Shkup, 10 nëntor – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot u takua me Gramoz Ruçin, kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Ruçi theksoi se ndjehet i impresionuar me politikën stabile që ka krijuar Maqedonia në integrimin drejt NATO-s dhe BE-së, shkruan gazeta KOHA. Ai faliminderoi Zaevun, i cili siç tha Ruçi, “me mençurinë dhe qetësinë e tij ndaloi destabilizimin e vendit pas ngjarjes së 27 prillit vitin e kaluar”.
Më tej, kryeparlamentari shqiptar vlerësoi miqësinë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dhe marrëveshjet të cilat i arriti me Bullgarinë dhe Greqinë, ndërsa tha se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para e cila do të nënshkruaj Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Zaevi faleminderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë për bashkëpunim më të madh në aspektin ekonomik.
“Falënderoj shtetin e Shqipërisë për mbështetjen në integrimin e Maqedonisë në NATO. Besoj se nga mesi i muajit janar do të ratifikohet Marrëveshja e Prespës në Parlamentin e Maqedonisë, më pas vijon ratifikimi i Marrëveshjes nga Greqia dhe i Protokollit të NATO-s. Qeveria e Maqedonisë dhe e Shqipërisë kanë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe miqësi të mirë ndërmjet vete. I bëj thirrje të dyja vendeve për bashkëpunim të mëtutjeshëm, sidomos në sferën e ekonomisë që ti mundësojmë qytetarëve të dy shteteve jetë më të mirë”, tha Zaevi. (koha.mk)