Shkup, 18 tetor – Gjatë përkthimit të tekstit nga maqedonishtja në shqip në tabelën informative të hapësirës për parking para Vero marketit në lagjen Çair në Shkup, janë bërë gabime me të cilat teksti i përkthyer në gjuhën shqipe është i pasaktë dhe fyes. Kështu thuhet në njoftimin e Maketit VERO në Çair, ndërsa shpreh keqardhje për tabelën me shqipen e përçudnuar që shkaktoi reagime të shumta të shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.
“Fatkeqësisht, gabimet nuk janë skenuar me kohë dhe tabela informative është vendosur me tekst të gabuar. Pas vërejtjeve nga konsumatorët tonë, pranuam gabimin dhe menjëherë larguam tabelën. Ju kërkojmë thellësisht falje të gjithë konsumatorëve tonë për gabimin e paqëllimshëm dhe i sigurojmë se do të ndërmarrim të gjitha masat të mos kemi raste të tilla në të ardhmen. Vero është pjesë e komunitetit lokal veç më 21 vjet dhe në mënyrë aktive kontribuon për avancimin e tij. I sigurojmë konsumatorët tonë se qëllimi jonë asnjëherë nuk ka qenë të ofendojmë dikë në asnjë mënyrë dhe për atë arsye kërkojmë thellësisht falje, nëse në mënyrë të paqëllimshme e kemi bërë këtë. Të gjithë konsumatorët në çdo moment i trajtojmë me respektin më të madh dhe çdoherë mundohemi të sigurojmë shërbimin më të mirë, ofertën dhe çmimet”, thuhet në fund të njoftimin. (koha.mk)