…U sugjeruam mysafirëve ta vizitojmë shtëpinë e Nënë Terezës, para se të mbushej sheshi. Këta nxënës shqiptarë nga Ukraina, 11 sish, nga gëzimi se po shkonin në Shqipëri, kishin veshur fanellat kuq e zi, me shqiponjën dykrenore në gjoks! Për këtë ditë të 3 qershorit, kjo paraqiste një rrezik të dorës së parë, kur në shesh ishte paraparë kremtimi i tifozëve problematikë të KH Vardar…
Nga Daut DAUTI
Paramendoni këtë pyetje për kuis: ç’i lidh “komitët” e Vardarit me shqiponjat nga Ukraina? Asgjë në shikim të parë, ndaj dhe përgjigjen e bën të vështirë. Po pyetja ndryshe: si i lidh 3 qershori “komitët” e Vardarit me nxënësit shqiptarë nga Ukraina?…Dikush që do të kishte lexuar në facebook postimin tim ose të Faton Musliut (i biri i gazetarit të ndjerë të RTVM-së, Sefer Musliut) mund të jepte këtë përgjigje: më 3 qershor, u festua në sheshin e Shkupit titulli i kampionit evropian nga tifozeria e KH Vardar dhe mijëra qytetarë, në kohën kur në Shkup arritën nxënësit shqiptarë nga Ukraina, të veshur me fanella kuqezi me shqiponjën dykrenore!
- PËRTEJ SHESHIT
Ja, pra, çka do të thotë rastësia, dy ngjarje të palidhura në një hapësirë, që faktori kohë, megjithatë, i përjashton ato që të ndërhyjnë te njëra tjetra! Disa ditë më parë Faton Musliu më tregoi se do të vijë një grup nxënësish me mësueset e tyre nga fshati Karakurt i Ukrainës. Shkojnë për Shqipëri, por do të ndalen për pak orë edhe në Shkup…Bukur, them, shumë bukur, është rendi t’i presim e t’ua tregojmë një pjesë të kësaj bote shqiptare këtu.
Dhe dolëm të hënën, 3 qershor, një ditë para festës së Bajramit, që t’i presim në hyrje të Shkupit, që të mos humbin rrugën. Pasi u takuam para hotelit “Belevue”, i shoqërojmë gjer në Kala për ta parkuar autobusin, por dhe për të bërë një shëtitje brenda, ku si në pëllëmbë dore i kishin katër anët e kryeqytetit. Një foto e parë për kujtim bashkë në këtë monument historik dhe disa informata nga kultura e përgjithshme se çka paraqet Kalaja me të kaluarën e vet. Që më parë, në komunikim me ta, Fatonit i kishin thënë se duan ta vizitojnë shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës. Kur i pyetëm nëse duan së pari të hanë apo të shkojnë te shtëpia e saj, mysafirët zgjodhën atë që dukej e logjikshme: të lodhur nga rruga, deshën së pari të pushojnë duke ngrënë. Por, gjersa zbrisnim teposhtë për Çarshi, na u kujtua se në sheshin e Shkupit atë ditë ishte paraparë festimi i titullit të kampionit evropian të Klubit të Hendbollit “Vardar”. Na u kujtua se një ditë më parë, ishin dëmtuar shumë vetura me targa të Kosovës të kosovarëve që kishin ardhur në koncertin e këngëtarit të njohur, Sting dhe paramendoni ç’mund të ndodhte po të shihnin dikë me shqiponjë në gjoks të kalonte para hundës së tyre!
Shpejt e shpejt shikova në internet dhe kuptova se gjithçka do të ndodhte pas orës 18.30. Plani i drekës u prish, dhe u sugjeruam mysafirëve së pari ta vizitojmë shtëpinë e Nënë Terezës, para se të mbushej sheshi. Këta nxënës, 11 sish, nga gëzimi se po shkonin në Shqipëri, kishin veshur fanellat kuq e zi, me shqiponjën dykrenore në gjoks! Për këtë ditë të 3 qershorit, kjo paraqiste një rrezik të dorës së parë. Nuk mund t’u jepnim shumë sqarime, për të mos shkaktuar ndonjë frikë te nxënësit. Me Fatonin gjithë kohës kemi qenë në ethe nga frika se mos u ndodh diçka këtyre vashave e djelmoshave ende fëmijë në shesh, duke u bërë truproje, njëri ecte para, e tjetri prapa grupit! Te shtëpia përkujtimore mysafirët patën mundësi të njihen sadopak me figurën e Nënë Terezës, duke ua bërë me dije se pikërisht në afërsi ka qenë shtëpia ku ka lindur dhe ku është rritur para se të nisej në Kalkutë.
Duke u kthyer, kishte kaluar ora 17 dhe në shesh, te bina ku do të ngjiteshin hendbollistët e Vardarit, kishin nisur të vijnë edhe tifozë me fanella e shalle të “Vardarit”. Grupin e mysafirëve e orientojmë të ecin prapa Lekës së Madh, që të mos bien në sy. Kur iu afruam Urës së Gurit, tashmë ishim në anën “tonë”, të çliruar që evituam një incident të mundshëm me kokëkrisurit, të cilët nja një orë më vonë kishin kërkuar “dhoma gazi” për “shqiptarët e mallkuar”(“kletite shqiptari”)! Kur mysafirët nga Ukrainë po fotografoheshin te përmendorja e Skënderbeut, kaluan nja tre policë dhe na shikuan me dyshim. Njëri polic, shqiptar, u afrua dhe pyeti kush është udhëheqës. Jam unë, i them. “Kini kujdes, assesi mos kaloni matanë Urës së Gurit”. I them pa merak, se prej andej vijmë!
Kështu përfundoi “parakalimi” i “shqiponjave” të Ukrainës nëpër sheshin e kryeqytetit, ku pak kohë më vonë, do të mblidheshin ata që e turpëruan veten, klubin dhe vendin e tyre!
- HEROI I MAQEDONISË “SË VDEKUR”, STOILOV…
Një sukses i madhe sportiv, pa lezet. Në vend se të ishte një rast i mirë për unitet qytetar, politika dhe urrejtja që përhapin tifozët e klubit Vardar, e bënë një ngjarje të krupshme, saqë disa pena mediale u distancuan ngase i hëngri “turpi i huaj”.
Pati një dis-harmoni në katarzën e fitores. Qyteti i Shkupit dhe kryetari i saj e organizuan pritjen madhështore në Sheshin (ende) Maqedonia, por Petre Shilegov, nuk hipi në binë të thotë ndonjë fjalë, sepse prej tij askush nuk e kërkoi. E kishin distancuar heshtazi. As nga qeveria nuk doli kush, ndonëse kishte ndarë gjysmë milioni euro shpërblim. Gjithë festimi u bë sikur ta kishte organizuar qeveria e mëparshme, me ikonografi e me gjithçka tjetër. Një përfaqësues të qeverisë së tashme që e kishin njohur aty, për pak sa nuk e kishin linçuar!
Hendbollisti Stojanço Stoilov, pas titullit të kampionit evropian, ka luajtur heroin e Maqedonisë “së vdekur”, duke ua bërë me dije autoriteteve të Federatës Evropiane të hendbollit, se shteti i tij nuk quhet Maqedoni Veriore, por Maqedoni. E dimë se ai është një nga heronjtë e klubit, por a është kjo arsye të prapagojë politikë në fushën e sportit?
Ai ishte i vetmi maqedonas në ekipin plotë të huaj dhe në festimin në shesh, vetëm ai ka mundur t’i kuptojë brohoritjet fashiste të tifozëve. Ndaj, prej tij është pritur që t’ua bëjë vërejtjen publike brohoritësve fashistë. Si sportist, si njeri. Por, meqë nuk ka kërkuar nga tifozët të pushojnë me ato brohoritje, a nuk do të thotë se është pajtuar me ato porosi?! (Ndoshta është e tepërt të pritet prej tij të bëjë atë distancim, duke pasur parasysh se para do kohe bëri një incident në një manifestim sportiv ku u fol edhe shqip!) Është mirë, që më në fund, një klub me emrin Vardar, ai i hendbollit, u distancua publikisht prej përmbajtjes së porosive, diç që nuk ka ndodhur më parë as nga klubet Vardar e as nga klubet tjera, tifozët e të cilëve janë shquar me mbjellje të urrejtjes. E gjykuan mediat, Agjencia e Sporteve dhe të
Rinjve, kryeministri Zaev…Por, nuk duhet të mbetet me kaq, kjo tifozeri problematike, e cila e ka prishur atmosferën garuese në vend, duhet të largohet tërësisht nga arenat sportive dhe të gjykohen për gjuhën e urrejtjes. Me apele e me deklarata nuk mbushen mend!
- A FITOHET TITULLI PËR GJYSMË MILIONI SHPËRBLIM?
Nami i madh, për një lëmoshë çmimi! Paramendoni sa ka marrë KH “Vardar” për titullin e kampionit evropian: 0.5 milionë euro!
I dëgjoja raportuesit e fascinuar të një televizioni kosovar për suksesin e Vardarit, në një situatë kur ky klub “është para shpërbërjes”. Habiteshin si është e mundur që të motivohet një ekip, i cili me muaj nuk ka marrë rroga pas paralajmërimit të sponsorit rus Samsonenko do të largohet nga klubi? Është për t’ua pasur lakmi për motivin dhe moralin e lartë sportiv, dhe i kuptoj raportuesit kosovarë, të cilët sipas shembullit të klubit shkupjan, donin një klub të tillë edhe në Kosovë.
Por, ky titull do të duhej ta konsolidojë klubin shkupjan, apo jo? As një javë më parë, Liverpuli kishte marrë nja katërqind herë më shumë për titullin e kampionit evropian në futboll. Vërtet një diskrepancë e madhe. I bie që klubi Vardar, nuk do të mundë t’i mbulojë as transferet e shtrenjta me paratë që do t’i marrë, po edhe më e keqja, shtrohet pyetja, nëse një kampion evropian maksimumin që mund të marrë janë ato gjysmë milioni, me se arnohen klubet që mbeten larg titullit?
- INÇIZIMET “FANTOMË”…
Vazhdojnë të na zbavitin këto incizimet fantomë të “El Çekës”, jo gjithaq me përmbajtjen, sa me pyetjen se prej nga po dalin ato. Ato incizime dikur i dispononte kryeministri i tashëm, Zoran Zaev, por ai thotë se gjithë ç’ka pasur, i ka dorëzuar te Prorkuroria Speciale.
Prokuroria Speciale nga ana tjetër, thotë se ato i kanë ruajtur me të gjitha standardet e sigurisë, edhe pse analisti Branko Gerovski, ditë më parë në Plusinfo.mk, kishte komentuar një deklaratë të Prokurores Katica Janeva si vijon: “Jam i shokuar nga deklarata e prokurores speciale, Katica Janeva, e cila vërtetoi se është e mundur që pjesë të “bombave” që po i publikon “El Çeko” në facebook, të jenë nga fondi që disponon PSP-ja dhe se nuk mund të garantojë se ato nuk kanë dale prej atje…O moj cucja e vogël Katica, si ashtu nuk mund të garantoke se nga PSP-ja nuk mund të rrjedhin bombat? Çka mund të na garantosh atëherë?”
Në këtë rashomoni larje duarsh nga përgjegjësia për “bombat”, vetëm “El Çeka” tregon “burimin”, sikur për t’u tallur me të gjithë… Ajo që tregon “ai”, është për të qeshur e gajasur gjer në qiell, kur thotë se i paska bombat nga grupi i Kumanovës! Si na qenka e mundur grupi i Kumanovës t’i ketë ato duke qenë në burg? Si është e mundur teknikisht t’i kenë ata? Kush ua dha?! Ku i mbajnë, në kompjuterët “specialë” që ua ka “siguruar” burgu?!
Motivi i publikimit të tyre për të bërë presion për një ekspertizë ndërkombëtare, poashtu është i diskutueshëm. Çka duhet të vërtetojë ekspertiza ndërkombëtare që t’ua lehtësonte dënimin pjesëtarëve të grupit të Kumanovës? Se ata nuk kanë ardhur fare nga Kosova në një qytet të Maqedonisë dhe se nuk kanë luftuar me forcat policore të vendit ku kanë ardhur, apo se duan të dëshmojnë se gjithë ngjarja është një kurdisje nga shërbimet e Maqedonisë? Por, nëse duhet të vërtetohet se gjithçka ka qenë i kurdisur, do të duhej të përgjigjej edhe në pyetjen se cili ka qenë roli i tyre në këtë kurdisje?
Por, kjo, me zhargon sportiv do të thotë me vetëdije të japësh autogol! Kur t’i lëmë anësh të gjitha mjegullnajat deri tash, mbetet ajo që mund të jetë prapavija e vërtetë: një komplot i orkestruar me hedhje guri e fshehje dore, të cilën lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e quajti si një “brymë mëngjesi”…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)