Megjithëse theksoi se absolutisht është e drejtë në nivel kombëtar se si do të rregullohet çështja për letërnjoftimet, kryeministri Zoran Zaev indirekt u tërhoq nga mbështetja e propozimit të Lëvizjes BESA që në letërnjoftime, të shkruajë etnia në grafë të posaçme
Shkup, 21 shkurt – Për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç është Maqedonia e Veriut, imperativ është harmonizimi i legjislacionit të brendshëm me rregulloren evropiane kur bëhet fjalë për letërnjoftimet. Qeveria paralajmëron monitorimin e të gjitha vendimeve dhe rregulloreve evropiane në lidhje me letërnjoftimet, derisa opozita mbetet në qëndrimin që qytetarët mund të deklarojnë nëse duan që në letërnjoftimin e tyre të qëndrojë edhe përkatësia etnike. Për Komitetin e Hesinkit, vendosja e një kolonë për përkatësinë etnike në dokumentin për identifikim e minon identitetin qytetar. Kështu, duket se propozim-ligji i Lëvizjes BESA që etnia të figurojë në letërnjoftime, nuk do të kalojë në Parlament. Kjo, pas kundërshtimit me “marifet” edhe të ambasadorit të BE-së, Dejvid Gir.
Ditë më parë, Gir porositi se aktualisht – në BE çështja e letërnjoftimeve rregullohet në nivelin e legjislacionit kombëtar të vendeve anëtare, por në gusht 2021 – në Union do të hyjë në fuqi Rregullorja e përgjithshme e të dhënave, sipas së cilës – ndalohet procedimi i informacioneve siç është përkatësia etnike dhe religjioze si dhe elemente tjera. Gir theksoi se Maqedonia e Veriut është në proces të harmonizimit të legjislacionit të saj me standardet e BE-së dhe ka progres të mirë në këtë, ndërsa pasi të fillojnë negociatat, fokusi do të jetë në të gjitha detajet në harmonizim me legjislacionin kombëtar me rregullat dhe standardet e BE-së dhe do të jetë veçmas me rëndësi dy legjislaturat të jenë të harmonizuara.
Në ndërkohë, megjithëse theksoi se absolutisht është e drejtë në nivel kombëtar se si do të rregullohet çështja për letërnjoftimet, kryeministri Zoran Zaev indirekt u tërhoq nga mbështetja e propozimit të Lëvizjes BESA që në letërnjoftime, të shkruajë etnia në grafë të posaçme. “Më vjen mirë që edhe partia më e madhe opozitare dhe partitë e tjera politike janë në linjë të së drejtës së përcaktimit, që qytetarët të deklarohen nëse duan në letërnjoftimet e tyre të kenë edhe përcaktimin etnik. Por, si vend kandidat për anëtarësim në BE, imperativ çdoherë është harmonizimi i legjislacionit vendor me rregulloren evropiane”, ka deklaruar Zaevi. Sipas tij, pasi vendi dëshiron të jetë anëtare e BE-së, “në fund do t’i ndjekim vendimet dhe rregulloret evropiane”. Kryeministri ka shtuar se në muajin gusht ose tetor, kur edhe të fillojë BE të debatojë për këtë çështje edhe ne do të përfshihemi.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje përsëriti se në letërnjoftimet “nuk do të kemi maqedonas”, sepse siç u shpreh ai, “Zoran Zaevi e fshiu atë”. “Zoran Zaev krijon një komb të ri që duhet të jetë qytetar maqedonas i vendit me mbiemrin e ri”, tha Mickoski. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, nga ana tjetër, beson se futja vendosja e një kolonë për përkatësinë etnike në letërnjoftim e ripërcakton kuptimin e dokumentit me atë që e minon identitetin qytetar për kurriz të etnisë dhe e sfidon integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, pasi asnjë vend anëtarë në Union nuk ka vendosur një praktikë të tillë. Mbi 1300 amendamente kundër propozim-ligjit të BESËS kanë dorëzuar dy deputetët e partisë “E Majta”, ndërsa edhe partnerë të koalicionit të LSDM-së, janë kundër etnisë në letërnjoftime. (koha.mk)