Nga Emin AZEMI
Nëse nisemi nga argumentet e një pjesë të shoqërisë maqedonase, të cilën e kontrollon VMRO-ja, ligji i porsavotuar për përdorimin e gjuhëve, do të duhej shpallur që sot shumë i dëmshëm, ndërkaq nëse i shohim pak më me vëmendje reagimet ekzaltuese të një pjesë të shoqërisë shqiptare lidhur me këtë ligj, atëherë i bie që masën kritike, e prodhuar si efekt publik, duhet kërkuar diku në mes.
Mohuesit dhe ekzaltuesit e këtij ligji të shumëpritur, ndonëse të ndodhur në skaje të kundërt, sikur e ushqejnë njëri-tjetrin me mosdurimin për të pritur se cilëve do t’iu jep të drejtë përvoja, realiteti. Në Maqedoni ka kohë që nuk funksionon pikërisht dimensioni socio-psikologjik i përshtatjes ndaj realiteteve. Kështu ishte pas hapjes së universiteteve në gjuhën shqipe, atëherë kur dikush paraprakisht kërkonte “dhoma gazi” për shqiptarët, kështu ishte pas 2001-shit, kur paraprakisht propagohej se do të ndahej Maqedonia, dhe kështu është edhe tani kur avancimi i gjuhës shqipe po përdoret si vegël për të përsosur mjeshtërinë e frikësimit kolektiv nga “gogoli” i quajtur gjuhë shqipe.
Por në fakt, asgjë e spektakolare s’po ndodhë. Shqiptarëve po iu jepet diçka që e kanë merituar shumë më herët dhe avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe lidhet drejtpërdrejtë me statusin politik, shoqëror e kulturor të vetë shqiptarëve dhe assesi me denigrimin e ndonjë etnie tjetër, përfshi edhe maqedonasit. Frika nga gjuha shqipe ushqen ndjenjën e inferioritetit të atyre që pa të drejtë e nënçmojnë gjuhën vetanake, duke i dhënë kësaj të fundit atributet e pafuqisë për të konkurruar edhe me një gjuhë tjetër në komunikimin publik e zyrtar. Në rastin konkret, gjuha maqedonase nuk ka pse të ndjehet e kërcënuar nga gjuha shqipe, aq më pak kur ky ligj askënd nuk e detyron të flet e shkruaj shqip, nëse nuk ka ndonjë pikëtakim (zyrtar) me shqiptarët.
Beteja e fundit do të duhej të festohet atëherë kur do të implementohet në praktikë Ligji i posavotuar për përdorimin e gjuhëve. Nëse edhe më tej hasim praktika që gjuha shqipe të zbatohet vetëm nga institucionet e drejtuara nga kuadrot shqiptare, atëherë nuk mund të ndjehemi shumë të ekzaltuar.
Gjithsesi, përgjigjen më racionale ndaj gjithë atyre që mund të jenë skeptikë sa i përket cilësisë dhe kapaciteteve gjithpërfshirëse të impelementimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, tash e në të ardhmen, sigurisht do ta jep formimi i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve dhe Inspektorati për Shfrytëzimin e Ligjit të Gjuhëve. Debati për gjuhën shqipe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërkohë që do të duhej ne si shoqëri shqiptarë të mësohemi të bëjmë edhe bilance, madje edhe atëherë kur pritjet tona mund të jenë shumë më të mëdha se ambiciet. (koha.mk)