Fatos RUSHITI
Shkup, 28 qershor – Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe i dakorduar gjatë negociatave për formimin e koalicionit qeveritar LSDM-BDI-ASH, duket se po has në pengesa për të ardhur për miratim para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë. Nga marrëveshja mes partnerëve qeverisës që ky ligj të jetë pjesë e pakos së ligjeve evropiane me yll, tani siç merr vesh gazeta KOHA nga burime të saja, ligji për gjuhët ka gjasa të përfundojë për shqyrtim para Komisionit të Venecias. Një propozim i tillë është përmendur në takimin e paradokohshëm në Bruksel mes kryeministrit Zoran Zaev dhe eurokoesarit Johanes Han. Burimet tona diplomatike kanë pohuar se kjo është propozuar nga vetë kryeministri Zaev, i cili gjoja dëshiron që ky ligj të kalojë nëpër filtrat e Komisionit të Venecias, i cili zakonisht shqyrton pjesën juridiko-kushtetuese të ligjeve. Në realitet, ky ligj është produkt i marrëveshjes politike për bërjen e qeverisë, dhe sipas ekspertëve juridik, i njëjti s’ka çka kërkon në Komisionin e Venecias. Në fakt, pas këtij propozimi, sipas burimeve tona, fshihet qëllimi i LSDM-së për të zvarritur miratimin e këtij ligji, duke preferuar që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve lokale. Ky tajming nuk u konvenon partive shqiptare në Qeveri të cilat miratimin e këtij ligji e kishi9n një ndër kushtet themelore për pjesëmarrje në të.
Edhe pse nga BDI javën e kaluar brifuan gazetën KOHA se miratimin e Ligjit për gjuhët do ta shtrojnë para Hanit, duke theksuar se mund te lëkundet koalicioni nëse shqipja nuk miratohet para zgjedhjeve lokale, menjëherë më pas vrapuan që këtë informatë ta quajnë si “spekulim”. Ndërkaq, kjo u vërtetua edhe pas takimeve të Hanit, pasi shihet nga deklaratat se diçka ka ndryshuar. Në pyetjen nëse në takimin me komisarin Johanes Han është folur për ligjin për gjuhën dhe cili është qëndrimi i KE-së, Ahmeti shkurt vetëm tha se “në parim kemi biseduar për gjitha çështjet”.
Ndërkohë, edhe Zaev tha se për avancimin e shqipes po debatohet, por se ende nuk ka një vendim për këtë çështje. “Në lidhje me pyetjen për avancimin e përdorimin e gjuhëve… Ajo është pjesë e prioriteteve, të cilat janë pjesë e agjendës për të cilën edhe sot biseduam. E dini që një nga pikët shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit është edhe avancimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në bazë të gjitha procedurave, kur gjithçka të jetë gati, unë jam përkrahës i idesë që kjo çështje të debatohet hapur dhe të sillet vendim. E dini që qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë! Për ne gjuha është mjet për t’u marrë vesh”, tha Zaev.
Nga ana tjetër, kreu i LR-PDSH-së i pyetur nga gazetarët nëse ndjen presion nga takimet e ndërsjella mes Zaevit, Thaçit dhe Ahmetit, si kundërpërgjigje ndaj presionit të tij për avancimin sa më të shpejtë të shqipes, Ziadin Sela ka theksuar se kjo çështje duhet të tangojë të gjithë krerët e partive shqiptare dhe jo vetëm atë.
“Tagër për gjuhën shqipe ka njësoj, si Zadin Sela edhe Menduh Thaçi edhe Bilall Kasami edhe Ali Ahmeti, por jo vetëm, si çdo qytetarë shqiptarë që jeton në Maqedoni. Kështu, në qoftë se presioni është për këtë, unë s’e kuptoj”, ka deklaruar Sela.
JA ÇFARË ËSHTË KOMISIONI I VENECIAS
Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit, i njohur më mirë si Komisioni i Venecias, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese. I vendosur më 1990-n, komisioni ka luajtur rol kryesor në miratimin e kushtetutave, që janë konform standardeve të trashëgimisë kushtetuese të Evropës. Fillimisht u konceptua si një mjet për rregullime kushtetuese emergjente, ndërsa tashmë komisioni është shndërruar në një konsulent ligjor i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. Ai kontribuon në përhapjen e trashëgimisë evropiane kushtetuese, bazuar në vlerat ligjore themelore të kontinentit. Komisioni vazhdon të ofrojë “ndihmë të parë kushtetuese” për shtete të veçanta. Komisioni i Venecias luan një rol unik në menaxhimin e krizës dhe parandalimin e konfliktit nëpërmjet ndërtimit të Kushtetutës dhe këshillimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.