Pashë një koment për foton e Kryeministrit Zoran Zaev me liderët e tjerë të NATO-s, në Samitin e Londrës, duke thënë se ishte foto e tretë historike për Maqedoninë e Veriut që tregonte ndryshim të madh historik për vendin. E para me gjasë ajo e Pavarësisë, e dyta ajo e Marrëveshjes së Ohrit. Por do duhet të ketë dhe një të katërt. Që faqja me infantilitetin politik të kalohet një herë e përgjithmonë. Ajo e mbylljes së debatit për gjuhën shqipe
Nga Nazim RASHIDI
Milan Jazbec, ambasadori i Sllovenisë në Shkup, duke folur për diplomacinë, në kuadër të konferencës, “50 vjet diplomaci maqedonase” tha se vlerë e Maqedonisë është “multietnizmi” dhe “multikulturalizmi”. Ai tha se diplomacia është e mbushur me simbolizma, të cilat bëhen ndaj të tjerëve, por ekspozohen simbolizma edhe ndaj diplomatëve, dhe ky simbol, realiteti i Maqedonisë së Veriut, multikulturalizmi, është vlera e cila duhet t’i ofrohet Evropës. Fjala e z. Jazbec, totalisht për një kontekst tjetër, vetëm sa kthjelltëson imazhin që ka Maqedonia e Veriut, apo edhe impresionin që le dhe të cilin assesi ta pranojë ajo vetë.
Duket se përplasja e brendshme do të vazhdojë të jetë për atë se si e pranon kjo shoqëri me gjithë shumëdimensionalitetin e saj veten. Njëra anë është se “janë Maqedonasit në fillim dhe pastaj gjithë të tjerët” dhe shikimi tjetër se “të gjithë janë të barabartë në këtë shtet”, pikëpamje që sjellin përplasje. Reflektimi i fundit mbi shikimin e vetvetes erdhi nga reagimet pas raportit të Komisionit të Venecias rreth ligjit për gjuhën shqipe. Shikoni, multietnizmi, si vlerë ose hall, kush si e sheh, bazën e ka tek gjuha. Po e hoqe atë element të tjerat do ishin nuanca e do flisnim për origjina të largëta të individëve me grupe të ndryshme etnike. Por realiteti jonë është gjuha shqipe. Është realitet për shqiptarët. Është baza e veprimit politik. Është oxhaku i veprimit rreth të cilit mblidhen të tërë. Ashtu filloi aktivizmi, duke e hequr gjuhën nga shkollat, e më pas ndalesat për mbishkrime në publik, ndalesat për emra specifik. Nxiti veprim dhe akte, kur kërkohej shkollimi në shqip, kur kërkohej universitet. Pati dhe viktima. Kishte të tillë që dolën në rrugë, u përleshën me policinë për gjuhën. Ishte kërkesë kryesore konstante shqiptare dhe ishte kërkesë edhe gjatë formimit të qeverisjes së fundit post Grueviste. Do ta pranon të dyja partitë kryesore maqedonase kushdo që të merrte pushtetin.
Gjuha shqipe prandaj është realitet edhe maqedonas. Ata janë përballur me “palë tjetër” dhe kërkesat e tyre për këtë gur aq me peshë identitar për shqiptarin. Është realitet se përpiqen ta fshehin, ta minimizojnë, kanë frikë ta quajnë “gjuha shqipe”. Është baza e betejës politike edhe për ata dhe është realitet aq i madh e i fortë edhe për vetë maqedonasin, sepse ata vetë e krijuan aq të madh e të fortë me gjithë kundërshtinë dhe frikën prej saj që ia dhanë.
Por hejjj, ky është realiteti. Në një anë të huajt shohin pasuri, vlerë e kolorit, kurse brenda shihet si mollë sherri e element ndarës. Por nëse ky tekst do të shkruhej para disa vitesh mbase edhe do kishte një lloj logjike. Kishim një qeverisje autoritare, të bazuar na nacionalizëm, gjithçka rreth nesh që nga simbolet e deri tek arkitektura kishte të bënte me përforcimin e njërit identitet në shtet, atë maqedonas. Por sot jemi nën një qeverisje që moton e ka “një shoqëri për të gjithë”. Këtu fillon habia. Duhet ta themi hapur. Shoqëria e përbashkët për të gjithë pa shqipen nuk mund të ekzistojë.
Tani ose ky realitet nuk kuptohet, që dyshoj. Ose, të cilin e besoj, nuk pranohet me qëllim për të nxitur momente votëndjellëse. Epo ky film duhet të përfundojë, në mos ka përfunduar. Dua realisht të shoh një subjekt politik maqedonas që do ketë qëndrim kundër shqipes si gjuhë zyrtare e që do mund të ketë partner koalicioni parti shqiptare. Pushteti e opozita shqiptare këtë s’do e pranojnë. Ky është realiteti.
Por ky realitet nuk duhet parë si kërcënues ndaj maqedonasve. Se tendencat do shkojnë edhe drejt kësaj pikëpamjeje. Por jo. Ky nuk është qëllimi. Duhet të qartësoj këtu. E drejta dhe prakticiteti janë çështje të ndryshme. E drejta për ta përdorur shqipen në gjykata është një çështje dhe sigurisht prakticiteti do kërkojë që rastet në gjykatë të përfundojnë sa më parë pavarësisht gjuhës. Kush nuk do e dëshirojë këtë? Palët? Ahhh po, palët. Por kur janë politikanë. Si në disa raste kur pikërisht politikanët kërkonin përdorimin e dygjuhësisë, por jo për të sjellë drejtësi, por për të zvarritur seancat. Pra është e tmerrshme që të merret parasysh abuzimi i mundshëm, si argument, për vonesat e gjyqësorit. Më falni, por gjyqësori ynë me një gjuhë dhe ka ngelur me vite pas.
Po mirë, në rregull. Juristët do thonë, nëse ka precedent, atëherë do duhet të vlejë për të gjithë pa paragjykuar se pse kërkohet dygjuhësia, për vonesa të qëllimshme apo të drejtën e përdorimit të gjuhës. Komisioni i Venecias për monedhat dhe uniformat tha se dygjuhësia nuk është diçka e paprecedenttë. Po si do i bëhet në këtë rast? OK, le të diskutohet zgjidhja e përdorimit të gjuhëve në gjykata me qëllim që drejtësia mos të vonojë. Por te monedhat kur do shohim dygjuhësinë?
Do sqaroj edhe një herë se nuk është çështje as kapriçoje, e as inati, as arrogance e as tendencioze apo nacionaliste ndaj maqedonasve. Në një darkë mes miqsh të afërt, ku për shkak të afërsisë ka edhe tone të larta, të gjithë ramë dakord se fëmijët tanë duhet patjetër të dinë maqedonisht. Që nuk ka dilemë që dikush që do të funksionojë, të rritet dhe të arrijë sukses këtu duhet të dijë edhe maqedonishten. Asnjë nga ne nuk fliste për segregacion, apo sundim gjuhësor. Mbase këto argumente nuk dëgjohen nga maqedonasit. Ose një pjesë e tyre, sidomos politika, kërkesat për shqipen i sheh si realitet, por edhe i përdor si mundësi të nxisë nacionalizmat brenda llojit për ca vota më shumë. Por kjo duhet theksuar. Flas për realitete ekzistuese. Është problem nëse shqiptarët nuk do dinë maqedonishten dhe do jetë shumë problem nëse shqipja do kufizohet. Edhe ky është realitet tejet i qartë. Nga ana tjetër ky debat i rikthyer për shqipen duhet të kthjelltësojë edhe ata shqiptarë që për ca vota më shumë tentojnë të na shtinë sokaqeve pa krye. E shikoni? Asnjë nuk flet se në ç’gjuhë do predikojë hoxha nëpër xhami. Por, a do flitet shqipja dhe sa do flitet shqipja në institucione. Këtu përherë ka qenë çështja. Se shteti është hapësira e përbashkët ku shihet barazia. Një leksion i ditur duhet të jetë. Por ok… le të jetë një përsëritje.
Dhe krejt në fund. Pashë një koment për foton e Kryeministrit Zoran Zaev me liderët e tjerë të NATO-s, në Samitin e Londrës, duke thënë se ishte foto e tretë historike për Maqedoninë e Veriut që tregonte ndryshim të madh historik për vendin. E para me gjasë ajo e Pavarësisë, e dyta ajo e Marrëveshjes së Ohrit. Por do duhet të ketë dhe një të katërt. Që faqja me infantilitetin politik të kalohet një herë e përgjithmonë. Ajo e mbylljes së debatit për gjuhën shqipe. Duhet të mbyllet për shqiptarët që të çlirohen nga kërkesa të drejtash e të fokusohen tek zhvillimi. Të mbyllet për maqedonasit që të ndalojnë debate domininance dhe nxitje frikash për humbje identiteti dhe po që edhe ata të fokusohen drejt zhvillimit. Të mbyllet që politikës t’i rrëmbehet një debat të cilin e kanë aq lehtë ta bëjnë kur flasin për emocione që pastaj të mbahet përgjegjëse për përgjegjësitë e dështimet. Dhe aq më shumë këtë duhet ta bëjë kjo qeveri, e majtë, që thotë se është për një shoqëri për të gjithë, e që ka aq shumë shqiptarë brenda, si me parti shqiptare ashtu dhe brenda socialdemokratëve. Do duhej të ishte aq e lehtë dhe s’do mundej më mirë se ata tua shpjegojnë realitetin kolegëve bashkë partiak maqedonas, që të përmbyllin debatin për shqipen një herë e përgjithmonë, nëse munden e dinë, kuptohet.
P.S. PËR CINIKËT E TJERË
Beteja vazhdon… dhe jo s’duhet pasur iluzion ata që mendojnë se kritika ndaj pushteti pushon kur ndodh ndryshimi i qeverisjes. Në fakt ata janë vetë, të lidhur me pushtet dhe interesa dhe gjithçka e shohin nën prizmin e “ne” dhe “ata”. Beteja për pushtet më të mirë e më të përgjegjshëm është konstante. Konstatimi se “ke kritikuar të tjerët që të vinë “këta” dhe pse kritikon tani “këta”, që ndikove të vinë në pushtet?”, është naivitet i madh. Çdo qeverisje ka fazat e saj, rëniet dhe ngritjet. Dëshmitarë jemi të gjithë, çështja është nëse ke aq pavarësi të shohësh fazat e të flasësh lirshëm bindjet e tua, por jo me syzet e tifozit. Dhe normal të kritikosh. Se sizifiane është beteja për qeverisje sa më të mirë. Të tjerët ikën, të tjerë do të ikin, por do të mbesë kritika, uroj e sinqertë, për përgjegjësi, përparim dhe zhvillim.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)