Trajneri i Kombëtares se Italisë, Giampiero Ventura paraditen e të mërkurës ka vizituar stadiumin e Palermos, aty ku do të zhvillohet ndeshja e 24 marsit Italia-Shqipëri. Ventura e ka cilësuar sfidën me kuqezinjtë si tepër të rëndësishme për ecurinë e “axurve” në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. “Ndeshja kundër Shqipërisë është më e vështira e të gjithë grupit. Nëse nuk i mundim, atëherë bëhet e vështirë të shpresojmë të kalojmë grupin në vendin e parë. Në këtë pikë, një fitore në Spanjë nuk do të na shërbente më. Itali-Shqipëri është ndeshja më e rëndësishme e këtyre dy viteve”. Ventura zbulon se arsyeja përse ky takim u vendos të luhej në Palermo, ishte mbështetja e pakushtëzuar që ky qytet ka treguar gjithmonë ndaj kombëtares. “Uroj që faktori fushë të ndjehet në këtë stadium. Sa herë që kam luajtur në Palermo si kundërshtar më ka bërë gjithmonë përshtypje ngrohtësia e publikut në stadium. Do të ishte shumë bukur nëse Palermo do na jepte një dorë në këtë drejtim. E zhvillojmë në Palermo sepse ky qytet ka treguar gjithmonë dashuri të madhë ndaj kombëtares. Shpresoj që kjo ndeshje të jetë një ogur i mirë edhe për klubin që nuk po kalon një periudhë edhe aq të lehtë dhe po ndjek mbijetesën”, tha Ventura. Pas katër ndeshjeve të para Spanja dhe Italia kryesojnë Grupin I me 10 pikë, ndjek Izraeli me 9 dhe Shqipëria 6, ndërsa Maqedonia dhe Lihtenshtejni kanë 0 pikë.