Rritja e numrit të infektimeve po e çon Shqipërinë drejt një mbylljeje të dytë. Kufizimet janë ashpërsuar me mbylljen e universiteteve, të cilat do ta zhvillojnë mësimin online për të paktën 1 muaj.
Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli tha se të mbyllura brenda muajit nëntor do të qëndrojnë edhe konviktet.
Rakacolli u shpreh se po shihet edhe mundësia e mbylljes së bareve dhe restoranteve në ish-Bllok, pas orës 22.00.
Ndërkohë, kurba e të infektuarve ka pësuar një ulje të lehtë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa numri i viktimave për të tretën ditë radhazi vijon të mbetet i lartë.
Gjatë 24 orëve të fundit, kanë rezultuar 275 të infektuar ndërsa 6 pacientë kanë humbur jetën. Shqetësuese paraqitet situata edhe në spitalet Covid ku kapacitetet po ezaurohen, ndërkohë që po marrin trajtim mjekësor në spital 291 qytetarë.