Jo vetëm për faktin se aktualisht në universitetet evropiane, në kategorinë e studentëve të huaj, prijnë ata nga Shqipëria, por edhe për një kulturë arsimore të formuar me dekada, Shqipëria do të duhej, tash e në të ardhmen, të merret si model i nxitjes së cilësisë së arsimit dhe këmbimit të përvojave universitare
Nga Emin AZEMI
Në një raport të publikuar ditë më parë, rezulton që Gjermania është një prej vendeve më të preferuar për studentët nga Shqipëria e Kosova. Sipas këtij raporti, në vitin akademik 2017-2018 nga Shqipëria janë afër 2000 studentë, kurse nga Kosova 2313 studentë, që studiojnë në universitetet e ndryshme gjermane.
Nga statistikat që ndjekin ecurinë e regjistrimit të studentëve të huaj, vërehet se studentët kosovarë në universitetet gjermane vijnë me shumicë nga Gjermania, pra mbi 80% e tyre kanë jetuar në Gjermani para studimeve. Vetëm rreth 20% e tyre kanë ardhur drejt nga Kosova. Kurse tek studentët nga Shqipëria është e kundërta. Shumica e studentëve shqiptarë në universitetet gjermane kanë ardhur drejt nga Shqipëria, afër 90%. Kjo, sipas DW, do të thotë, se biografia e tyre arsimore është formësuar në Shqipëri, ata janë rritur në Shqipëri, kanë ndjekur shkollën në Tiranë, Shkodër apo Elbasan dhe e kanë marrë që aty të drejtën e studimit në universitetin gjerman.
Sa i përket preferencave për të studiuar në universitet gjermane, statistikat thonë se studentët nga Shqipëria dhe Kosova parapëlqejnë shkencat inxhinierike (rreth dy të tretat e tyre) dhe pjesa tjetër shkencat juridike, ekonomike dhe sociale.
Në këto statistika, sikundër mund të shihet, mungojnë të dhënat për studentët nga Maqedonia që studiojnë në universitet gjermane. Por, kjo nuk mund të merret si ngushëllim, sepse sipas të gjithë treguesve, edhe pse mungojnë të dhëna konkrete, megjithatë shifrat e studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, nuk janë gjithaq inkurajuese, madje jo në ato nivele sa për të qenë objekt hulumtimesh statistikore.
Viteve të fundit janë bërë disa përpjekje që universitetet nga Maqedonia të thellojnë bashkëpunimin me universitetet e huaja në kuadër të programeve të ndryshme për këmbime, ku në të shumtën e rasteve studentët janë ata përfitojnë gjatë qëndrimit në qendra të ndryshme universitare.
Nëse i referohemi të dhënave të mësipërme, i bie që studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut ende janë larg mundësive për të qenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Po t’i referohemi situatës në të cilën gjendet sistemi arsimor në shtetet e rajonit, dhe nëse bëjmë një krahasim të cilësisë së studimeve në çdo shtet veç e veç, atëherë i bie që Shqipëria është shumë larg. Jo vetëm për faktin se aktualisht në universitetet evropiane, në kategorinë e studentëve të huaj, prijnë ata nga Shqipëria, por edhe për një kulturë arsimore të formuar me dekada, Shqipëria do të duhej tash e në të ardhmen të merret si model i nxitjes së cilësisë së arsimit dhe këmbimit të përvojave universitare.
Të gjithë ata që kanë patur rastin të takohen rastësisht dhe të bisedojnë me inxhinierë, ekonomistë, agronomë të moshuar në Shqipëri, në fund janë nda me një përshtypje të vetme: edhe pse shtet diktatorial, Shqipëria arriti të kultivojë ndjenjën e arsimdashjes nga brezi në brez.
Ndërkaq, e kaluara politike e shqiptarëve në ish Jugosllavi kaloi nëpër një epokë pak më liberale të socializmit dhe falë këtij liberalizmi, ndodhi edhe shkollimi i disa kuadrove shqiptare në universitetet e Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, Lubjanës e gjetiu. Hapja e mëvonshme e universitetit në Prishtinë, por krejt në fund edhe në Tetovë, është derivat i këtij shkollimi paraprak në qendrat e ndryshme ish-jugosllave.
Aktualisht, rrethanat politike për të studiuar në gjuhën shqipe në Maqedoni janë në nivel shumë të kënaqshëm, por në anën tjetër entuziazmi për të shtuar cilësinë e studimeve dhe tendenca për të vazhduar jashtë, nuk e shpreh as për së afërmi logjikën e ecurisë së gjërave në drejtim progresiv. Se pse është kështu, kjo i mbetet për t’u analizuar nga ata që merren me politikat dhe strategjitë arsimore. Të presim deri sa t’i shohim këto analiza. (koha.mk)