Qeveria është në përpilim e sipër të programit qeveritar për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e Ligjit të gjuhëve. Grupin e punës e udhëheq zëvendës sekretari i Qeverisë Tahir Hani, ndërsa në të është përfshirë edhe Agjencia për Zbatimin e Ligjit të gjuhëve
Destan JONUZI
Shkup, 26 gusht – Shtatë muaj nga miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, është në përgatitje e sipër të programit që synon promovimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare. Kjo nuk paraqet edhe ndonjë risi për arsye se e njëjta parashikohet edhe me nenin 21 të Ligjit për Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve, shkruan gazeta KOHA.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të këtij ligji do të marrin masa për të promovuar përdorimin e të gjitha gjuhëve zyrtare, si dhe për të garantuar mbrojtjen e gjuhëve të bashkësive të tjera, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare”, thuhet në Nenin 21 të Ligjit.
Programi përpilohet nga grupi i punës me të cilin udhëheq zëvendës sekretari i Qeverisë, Tahir Hani, ndërsa synon rritjen e vetëdijes së qytetarëve për përdorimin e gjuhëve zyrtare.
“Jemi në përgatitje e sipër të këtij programi. Nuk kemi caktuar afat kohor se deri kur duhet të jetë gati, për arsye se dëshirojmë të hartojmë një program cilësor. Në hartimin e tij është e kyçur edhe Agjencia për Zbatimin e Ligjit të gjuhëve dhe të gjitha institucionet që duhet të merren me zbatimin praktik të ligjit. Qëllimi është ngritja e vetëdijes së qytetarëve për përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe paraqitjen e ligjit para qytetarëve si vlerë që kontribuon në përmirësimin e bashkëjetesës midis komuniteteve”, deklaroi për gazetën KOHA, Tahir Hani, zëvendës sekretar i Qeverisë. Nga Agjencia për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve konfirmojnë se janë të kyçur në hartimin e programit qeveritar për vetëdijesimin e qytetarëve për Ligjin e gjuhëve.
“Jemi të përfshirë në grupin për hartimin e programit. Ne japim kontributin tonë si Agjenci në përpilimin e programit”, deklaroi Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve. Nga ana tjetër, Ligji për Inspektoratin ende është në procedurë parlamentare dhe se pritet miratimi i tij deri në fillim të muajit tetor, pas çka do të zgjidhet edhe drejtori. Ndërkohë, institucionet detyrohen që gjatë punës së tyre të përdorin edhe gjuhën shqipe.
“Deri në formimin e Inspektoratit është grupi ndër resorësh në kuadër të Qeverisë, që ndjek ndihmon dhe koordinon zbatimin e dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ashtu siç e parasheh ligji, të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë në praktikë ligjin për përdorimin e gjuhëve do të sanksionohen ashtu siç e parashikon ligji”, thonë nga Qeveria.
Pavarësisht kësaj, shumë institucione në vend ende nuk kanë filluar më respektimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa disa të tjera diçka të tillë e bëjnë pjesërisht. Ato duhet që më së voni një vit nga hyrja në fuqi e ligjit të mësipërm, të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore t’i kenë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa sipas pikës 4 të nenit 6 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të njëjtat duhet të zbatojnë dygjuhësinë edhe në faqet e tyre zyrtare në internet.
Juristi, Qenan Aliu thotë se përgatitja e një programi të tillë del si obligim i përcaktuar në një dispozitë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe është vetëm se operacional. “Programi për vetëdijesimin e qytetarëve për ligjin në fjalë është një dokument operacional i cili paraprakisht të do njoftonte opinionin me këtë të drejtë të përdorimit të gjuhëve, ndërsa ligji është fuqia që obligon institucionet dhe qytetarët. Afatet për konstituimin e Inspektoratit janë të përcaktuara me ligj, andaj mendoj se këto afte detyrimisht duhet të respektohen. Dispozitat ligjore parashohin edhe afatet për sjelljen e akteve nënligjore me të cilat do të operacionalizohet zbatimi i ligjit në fjalë”, thekson Aliu.
Qeveria deri më tani ka zgjedhur vetëm drejtorin e Agjencisë dhe pjesërisht janë implementuar dispozitat e mbishkrimeve dhe vulave që norma i parasheh ata të ndryshojnë brenda afatit gjashtë mujorë. “Formimi i organeve pa sjelljen e akteve nënligjore që parasheh ligji, nuk mund të kenë implemnetim me kapacitet të plotë. Në mars ligji bënë një vit nga dita e hyrjes në fuqi dhe deri atëherë institucionet që parasheh ligji duhet të jenë të konstituara. Ekzistojnë disa dileme se si do të zbatohet ligji në praktikë. Mendoj se do të haste jo vetëm në obstrukcione por edhe në arsye praktike gjatë implementimit, kjo është një sfidë për institucionet. Çdo akt gjyqësor i cili nuk i dërgohet palës edhe në gjuhën e tij apriori mund të rrëzohet në shkallën më të lartë gjyqësore për mos respektim të ligjin për përdorimin e gjuhëve”, deklaroi juristi Aliu.
Ndryshe, inspektorati për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve duhet të fillojë të funksionojë plotësisht më së voni një viti nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që sipas dinamikës së paraparë deri në muajin mars kur Ligji për përdorimin e gjuhëve mbush 1 vit nga miratimi, do të nis edhe funksionimi praktik i Inspektoratit. (koha.mk)