Tiranë, 18 dhjetor – Ekonomia e Shqipërisë në periudhën janar – shtator këtë vit nga turizmi ka realizuar bruto të ardhura prej 1,5 miliardë eurosh.
Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Shqipërisë tregojnë se bilanci i pagesave për periudhën janar shtator të këtij viti, të ardhurat nga turizmi u rritën me 12 për qind duke arritur saktësisht 1 miliardë e 470 milionë euro nga 1 miliardë e 300 milionë euro që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Bankës, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe sezonin turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16 për qind më shumë se një vit më parë.
Për nëntë muajt e parë të vitit, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë arritën në 1.1 miliardë euro.
Kjo bën që kontributi neto i sektorit të turizmit për ekonominë, pra diferenca mes të ardhurave nga turistët e huaj dhe shpenzimeve që shqiptarët bënë në vendet e tjera, të rezultojë rreth 370 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.
Instituti për Statistikë i Shqipërisë – INSTAT kumtoi se gjatë këtij vitit në Shqipëri kanë hyrë 5,4 milionë turistë të huaj, që është për 17,3 për qind më shumë se vitin e kaluar.