Zejnulla VESELI
Shkup, 28 shkurt – Eksporti nga Shqipëria vazhdon të bie, ndërsa importi i mallrave nga Maqedonia drejt tregut shqiptar është në rritje, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë, këmbimi tregtar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për vitin 2016 ka arritur shifrën prej 94.258.937 euro, duke krijuar kështu Maqedonia një suficit tregtar prej 19 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave, eksporti i mallrave të Maqedonisë në tregun e Shqipërisë në vitin 2016 kishte vlerën prej 56.712.766 euro, ndërsa mallra shqiptare në tregun e Maqedonisë për vitin e kaluar janë importuar 37.546.161 euro, apo 19 milionë euro Shqipëria më shumë ka blerë mallra nga Maqedonia se sa ka shitur këtu. Krahasuar me vitin 2015, këmbimi tregtar është zvogëluar për rreth 6 milionë euro, pasi në këtë vit nga Maqedonia në tregun e Shqipërisë ishin eksportuar mallra në vlerën prej 59.576.033 eurove, ndërsa Shqipëria nga Maqedonia ka importuar mallra në vlerë prej 40.496. 676 euro, që paraqet ulje prej 7 për qind brenda një viti. Edhe pse Shqipëria nuk radhitet në top 10-shin sipas shkëmbimit tregtar, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë (DHTIT), shprehen se për mallrat e Shqipërisë tregu i Maqedonisë është i rëndësisë së veçantë. Mirëpo, sipas raportit të fundit për shkëmbimin tregtar Shqipëri-Maqedoni, i bie që shqiptarët e Shqipërisë kanë blerë më shumë prodhime të huaja, sidomos nga Maqedonia, në vlerë prej mbi 56 milionë euro, ndërsa kanë shitur vetëm 37 milionë euro. “Kjo i bie se qytetarët e Shqipërisë kanë blerë më shume produkte maqedonase se sa vendore, duke filluar që nga pemët, perimet, mallrat e konservuara e deri tek pajisjet elektrike e gjëra të tjera”, thonë nga DHTIT. Sipas DHTIT-së, Shqipëria mbetet vendi që më së paku në Ballkanin Perëndimor ka eksportuar mallra në vendet e rajonit, sidomos në vendet fqinje. Ndërkaq, sa i përket faktit se Maqedonia vazhdimisht shënon suficit me Shqipërinë, sipas DHTIT-së, fajtorë për këtë është Qeveria e cila nuk ka hartuar politika të favorshme për bizneset shqiptare dhe se politizimi i tyre ka ndikuar shumë negativisht tek të bërit biznes në Shqipëri. “Qeveria e vendit nuk ka hartuar politika të favorshme për biznese vendase. Zgjidhja e vetme do të ishte bashkimi ekonomik i shqiptarëve, i cili do të mund të kontribuon në nxitjen e prodhimit vendor, të stimulon kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime, të inkurajon dhe të ndikon në rritjen e eksporteve të cilat janë në nivel shumë të ulët. Bashkimi ekonomik i shqiptarëve është obligim për politikbërsit e të gjitha trojeve ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. Bashkimi ekonomik do të thotë ndikimi i të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësim të situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova dhe Shqipëria duhet urgjentisht të fillojnë t’i bashkojnë odat ekonomike dhe të kenë një strategji të përbashkët të zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, thonë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, duke shtuar se vëllimi galopant i importit po ndikon negativisht në prodhimin e brendshëm bruto, sepse paraja e gatshme nëpërmes importit po ikë jashtë vendit. Ndryshe, Maqedonia në Shqipëri eksporton prodhime ushqimore(konservuese) dhe metalike, kurse nga atje importojmë kryesisht pemë dhe perime të hershme, çimento dhe disa produkte të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drtat janë të rezervuara.