Gjuha shqipe ka ekzistuar si plazmim retorike deri në shekullin XVII. Zbulimi vjen nga dr.Entela Komnino dhe do të prezantohet në Sesionin shkencor për 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ne siguruam përmbledhjen e tezave në fjalë dhe një intervistë me autoren e studimit ‘Shqipja si gjuhë retorike’
Si duhet kuptuar ‘Shqipja si gjuhë retorike?
Termi është i shumëfishtë, sepse ka disa fenomene zinxhir dhe për rrjedhojë që të gjitha vendosen në marrëdhënie të re. Zbulimi i parë i takon faktit që me shqip deri në fillim të viteve 1600 është kuptuar riprodhimi përmendësh i një formule kishtare (të paktën siç dokumentohet). Procesi që ngjan më shumë me retorikën se sa një gjuhë popullsie, u demostrua në disa sfera deri sa mbërriti në mbështetjen e gjetjeve nga njëra-tjetra për të pohuar të sigurt që:
– Retorika nuk gjendet vetëm si rregulla dhe manuale përdorimi, por edhe si gjuhë me funksione gjuhësore që pasqyrojnë rregulla retorike.
– Gjuha shqipe është dëshmimi i retorikës në gjendje gjuhe, duke shënuar rekordin e vetëm si për retorikën në përgjithësi, ashtu edhe për kategorinë e gjuhëve të popullsisë që nuk kanë dëshmuar dot në 2500 vjet histori të retorikës të kenë përmbajtur funksionimin edhe si e tillë.
– Një botë e madhe e kuptimit hapet pas fenomenit të dyfishtë, kur e folura nuk është kryer me rregulla të shkruara, por është përfshirë në një përdorim gjuhësor
Si arritët ju tek ky përfundim?
Prej kohësh më bënte përshtypje kuptimi i fjalës ‘shqip’, për të cilin Matzinger dëshmon se ka treguar vetëm të folurën deri tek Buzuku e Budi. ‘Shqip’ si emërtim ka treguar gjuhën e popullsisë vetëm duke filluar nga Bogdani. Nga ana tjetër, mbiemri ‘shqiptar’ që flisnin ‘shqip’, kuptonte oratorin. Atëherë çfarë gjuhe flisnin shqiptarët?
A mund t’ua bëjmë ne këtë pyetje?
Do t’ua them pasi të rendis disa kuptime të leksemës ‘shqip’. Përveç riprodhimit me gojë dhe gjuhës së popullsisë sot, ‘shqip’ ka treguar ‘kuptimin’, thotë Konica në fjalën ‘shqipoj’ pra Shqipëri thoshte ai do të thotë njëfarë mënyre vendi i Kuptimësisë. Semantikën e ‘kuptimit’ e jep edhe albanologu Hahn që shkruante në 1854 se ‘shqiptar’ donte të thoshte ‘njeri i kuptuar’. Po brenda viteve 1800, Da Lecce i dërguar nga Vatikani thotë se ‘shqip’ tregon të folurën (oratorinë) dhe shqiptar është orator. Hahni jepte tre kuptime për fjalën shqip, një nga të cilat e lidhte me shkop si tingëllim, si kuptim me skeptër që e mbante shqiponja pelasgjike dhe shkrepje. Për më tepër tregonte të kishte gjetur qytetin dardan të përmendur nga Ana Komnena të Shkopion. Gjetja më e çuditshme për rrënjë që ngjajnë me kompleksin ‘shqip’ është ekzistenca si përkthim në anglishten e vjetër të leksemës ‘creator’ me ‘scieppan’ (Zeusi është Creator), një fenomen që tregon se mund të gjenden gjurmë edhe për kohëra kur shqipja duket e padokumentuar, por që ngjan sot më shumë me fjalët e vjetra të gjuhëve të tjera. Mbështetja kuptimore e leksemës ‘shqip’ edhe me përdorime ende të sotme sipas kuptimit artikuloj (shqiptoj), përkthej (shqipëroj) tregojnë se shqiptarët flasin një gjuhë që ‘flet përmendësh’, ‘kupton’, ‘artikulon’, ‘përkthen’ dhe ‘tregon’ fillimet.
Ju thatë se efektet e zbulimit janë zinxhir dhe prekin edhe retorikën….
Më së paku. Sepse këtu nuk është fjala nëse një tipar a karakteristikë e njohur gjendet edhe në gjuhën shqipe. Ajo që gjendet sipas kuptimit të leksemës që ka filluar të tregojë gjuhën e popullsisë në fund të viteve 1600, zbulohet vetëm prej gjetjes së këtij fenomeni në shqip. E folura përfshihet në teorinë e retorikës, por si akt i bërë në secilën gjuhë popullsie. Kurse në rastin e shqip, një popullsi e tërë është thirrur si retore, sepse fliste ‘shqip’. Kjo do të thotë që retorika gjendet me shtampa gjuhësore, por këto shtampa ishin pjesë e një sistemi gjuhësor në përdorim dhe jo të një sistemi rregullash siç janë manualet që tregojnë si të flasësh.
Si i parashikoni ju ndikimin e një teorie të tillë mbi zhvillimet e deritanishme?
Kjo është një pamundësi parashikimi që lidhet me dokumentimin dhe rregullimin 2500 vjeçar të retorikës dhe gjuhës. Por pasi zbulimi të mbërrijë në instanca të mundura, diskutimi do të duhet të prekë gjithë konceptimet mbi natyrën dhe shfaqjen e gjuhës dhe retorikës dhe të shkencave të mendimit të varura nga përfundime si ato të deritanishme. Duke filluar që nga shkrimi….
Jemi edhe në kuadrin e festimeve të Kongresit të Manastirit…
Këmbëngula që të ishte një prezantim i tillë në një ngjarje që e konsideroj nga më të mençurat e burrave dhe gruas që ruajtën këtë prodhim njerëzor të quajtur ‘shqip’. Por vetë kodifikimi do të duhet të shihet ndryshe pas gjetjes së një gjuhe retorike dhe retorikës së gjuhëzuar.
Çfarë mendoni më konkretisht me këtë ndryshe?
Studimi më ka bërë të pyes se përse duhej shpjeguar kapaciteti retorik kur ai ishte i shprehur me gjuhë në komunikim. Pra çdokush që fliste një gjuhë retorike e kuptonte tjetrin sipas substancës së kësaj gjuhe dhe jo konvencioneve të rrjedhura që e bëjnë psh, gërmën ‘c’ të funksionojë në 6 variante në italisht. Vendimi për të shkruar ‘një tingull një gërmë’ është gjithashtu pjesë e kësaj natyre gjuhësore- retorike, që e lejon c të lexohet c gjithmonë duke u ngjitur deri në njësitë më të mëdha në sistem me një drejtpërdrejtësi të tillë. E kur themi që retorika ishte pjesë e kësaj gjuhe, kjo drejtpërdrejtësi ngjitet deri tek mendimi, ose burimi i gjuhës.