Shqipëria vitin e ardhshëm e rrit praninë e ushtarëve në Afganistan

Vitin e ardhshëm Shqipëria, do të rrisë me 60 për qind të trupave prezencën e saj në Afganistan. Rritja e numrit të efektivëve, mes të cilëve edhe një kontingjent i Forcave Speciale, u konfirmua gjatë vizitës 24 orëshe të ministres së Mbrojtjes së Shqipëprisë, Olta Xhaçka në Kabul, Afganistan.

Ministrja, siç transmeton ATSH, është pritur në një takim të veçantë nga Komandanti i Misionit të NATO-s Resolute Support, gjenerali John Nicholson. Ky i fundit ka vlerësuar kontributin e trupave shqiptare që prej vitit 2002 në Afganistan. Ministrja Xhaçka tha gjatë takimit se angazhimet në operacione ndër vite kanë sjellë më shumë përgjegjësi dhe detyrime.

“Vendimi për zgjerimin e trupave në Kabul dhe Herat është përgjigjja jonë në emër të partneritetit strategjik me SHBA, ashtu sikundër kemi mbështetur strategjinë e qeverisë amerikane në Azinë Juglindore”, tha Xhaçka. Gjatë orëve të qëndrimit në Kabul, Ministrja e Mbrojtjes është takuar me efektivët shqiptarë në komandën qendrore të NATO-s dhe në Aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai”, ku kryen misionin kontingjenti i 6-të.

“Ne të gjithë ju jemi mirënjohës për kontributin që jepni dhe përfaqësimin dinjitoz tuajin përkrah vendeve të tjera aleate të NATO-s. Në këtë prag festash të 105 – vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, është emocion i jashtëzakonshëm që jam këtu për t’ju përcjellë mbështetjen time dhe të qeverisë “Rama” për ju dhe familjet tuaja. Na keni zbardhur faqen dhe çdo ditë e më shumë ndjehemi krenarë për ju këtu në Afganistan sikundër për çdo efektiv të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Xhaçka gjatë ceremonisë festive me rastin e festave të nëntorit. Në një komunikim të drejtpërdrejtë nga Tirana, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se ndonëse nuk është bërë gjithçka që efektivët shqiptarë në misionet jashtë vendit meritojnë, vëmendja e Qeverisë për ta është maksimale.

Ministrja e Mbrojtjes u prit edhe nga përfaqësuesi më i lartë civil i NATO-s në Afganistan, ambasadori Cornelius Zimmermann dhe komandantët e HKIA (Hamid Karzai International Airport) dhe TAAC Capital (Train Advise Assist Command). Aktualisht, FARSH janë angazhuar me një personel prej 83 trupash në Afganistan, e konkretisht në Kabul, Herat apo Mazar e-Sharif.