëllim për t’u larguar nga vendi. Ky konstatim gjithashtu vërteton në mënyrë të vazhdueshme disa studime tjera të cilat janë përqendruara te të rinjtë, ku përqindja gjithashtu lëviz mes 50% dhe 60%. Gjithsej rreth 59% e të rinjve, pyetjes se a do të largoheni nëse do të kishit mundësi, janë përgjigjur PO, ndërsa 30% kanë thënë se nuk do të largohen nga vendi edhe në qoftë se do t’ju jepet mundësia për ta lëshuar vendin, ndërsa pjesa tjetër 10% kanë thënë se nuk janë të sigurt. (koha.mk)