Kësaj radhe vendosa të shkruaj për gjininë time. Duke marrë shkas dhe nga ngjarjet tragjike që rëndom ndodhin në vendin tonë, mendova që ka ardhur momenti që përveçse diçka të ndryshojë, të flasim pa doreza për rolin e vërtetë që femra ka në vendin tonë. Prej vitesh figura e femrës është shkelur, deformuar, tjetërsuar e injoruar. Rrjedha e historisë, e cila ka kaluar tranzicione, regjime e reforma të ndryshme politiko-sociale, duket se ka qenë një disfavor i madh përkundrejt femrës, e cila është detyruar të përballet me mbajtjen e fëmijëve, shtëpisë, asistencën nëpër luftra, punëve të blegtorisë e bujqësisë, dëshirën për arsimim e për pavarësi, që nga njëra anë u realizua me sukses, por cila është ana tjetër e medaljes, që fshihet nën rrogozin e “vendit që aspiron të hyjë në BE”?
E dini ju kur fillon të përulet figura hyjnore e femrës? Që në lindje. Kur lind një djalë, në familjet shqiptare shpërthente ahengu, madje në zona të ndryshme, dilnin të gjuanin me pushkë, të ekzaltuar që u shtua edhe një pasardhës; ndërsa me lindjen e një vajze, fytyra të zymta ecinin nëpër shtëpi, farë e fis, vinin e i gumëzhinin në vesh nënës së re lehone fjali të neveritshme ngushëlluese “Na vjen keq, ishalla me djalë herën tjetër…”. Nëna, e cila ndihej në faj, jetonte me brengën e kësaj lindjeje, që familja e burrit ia bënte më të rëndë çdo ditë e më shumë. Të lindësh djalë në Shqipëri është fat, sepse trashëgohet mbiemri e tradita dhe figura e fortë e stoike burrërore vlen një thesar, ndërsa lindja e vajzës kalon pa u vënë re, e pa shumë zhurmë, pasi vajza nuk konsiderohet një fëmijë i sapoardhur në jetë, por një hall më shumë. Unë që jam lindur e rritur në kryeqytet, doemos nuk jam përfshirë kurrë nga afshi i këtij mentaliteti, por ama jam shokuar kur akoma në mijëvjeçarin e ri, në zona të ndryshme, shumë gjëra janë akoma tabu.
Pra, ky është momenti kur figura e femrës dhe mashkullit diferencohet që në lindje, për t’u vendosur më pas në hije, pasi roli i femrës është menduar të jetë vetëm përkujdesja e mbarëvajtja e fëmijëve dhe shtëpisë. Por nëse ajo nuk do ta bëjë këtë? Po nëse ajo do të shkollohet, të punojë e të jetë e pavarur, dhe jo shtëpiake dhe shërbëtore e burrit dhe famijes së tij? Po nëse ajo do të divorcohet, pasi ka vuajtur e duruar për vite me radhë ankth, dhunë psikike e fizike, presion të çdo lloji, duhet ta vrasim? Po nësë ajo kërkon liri të jetë vetvetja, t’i dëgjohet fjala, të jetë pjesëmarrëse në vendimmarrje, të synojë karrierën apo pushtetin, do të thotë që është një femër e përdalë? Nësë ajo nuk dashuron më, do t’i japë fund një marrëdhënieje, duhet të ketë frikë reagimin e mashkullit?
Pra femra duhet të jetë gjithmonë në qendër të sulmeve. Nëse një mashkull tradhton, thonë : “S’ka gjë, mashkull është” ama nëse e bën një femër, ajo menjëherë ofendohet, sulmohet, degjenerohet dhe etiketohet si e ulët. Nëse një mashkull vendos të ndahet, thonë : “I shkreti, do e ketë patur një arsye” por kur femra kërkon ta bëjë këtë, menjëherë vendoset përpara një komisioni familjar e shoqëror që tentojnë t’ia mbushin mendjen që vendi i saj është pranë burrit. Por nuk ka rëndësi si është burri. Nëse ai është një njeri i dhunshëm, i alkoolizuar, i cili kur vjen në shtëpi, vë dorë mbi ty, nëse luan paratë e rrogës në lojëra fati, nëse të tradhton, nëse nuk përkushtohet ndaj teje apo fëmijëve, nëse të poshtëron apo injoron si femër, si nënë dhe të sheh si shërbëtore dhe mendimi yt nuk përfillet kurrë, ti duhet të jesh pranë burrit. Ama nëse tenton edhe të shkojë në mendje të ndryshosh jetën tënde, të marrësh fëmijët e të duash të jetosh e qetë dhe e lumtur, duhet të përballesh me 1001 pse-të e gjithë familjes, të cilët shpesh dhe të bëjnë presion për shkak të mentalitetit.
Ndërsa burri, ai i forti i familjes, ai që ka në dorë fatin e njerëzimit dhe jetën tënde, sigurisht, të jep një ultimatum dhe në rastet ekstreme të ndodhura pak kohë më parë, ky urdhër kthehet në tragjedi, dhe paradoksi më i madh është që ai nuk “gjykohet”, sepse AI e ka patur një arsye. Nuk është faji vetëm i atij. As i familjes ku rritet dhe edukohet, por është faji i të gjithëve ne, që kur shohim një mashkull në rrugë që godet një femër, mbyllim sytë e veshët, sepse “nuk është puna jonë”. Kemi faj, që kur ndodhin të tilla masakra me në qendër femrën, lexojmë gazetën dhe e hedhim tutje duke pritur lajmin e radhës, në vend që të ngrihemi në protesta, të lobojmë duke ngritur zërin kundra këtij mentaliteti vrasës e mosdënues. Jemi ne femrat, që në vend të mbrojmë njëra-tjetrën, e sulmojmë nga çdo anë. Jemi ne të parat, që kur shohim një femër të bukur, të aftë dhe me pushtet, e etiketojmë me lloj-lloj përemrash. Jemi ne që behemi xheloze për suksesin e tjetrës, dhe lufta brenda llojit po merr një hap galopant, ku në vend të ishte një luftë e përbashkët kundra këtyre fenomeneve vrastare, është kthyer në një etje për pushtet, para e territor. Prandaj femra është vetëm.
Është vetëm, në një luftë ku nuk ka fitues, pasi fituesi dihet para se të mbarojë lufta. Jam e indinjuar dhe e zhgënjyer, si qenie njerëzore në radhë të parë, e si femër, që jetoj në një vend ku i behet reklamë liberalizimieve, hyrjes në BE, modernizmit, dhe ne, të gjithë, si snobista, hiqemi sikur jetojmë në Amerikë, por thellë brenda nesh, kemi rrënjë barbare. Unë nuk dua të jetoj në një vend që të jep dorën, por të merr krahun, që të mbron ditën, e të vret natën, që të rrit me ëndrra e të vdes me mentalitet, që të jep të drejtë, por të dënon. Jetojmë me frikën se etja për liri do të na kthehet në tragjedi, që dëshira për pavarësi, dituri e pushtet, do na vrasë sapo kalojmë pragun e shtëpisë.
Vërtet feminizmi tek ne, përveçse nuk është kuptuar e aplikuar kurrë, ka mbetur utopi, sepse degët e mentalitetit maskilist nuk e kanë lënë të marrë frymë. Jemi ne, të gjithë, që pak nga pak, kemi vënë nga një gur në kalanë që meshkujt kanë ndërtuar rreth nesh. Jam e indinjuar, me këtë vend, ku politikat ndaj femrës funksionojnë vetëm në parim, sepse përpos rritjes së numrit të femrave nëpër institucione, politike e ekonomike, mentalitetin e vjetër akoma nuk e kemi çrrënjosur dot. Akoma femra vritet, kur kërkon më të mirën për veten, kur kërkon liri, pavarësi, ndryshim. Akoma femra duhet të vendosë me frikë për jetën e saj, sepse figura e mashkullit të fortë shqiptar është ikonë dhe monument në këtë vend. Forcën e mashkullit e keni keqkuptuar, të dashur meshkuj. Forca, ne radhë të parë, nuk matet me një femër, sepse roli juaj si meshkuj është të qëndroni përkrah kësaj qenieje të brishtë që ka nevojë për siguri, dashuri e përkushtim.
Ndërsa ju keni menduar që meqë Zoti ju lindi të fortë, potent e burra, të keni në dorë jetën e ne femrave dhe çfarëdo motivi të keni, t’ju japin gjithmonë të drejtë, me arsyen që jeni meshkuj?! Pra, ju duhet të na vrisni, sepse ne nuk kemi forcën tuaj fizike? Duhet të na poshtëroni, nënshtroni e nënvlerësoni, sepse ne duam të jemi të pavarura nga ju, apo thjesht duam të divorcohemi, sepse nuk ju duam më? Duhet të na fusni plumbin në ballë, sepse egoja juaj është më e fortë se arsyeja? Më vjen turp të jem femër në këtë vend, ku roli ynë jetësor e hyjnor që na është dhënë të shkelet dita-ditës dhe të degjenerohet vetëm për shkak të të qenët të brishta, por jo të paafta.
Nuk duhet të kthejmë më kokën nga ana tjetër kur shohim një femër që dhunohet, nuk duhet të mbyllim sytë kur dëgjojmë vrasje makabre, por duhet të hapim gojën fort, të ngremë zërin e të bashkohemi të gjithë nën një synim të vetëm: Dashurinë për këtë qenie aq hyjnore, aq të brishtë, e cila, për hir të dashurisë, fëmijëve, ka duruar dhunë, ankth, stres, presion për vite me radhë dhe kurrë nuk mori një falenderim, por e vetmja gjë që mori ishte një plumb në ballë. Slogani i famshëm, “Mos i vrisni vajzat” nuk duhet të mbetet vetëm një hashtag në instagram, por duhet të realizohet konkretisht, sepse kur vrisni vajzat, keni vrarë një nënë, një motër, një femër, një grua. Mos i vrisni ato që kërkojnë liri, por dënoni ata që marrin këto shpirtra të lirë, që u kushtëzuan të jetojnë një jetë që nuk deshën, e kur vendosën ta ndryshojnë, “I forti i familjes” i vrau ëndrrat. Mos rrisni meshkuj që nuk dinë të duan femrën, por rrisni burra, që i shtojnë mirësi mirësisë së saj. Mos vrisni vajzat, por edukoni djemtë!
Shpresoj që të mos jetë e largët dita kur gjithsecili të jetë i lirë të vendosë vetë për jetën e tij, pa dhunë, ankthe e presione mashkullore. Shpresoj të vijë ajo ditë, kur të thuash UNE JAM FEMËR DHE VENDOS VETË, ta themi pa frikë e me zemër të qetë. Deri atëhërë, mos mbyllni sytë! Femra është krijuar për t’u dashuruar nga mashkulli, jo për t’u dhunuar. Unë nuk e dua Shqipërinë që lind meshkujt e vret femrat…!
/AlbaÇobaj