Evis HALILI
Shkup, 10 maj – Nëse numri i të huajve që frekuentojnë Maqedoninë është në rritje, jo gjithmonë destinacioni i tyre janë vendet turistike. Arsyet që i sjellin pjesën më të madhe të tyre lidhet me kurimin në qendra spitalore, si edhe për të vizituar të afërmit e tyre, ndërsa në një numër më të vogël, pasojnë vizitat për turizëm, profesionale dhe afariste dhe në një përqindje më të vogël janë ato që lidhen me ndjekjen e ngjarjeve dhe manifestimeve religjioze, shkruan gazeta KOHA. Sipas një ankete të kryer nga Enti i Statistikave vizitat që kryhen për arsye shëndetësore janë më shumë nga fqinjët: Greqia, Kosova dhe Shqipëria. Madje, kjo kategori është ajo që shpenzon më shumë gjatë qëndrimit disa ditor në Maqedoni, krahasuar me koston e përgjithshme të shpenzimeve që bëjnë të huajt për të vizituar qendra rekreacioni, për të marrë pjesë në konferenca e të tjera. Nëse një italian, slloven apo amerikan nuk do të preferonte që të kurohej në qendrat shëndetit në Maqedoni – shqiptarë, grekë, apo francezë kanë tjetër mendim. Vizitorët nga Greqia dhe Kosova harxhojnë në sasi të njëjtë për shërbimet mjekësore që marrin. Në totalin e shpenzimeve që bëjnë shtetasit nga Kosova vërehet se ata shpenzojnë më shumë nga gjithë të tjerët në kategorinë kulturë dhe rekreacion, për dallim nga grekët që shpenzojnë shumë pak. Në përgjithësi mund të shihet se të huajt pjesën më të madhe të të hollave i japin, treçerekun e shpenzimeve, për akomodim dhe ushqim, në objekte hotelerike dhe gastronomike dhe as 4 për qind për kulturë dhe zbavitje. Çfarë i pëlqen më shumë? Mikpritja dhe lokalitetet arkeologjike. Këto zëra kanë marrë vlerësimin më të madh nga të huajt. Më të zhgënjyer janë nga higjiena publike, infrastruktura rrugore, siguria. Si të mira janë edhe bukuritë natyrore, ushqimi dhe shërbimi në restorante, higjiena në plazhe, jeta e natës, apo shërbimet mjekësore.
Për shembull, vizitorët nga Shqipëria në Maqedoni vlerësojnë maksimalisht akomodimin, resurset arkeologjike dhe historike dhe më pak shërbimet në aeroport, apo jetën e natës. Ndërsa shtetasit nga Kosova, në bazë të vlerësimeve të dhëna, shihet se Maqedonia është një atraksion i preferuar turistik. Ata pëlqejnë më shumë akomodimin dhe shërbimet shëndetësore, sigurinë, ushqimin, ndërsa të pakënaqur janë me objektet në plazhe. Serbët, përcjell KOHA, kanë më shumë vërejtje për higjienën publike, si edhe për objektet nëpër plazhe dhe rrugët. Për italianët në nivelin mesatar konsiderohet ushqimi, jeta e natës, rrugët apo shërbimet mjekësore, ndërsa për francezët më pak të vlerësuara janë restorantet, plazhet dhe infrastruktura rrugore. Britanikët dhe amerikanët po ashtu e vlerësojnë si mesatare sigurinë në vend, ndërsa mikpritja e vendësve i impresionon më shumë austriakët, gjermanët, shqiptarët, apo kroatët. Ndërsa turqit, përveç mikpritjes në Maqedoni vlerësojnë fjetjen dhe ushqimin, si edhe lokalitetet arkeologjike dhe historike. Nga jeta e natës më pak të impresionuar janë italianët, britanikët, belgët, rumunët e kosovarët. Sipas të dhënave zyrtare numri i turistëve në Maqedoni nisi të rritej, duke arritur kulminacionin, sidomos pas nisjes së megaprojektit “Shkupi 2014”, duke e shndërruar kështu kryeqytetin në atraksionin dhe destinacionin kryesor të të huajve. Numri më i madh i të huajve janë nga Greqia, Turqia, Kosova, e të tjera, ndërsa periudhat më të vizituara janë muajt e pranverës dhe vjeshtës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara