“Shengeni Ballkanik”, nëse nuk rrëzon kufijtë dhe sjell lëvizje të lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave, me ato kalimet me letërnjoftime në kufij real e fizik, s’është gjë. Por, a e nxisin dot shqiptarët këtë ide? Dhe jo vetëm aq, por edhe të jenë bartës dhe zbatues të hapjes së madhe të Ballkanit Perëndimor, por paralelisht edhe me përgjegjësitë ndaj shteteve të tjera. Ose për ta thënë më troç: Të bëjnë një proces evropian që s’ka të bëjë me ndërtimin e shteteve të mëdha, por të sjellin një realitet të ri hapjeje e zhvillimi?
Nga Nazim RASHIDI
Një takim është iniciuar në Tiranë mes përfaqësuesve politik shqiptar të gjithë rajonit.
Në fakt është konferencë që mban titullin “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit perëndimor”.
Nuk dihet ende se kush do të marrë pjesë dhe kush çfarë vizioni do të shfaqë.
Konferenca është e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punëve të Jashtme dhe presupozohet se do të ketë nivel të lartë përfaqësimi politik nga gjithë përfaqësuesit e Ballkanit perëndimor.
E përmend këtë fakt, sepse prej kohësh mundohem të artikuloj një mendim, madje edhe shpesh është në diskutimet tona mes miqsh, se a ka një vizion të ri të shqiptarëve për të ardhmen e afërt dhe të mesmen?
Kjo pyetje po merr rëndësi edhe për shkak se bota vetë dhe sidomos gjeopolitika po merr forma të tjera, por edhe për shkak se po lëkunden sado pak apo shumë, vizionet e integrimeve ashtu siç ishin parashikuar deri më tani.
Nisma fillimisht nuk duhet parë fare si një përpjekje nacionaliste, siç mund të interpretohet në shikim të parë.
E para fare të gjithë, e sidomos fqinjët, duhet ta pranojnë më me qetësi faktin se shqiptarët në rajon do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe nga frikëra, siç kanë qenë në të kaluarën, kjo do të duhet të shihet si përparësi.
Rajoni është më i qëndrueshëm dhe më i qetë, pikërisht sepse shqiptarët janë më në paqe me realitetin që sollën periudhat e pas luftërave në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000.
Prezenca e tyre nuk është më vetëm në hapësirat gjeografike të Ballkanit Perëndimor, por edhe tejet e konsiderueshme dhe institucionale.
Kosova është shtet (aq sa është i njohur ndërkombëtarisht), por me institucione që drejtohen nga shqiptarët.
Në Maqedoninë e Veriut, prezenca shqiptare në institucione është e pranishme që nga nivelet më të larta të shtetit e deri tek zyrtarët më të ulët të administratës (kjo nuk do të thotë se ka përfunduar plotësisht përfaqësimi i drejtë). Gjithashtu ka një prezencë institucionale në administratat qendrore e lokale në Mal të zi.
Vetëm listimi i këtij realiteti sjell një moment të ri analize, që askush deri më tani se ka bërë.
E para, çfarë dinamike mund të sjellë ky moment që do t’i shërbejë të gjithëve në rajon?
Dhe tjetra, si mund ky moment i ri në historinë e zhvillimit shqiptar të shndërrohet në një kapital rajonal?
Do ta përsëris sërish, momentet e tilla të analizës nuk duhen parë asnjëherë nga prizmi i frikave të rajonit për destabilizim të tij. Është një moment i ri ky dhe duhet analizuar hapur nga të gjithë, pa komplekset e të kaluarës dhe pa frikë nga e ardhmja, por e cila në kontekstet zhvillimore dhe integruese do të duhet të përfshijë zhvillim të përbashkët. Sepse veç prezencës më të madhe në institucionet e shteteve të rajonit, shqiptarët, po nëpërmjet institucioneve të shteteve ballkanike, janë, ose do të jenë së shpejti pjesë e NATO-s. Të jesh pjesë e kësaj aleance një herë sjell detyrime, por pastaj psikologjikisht edhe qetësi gjeopolitike.
Pra Maqedonia dhe Shqipëria, si aleate nuk ka se si të hynë në konflikte. Tjetra, ato duke qenë pjesë e kësaj strukture do të ndajnë shumë informacione. E gjitha do të kanalizohet, ose do të duhej të kanalizohet në një besim më të madh të ndërsjellë.
E tani me gjithë shqiptarët pjesë e shteteve, a nuk do të duhej të kishte një impuls e zhvillim më të madh të përbashkët?
Sigurisht që në këtë drejtim do të duhej të ndikonte edhe rruga e përgatitjes për të qenë pjesë e BE-së, pavarësisht hutisë që solli Franca, pak kohë më parë.
Nuk e di nëse kjo konferencë do të japë përgjigje të tilla.
Nuk e di as edhe nëse e ka si synim këtë.
Por e vërteta është se pas plotësimit të aspiratave të shqiptarëve, që kishin rënë në një konsensus në gjithë rajonin, se NATO dhe BE është vizioni i shqiptarëve që i qetëson ata dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, tani pyetja duhet bërë çfarë më tej?
Si duhet parë ky realitet tashmë?
Unë dhashë mendimin tim për “Shengenin ballkanik”, i cili nëse nuk rrëzon kufijtë dhe sjell lëvizje të lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave, ato kalimet me letërnjoftime në kufij real e fizik s’janë gjë.
Por, a e nxisin dot shqiptarët këtë ide? Dhe jo vetëm aq, por edhe të jenë bartës dhe zbatues të hapjes së madhe të Ballkanit Perëndimor, por paralelisht edhe me përgjegjësitë ndaj shteteve të tjera. Ose për ta thënë më troç: Të bëjnë një proces evropian që s’ka të bëjë me ndërtimin e shteteve të mëdha, por të sjellin një realitet të ri hapjeje e zhvillimi?
E këtu lindin dilemat.
Për mua në teori, kjo është e bëshme. E para për shkak të NATO-s. Tre shtete anëtare, Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Veriut (Maqedonia e veriut do jetë pjesë e saj shumë shpejt), janë një garanci sigurie për ekzistencën e shteteve. Vetëm kjo, duke mos përmend BE-në, krijon qetësinë për hapjen e Ballkanit Perëndimor, por nxitur nga shqiptarët.
Por dilema është tek kapacitetet e klasës politike.
Pa dashur të tingëlloj cinik. E para, dilema shfaqet për shkak të antagonizmave të theksuar mes liderëve shqiptarë në rajon. Shpesh njohjet dhe preferencat personale mes tyre, ndikojnë në komunikimet zyrtare mes tyre. Kjo shihet që nga urimet formale kur fiton dikush në zgjedhje. Tjetra, nëse ata realisht janë në gjendje të shohin përtej, të mendojnë strategjikisht, e të krijojnë vizionin e të ardhmes. Nuk e di nëse dalin dot nga vorbullat e përditshmërive të tyre që lidhen shpesh me keqqeverisjen. E nga ana tjetër, në asnjë mënyrë, nismat e tilla e diskutimet e tilla, për politika të mëdha, nuk duhet t’ju japin alibi për dështimet në qeverisje. Sepse politikat e mëdha më nuk kalojnë pa rritjen e standardeve bazike të mirëqenies së njerëzve.
Nuk e di nëse konferenca në Tiranë do të japë përgjigje të pyetjeve të tilla. Me gjasë jo, sepse është dhe e para. Por një gjë është e sigurt, analiza më shkencore, më thelbësore e më institucionale duhen bërë tashmë, se si e ku e shohin veten shqiptarët, mes veti dhe në raport me rajonin.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)