Duke marrë parasysh statusin ndërkombëtar të Kosovës, momentin delikat në të cilin gjendet i gjithë rajoni, por edhe fërkimet politike mes tij dhe Edi Ramës, kryeministri Kurti në vend që të fokusohet në interesat e të dyja shteteve për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, koordinim në politikën e jashtme dhe thellim të bashkëpunimit të përgjithshëm zgjodhi të ushqej egon e tij personale dhe varësinë për protagonizëm në skenën politike
Nga Sefer SELIMI Jr.
Qytetarët e Shqipërisë të Dielën e 25 Prillit derdhën në kutitë e votimit vullnetin për qeverisjen e ardhshme të vendit. Një fushatë zgjedhore e tensionuar, e shoqëruar me shumë probleme që përfundoi me aktin e kobshëm të vrasjes në Elbasan. Edhe një herë, 30 vite pas rënies së komunizmit, demokracia shqiptare nuk tejkaloi veten për të zhvilluar një proces elektoral siç do të kishim dashur të gjithë ta shohim, brenda formulës së zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.
Akuzat e ndërsjella, denoncimet në media nga aktorët e ndryshëm shoqëror e diplomatik raportuan për fenomene të theksuara të klientelizmit politik, shit-blerjes së votës, shantazhit dhe parregullsi të tjera të cilat janë tipike për shtetet e Ballkanit dhe demokracitë e tyre të brishta. Kjo paralojë e egër në fushatë zgjedhore fatmirësisht nuk u reflektua në ditën e votimit, e cila jashtë pritshmërisë kaloi e qetë dhe pa probleme të theksuara. Kodi elektoral i Shqipërisë, këtë vit pati ndryshime të cilat u mundësuan qytetarëve që përveç partive të mund të votojnë edhe për kandidatë brenda listave, efektet e së cilës do të shihen në ditët në vazhdim. Numërimi i votave është sfidë tjetër që e përcjell procesin e zgjedhjeve. Për sa kohë për shembull në Maqedoninë e Veriut çështja e rezultateve preliminare mbyllet brenda 3 orëve të para pas mbylljes së kutive të votimit, në Shqipëri kjo kthehet në një sagë që di të zgjas me javë, e ndoshta me muaj, shto këtu edhe numërimin e votave për kandidatët në listë kësaj radhe. Afati për përmbylljen e plotë të numrit të votave prej 48 orësh i vendosur nga Komisioni Qendror Zgjedhorë është i paarritshëm.
Megjithatë me votat e numëruara trendi dhe projeksionet duken të sigurta. Partia Socialiste e Edi Ramës po thyen për herë të parë rregullin e pashkruar të qeverisjes në Shqipëri. Ai e ka siguruar shumicën parlamentare që do të t’i sjellë partisë së tij për herë të parë në historinë postkomuniste mandatin e tretë konsekutiv. Ç’do të sjellë kjo fitore për qytetarët e Shqipërisë? Është një shans që vjen me rreziqe dhe mundësi. Rreziku permanent ngelet tek kapacitetet demokratike të partive ballkanike që gjatë qëndrimit të gjatë në qeveri kthehen në parti autokrate, tendenca të cilat janë dukshëm të theksuara në mandatin e dytë qeverisës të Edi Ramës. Nëse kjo prirje do të vazhdoj të thellohet, Shqipëria do të ngjasoj me Serbinë e Turqinë, të cilat kanë rrëshqitur dhe de fakto janë diktatura demokratike. Por ekzistojnë edhe mundësi reale që Shqipëria të futet drejt një epoke të stabilitetit politik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Përmbyllja e plotë e reformës në drejtësinë bashkëpunim të ngushtë me opozitën dhe partnerët ndërkombëtar mund të çliroj një potencial politik e ekonomik që do të shtyjë tutje transformimin e shoqëror të Shqipërisë.
Partia Demokratike u tregua naive duke u mbështetur vetëm në idenë se pas 8 vitesh qeverisje, shqiptarët ishin ngopur me Edi Ramën. Kjo prodhoi një rritje të natyrshme por të pamjaftueshme për të sjellë ndryshimin. E gjithë fushata e tyre u dominua nga demonizimi, akuzat dhe kampanja e zezë ndaj kryeministrit dhe Partisë Socialiste, ndërkaq mungoi vizioni dhe programi për qeverisje që do të prodhonte rezultate më të mira se kjo aktuale. Partia Demokratike ka nevojë për një reformë të vërtetë brenda vetes, duke u çliruar përfundimisht nga hija e rëndë e Sali Berishës dhe kjo duhet të fillojë me dorëheqjen e këtij të fundit nga të gjitha funksionet politike dhe partiake.
Shfaqet më të këqija të kësaj kampanje zgjedhore ishin dy partitë tjera që do jenë të përfaqësuara në përbërjen e re parlamentare, Lëvizja Socialiste për Integrim e Monika Kryemadhit si përfaqësuese e përkohshme në mungesë të Ilir Metës që ushtron rolin e Presidentit të shtetit dhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit, një nga politikanët që është akuzuar drejtpërdrejtë nga Departamenti i Shtetit Amerikan si person i lidhur ngushtë me krimin dhe që ka afera të vërtetueshme të korrupsionit. LSI këto zgjedhje u tkurr gati 4 herë në raport me zgjedhjet e kaluara dhe nga 19 deputet që pati, tani do të përfaqësohet me 5 ose 6 deputet. Roli destruktiv i Ilir Metës, në kundërshtim të plotë me postin të cilin e ushtron duke u bërë palë në procesin zgjedhor, duke nxitur dhunë e diskurs të ashpër publik e vuri atë në përplasje të drejtpërdrejtë me korin diplomatik. Rezultati që mori LSI-ja e ka shtyrë partinë në buzë të greminës politike, dhe me shumë gjasë ky do të jetë defaktorizimi i plotë i saj dhe pensionimi politik i çiftit presidencial. Nga ana tjetër, fatmirësisht për qytetarët shqiptarë, Tom Doshi nuk ka potencë të diktoj shumicën e re parlamentare dhe kështu roli i tij ngelen margjinal, duke i hapur rrugë të plotë drejtësisë shqiptare për t’i qartësuar akuzat ndaj tij.
Në fund, ngelet për t’u vlerësuar edhe roli, apo tentativa për faktorizim dhe ndërhyrje në procesin e zgjedhor nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ndryshe nga më parë nuk përfaqëson vetëm Lëvizjen Vetëvendosje por edhe institucionet shtetërore të Kosovës. Vrapi i tij për t’u bërë palë e protagonist përfundoi me një rezultat turpërues. Duke marrë parasysh statusin ndërkombëtar të Kosovës, momentin delikat në të cilin gjendet i gjithë rajoni, por edhe fërkimet politike mes tij dhe Edi Ramës, kryeministri Kurti në vend që të fokusohet në interesat e të dyja shteteve për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, koordinim në politikën e jashtme dhe thellim të bashkëpunimit të përgjithshëm zgjodhi të ushqej egon e tij personale dhe varësinë për protagonizëm në skenën politike. Uroj që kjo ngutje fëmijërore politike mos të kthehet në pengesë dhe luftë egosh mes dy kryeministrave shqiptar, por të gjejnë forcën e bashkëpunimit të udhëhequr nga interesat e dy vendeve që përfaqësojnë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)