Tiranë, 11 mars – Dallimi midis natalitetit dhe mortalitetit, që e përcakton rritjen natyrale të popullsisë, prej vitit në vit po zvogëlohet në Shqipëri, gjë që çon drejt konstatimit se numri i rasteve të vdekjes shumë shpejtë do të jetë më i madh se numri i të sapolindurve.
“Gjatë vitit 2018 janë lindur 28.934 foshnja, që paraqet rënie prej 6,3 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Për herë të parë numri i të sapolindurve është nën 30.000. Numri i rasteve të vdekjes në vitin 2018 është 21.804, me rënie prej 1,9 për qind në lidhje me vitin paraprak. Rritja natyrale është përkeqësuar për shkak se rënia e shkallës së natalitetit është me e lartë nga rënia e shkallës së rasteve të vdekjes”, njoftoi Instituti për Statistikë i Shqipërisë.
Sipas Institutit, gjatë vitit 2018 rritja natyrale ka qenë 7.130 persona, që është në nivel më të ulët nga viti 1948.
Në vitin 1990, viti i parë nga tranzicioni, janë lindur rreth 64.000 foshnja ose mesatarisht në muaj rreth 5.300. Mirëpo, 28 vjet më vonë, ky tregues është më i ulët për nëntë herë, respektivisht në mesatare lindin vetëm 594 foshnja në muaj.
Në Shqipëri zvogëlohet edhe numri i martesave dhe ai në vitin 2017 ka qenë më i vogël për 11 për qind në krahasim me vitin 2010. Mirëpo, shumë prej martesave janë mes personave, të cilët pas kurorëzimit në Shqipëri e braktisin vendin.
Nga ana tjetër, fertiliteti, i cili në vitin 1960 ishte 6,8 lindje për grua ka rënë në 1,48 lindje për grua në vitin 2017, që është nivel më i ulët nga mesatarja e fertilitetit në BE për vitin 2016, që ka qenë 1,6.
Demografët vlerësojnë se zvogëlimi i numrit të lindjeve është element i rrezikshëm për rënien e numrit të popullsisë, i cili edhe më tutje do të zvogëlohet për shkak të emigrimit të të rinjve. (koha.mk)