Shqipëria ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave nën 20 vjeç

Ndonëse të bëhesh prind është përgjegjësi, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente. Të dhënat nga Instat tregojnë se për vitin 2018, rreth 5.21% e lindjeve u kryen nga nëna më të vogla se 20 vjeç. Edhe pse, në krahasim me një vit më parë, kjo përqindje shënoi ulje nga 5.6% në 5.2%, mbetet një nga më të lartat në Bashkimin Europian.

Në Bashkimin Europian, pjesa më e madhe e lindjeve (92%), ishin nga gra të moshës 20-39 vjeç. Rreth 4% e lindjeve u kryen nga vajzat në moshë adoleshencë dhe po aq nga gratë mbi moshën 40 vjeç.

Pjesa më e madhe e lindjeve nga nënat në moshë të re (nën 20 vjeç) u kryen në Bullgari dhe në Rumani. Përqindja më e lartë u regjistrua në Bullgari, ku 12.5% e lindjeve në total u kryen nga adoleshentet dhe në Rumani me 12.1%. Më pas ato u ndoqën nga Hungaria me 8.5% dhe Sllovakia me 8.1%.