Tiranë, 8 shkurt – Kryetari i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, të premten ka pritur në takim të ngarkuarin me Punë të Maqedonisë në Tiranë, Danço Markovski. Në fokus të bisedës ishin zhvillimet më të fundit në Maqedoni, nënshkrimi nga vendet anëtare të NATO-s të protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake të globit, raporton gazeta KOHA.
Kryeparlamentari Ruçi e ka përgëzuar Markovskin për arritjen historike e të shumëpritur, e cila është përshëndetur nga të gjitha institucionet shqiptare dhe që është një lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin.
“Maqedonia në NATO është mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare, si suksesi i një vendi fqinj, me të cilin gjendemi gjeografikisht në të njëjtin rajon, por me të cilin ndajmë vizionet e së ardhmes së përbashkët euro-atlantike”, u shpreh Ruçi, transmeton KOHA.
Nga ana tjetër, Markovski i shprehu faleminderimet dhe mirënjohjen Kryetarit të Parlamentit për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit të Shqipërisë dhe Republikës së Shqipërisë ndaj Maqedonisë. Duke e cilësuar së këto zhvillime i dhanë fund një periudhe pritjeje prej 20 vitesh, përcolli synimin e autoriteteve maqedonase që të arrijnë ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO brenda një periudhe prej 12-mujore.
Ndërkohë Ruçi, u shpreh se gjatë vizitës së tij në Shkup në dhjetor 2018, në takimet me autoritetet më të larta, kishte marrë angazhimin që Shqipëria do të ishte ndër vendet e para që do ratifikonte këtë Protokoll dhe se tashmë qeveria shqiptare e kishte miratuar vendimin, i cili ka arritur në Parlament dhe do të ratifikohet me procedurë të përshpejtuar.
“Data e parë e mundshme për këtë ratifikim është seanca e javës së ardhshme, 14 shkurt 2019”, u shpreh Ruçi në takim. (koha.mk)