Nga Dr. Ylber SELA
Në kuadër të këtyre manifestimeve organizuar nga Akademia e Shqipërisë, me rastin e 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, kam nderit të përfaqësoj Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, si drejtor i saj i parë.
Për të gjithë ne shqiptarët, si komb gjuhësor, gjuha shqipe mbetet themeli i qenies sonë kombëtare.
Përsosja, pasurimi dhe zhvillimi i shqipes standarde duhet të mbetet përpjekje e vazhdueshme e institucioneve tona.Shikuar nga këndvështrimi i sotëm, vlerësuar realisht, me gjithë vërejtjet e shqetësimet për lëshimet dhe devijimet e bëra, mund të themi se sot gjendja dhe statusi i gjuhës standarde shqipe është më i mirë se kurrë më parë.
Gjuha shqipe si pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, mbetet tipari kryesor komb-formues i yni. Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, shqipja ka rëndësi shtesë, në rolin e saj, si strumbullar i identitetit tonë kombëtar.
Krahasuar me të shkuarën, edhe te ne janë bërë disa përparime, si në drejtim të përmirësimit të statusit të gjuhës shqipe, përdorimit zyrtar të saj, po ashtu edhe në përdorimin e gjithanshëm të gjuhës standarde shqipe.
Kurrë më parë, në këto përmasa nuk kemi pasur përdorim kaq të shpeshtë dhe të dendur të gjuhës shqipe. Si shqiptarë, në RMV jemi të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë dhe të përshpejtojmë këtë prirje të përdorimit të gjithanshëm dhe të përhershëm të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, themeluar nga marsi i vitit 2019, punon jo vetëm për zbatimin e Ligjit të gjuhëve, përshpejtimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të vendit, por njëkohësisht përkujdeset edhe për përdorimin e duhur të gjuhës standarde shqipe.
Përkthimi, redaktimi dhe korrigjimi i teksteve të shumta, mbetet punë e përditshme e Agjencisë. Ndër të tjera ofrojmë trajnime në fushë të gjuhës dhe të përkthimit, bëjmë përgatitjen e materialeve e teksteve të punës, si doracakë e udhëzues, fjalorë terminologjikë, të dobishme këto, si për bashkëpunëtorët e Agjencisë, po ashtu edhe për punonjësit e institucioneve shtetërore.
Si ndër arsyet kryesore të ngecjeve në këtë proces të zbatimit të ligjit, mendojmë se është mungesa e vetëdijes së lartë qytetare e kombëtare.
Vazhdimisht ia bëjmë me dije secilit se përgjegjësia për moszbatim të ligjit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është individuale dhe detyrim institucional.
Krahas përpjekjeve për më shumë barazi gjuhësore dhe të drejta kombëtare, kërkohet prej nesh që më me shumë këmbëngulje të zbatojmë ligjin e gjuhëve dhe të përkujdesemi për përdorimin e drejtë të shqipes standarde.
Duhet vazhduar punën bashkërisht që në RMV krahas fushatës për ndërgjegjësimin qytetar e kombëtar për zbatimin e Ligjit të gjuhëve dhe përdorimin zyrtar të shqipes, të kërkohet edhe njohja dhe përdorimi i drejtë i gjuhës standarde shqipe.
Kërkohet domosdoshmëria e zotërimit dhe përdorimit të duhur të gjuhës standarde shqipe, si të vetmin variant të gjuhës së sotme të përbashkët shqipe, të folur dhe të shkruar nga të gjithë shqiptarët kudo janë.
Edhe sot me këto mundësi të lëvizjes së lirë, me këtë prani të medias, me sistem të konsoliduar shkollor në të tre nivelet, me disa universitete, nuk mund të arsyetohet assesi kjo rënie dhe ky nivel i përdorimit të gjuhës standarde.
Institucionet tona arsimore e shkencore duhet të nxisin dhe mbështesin krijimin shkencor dhe botime të mirëfillta në shqip dhe për gjuhën shqipe.
Tirana, Prishtina dhe Shkupi, vetëm përmes botimeve me vlerë dhe arritjeve të duhura shkencore, mund të mbeten kryeqendra albanologjike të mirënjohura botërisht. Ky fakt do të nxittë më shumë mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe edhe nga të huajit. Diaspora jonë e shumtë në numër, do të përfitonte po ashtu nga ky përparim i vendeve tona.
Shtrohet pyetja, sa janë ende barrierë e pakapërcyeshme për mësimin dhe zotërimin e duhur të gjuhës standarde shqipe të folmet e shumta dialektore të shqipes te ne, nga Struga deri në Kumanovë?
Mendoj se larmia dialektore, të folmet e shumta të shqipes të viseve tona nuk janë barrierë e zotërimit të gjuhës standarde shqipe.
Nuk duhet të pajtohemi me këtë gjendje të krijuar të përdorimit të gabuar të gjuhës standarde shqipe. Mënjanimi i standardit të gjuhës shqipe nuk duhet lejuar të bëhet modë dhe si arsyetim të kemi tentativën për përdorim të varianteve tjera gjuhësore jo standarde.
Bazuar në këtë gjendje të moszbatimit të duhur të gjuhës standarde shqipe, ne si Agjenci kemi kërkuar futjen e provimit të drejtshkrimit të gjuhës, si kusht për të punuar në institucionet shtetërore. Plotësimi i këtij kushti nga punonjësit e shumtë të administratës publike, mendojmë se do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e gjendjes, meqë në punën e tyre të përditshme, atyre u duhet gjithsesi zotërimi i gjuhë standarde shqipe.
Edhe në këtë rast na duhet të mësojmë prej përvojës të disa kombeve tjerë të Europës, të cilët edhe pse kanë dallime më të mëdha brenda vetes, si kulturore ashtu edhe gjuhësore, këmbëngulin në ruajtjen e gjuhës së përbashkët, si një pasuri dhe tipar kryesor i qenies kombëtare.
Zotërimi dhe përdorimi i drejtë i gjuhës standarde shqipe, në të folur, e sidomos në të shkruar, lidhet ngushtë me zhvillimin e përbashkët mbarëkombëtar dhe integrimin si një komb dhe një gjuhë, në familjen e përbashkët europiane.
Dihet botërisht se të drejtat e gjuhës janë pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut!
Barazia gjuhësore, kultivimi si vlerë i dy- dhe shumëgjuhësisë në vend, mbështet dhe përshpejton procesin e integrimeve europiane të vendit dhe mbarë rajonit.