“Nëse mundet që gjyqësori të funksionojë në dy gjuhë në Kosovë, apo në më tepër gjuhë në Gjykatën e Hagës dhe më gjerë, pse mos të zbatohet edhe tek ne. Kryetari Zdravev ka shprehur vullnet të mirë se gjuhën shqipe do të zbatoj në seancat e Këshillit”, thortë për KOHA, Milazim Mustafa, zëvendëskryetar i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriu
Omer XHAFERI
Shkup, 26 tetor – Sistemi elektronik i ndarjeve të lëndëve në gjyqësor (AKMIS), ose do të plotësohet, ose i njëjti do të zëvendësohet me një sistem më bashkëkohor të ndarjes së lëndëve. Zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriu, Milazim Mustafa, për gazetën KOHA, tha se pas vizitave zyrtare në institucionet gjyqësore në Finlandë dhe Kosovë, janë duke e shqyrtuar mundësinë për implementimin e një sistemi të ri elektronik në gjyqësor dhe prokurori. Pas takimit me përfaqësues të lartë të organeve gjyqësor në Kosovë, Mustafa tha se nga afër kanë mësuan se si zbatohet dygjuhësia (në këtë rast gjuha serbe) në procedurat gjyqësore dhe ata para prokurorisë. Me këto të dhëna u informua edhe kryetari i Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Kiro Zdravev, i cili e kryesonte këtë delegacion.
“Pas takimeve me kryetarët e Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publike dhe anëtarëve tjerë, përfshirë edhe IT inxhinierët që e mirëmbajnë sistemin elektronik të lëndëve gjyqësore dhe prokurorial në Kosovë (i njohur si LOVISA), konstatuam se gjuha serbe zbatohet në çdo nivel të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kriteret e qarta për gjuhën serbe ishin inkorporuar në sistemin elektronik dhe të gjitha shkresat, njoftimet, procesverbalet realizohen në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Këtë nga afër e pa edhe kryetari Zdravev”, tha Mustafa.
Mos zbatimi i deritanishëm i gjuhës shqipe në gjyqësor, sipas Mustafës, i zgjedhur së fundmi si zëvendëskryetar i Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, lidhet me mungesën e vullnetit dhe gatishmërisë të pala maqedonase. Megjithatë, siç tregon ai, me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev është diskutuar kjo çështje dhe se për një periudhë të caktuar, pritet që seancat e këtij Këshilli të zhvillohen në dy gjuhë.
“Nëse mundet që gjyqësori të funksionojë në dy gjuhë në Kosovë, apo në më tepër gjuhë në Gjykatën e Hagës dhe më gjerë, pse mos të zbatohet edhe tek ne. Kryetari Zdravev ka shprehur vullnet të mirë se gjuhën shqipe do të zbatoj në seancat e Këshillit”, tha Mustafa.
Ndryshimi i Ligjit për gjuhët, i cili hyri në fuqi në janar të këtij viti, me përjashtime të vogla vazhdon të mos zbatohet në shumë institucione shtetërore, përfshi gjykatat dhe prokuroritë. Zvarritja e deritanishme, sipas njohësve të zhvillimeve, është bërë për shkak dy arsyeve. Fillimisht si rezultat i mos votimit të Ligjit për inspektoratin e gjuhës (i miratuar javën e kaluar) dhe për shkak të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, i cili gjatë muajit dhjetor pritet të dalë me rekomandimet përfundimtare sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe, krahas dispozitave të Ligjit për gjuhën, normat e Ligjit për procedurë penale një kohë të gjatë ju kanë lejuar palëve, prokurorëve, gjykatësve, avokatëve dhe të dyshuarve shqiptar që procedurat ti zhvillojnë në shqip. Mirëpo, dispozitat e tillë nuk janë zbatuar në tërësi. Tutje, problem shtesë për zbatimin e gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë është mungesa e përkthyesve nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase dhe anasjelltas. Një problematikë e tillë, sipas anëtarëve shqiptar në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve Publik, nuk do zgjidhje parciale, respektivisht punësimin e dy-tre përkthyesve nëpër gjykata dhe prokurori, por kërkon angazhimin e një numri të konsiderueshëm të përkthyesve të cilët do të bëjnë ndryshimin për një periudhë të shkurtër. (koha.mk)