Shkup, 17 shtator – Fitorja ndaj Bjellorusisë dhe humbja në shtëpi me Lituaninë në dy ndeshjet e para të Nations League ka lënë në vendnumëro Kombëtaren e Shqipërisë në renditjen e re të FIFA-s të publikuar paraditen e sotme për muajin shtator. Shqipëria vazhdon të jetë në vendin e 66-të me 1351 pikë, 5 më pak se 1 muaj më parë.
Përpara kuqezinjve qëndron Maqedonia e Veriut që ka fituar dy pozicione falë paraqitjeve që ka bërë së fundmi por ka të njëjtën kuotë pikësh me Shqipërinë ashtu si edhe Arabia Saudite ndërsa pas kuqezinjve janë El Salvadori, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ka humbur një pozicion edhe Kosova që ka zbritur në vendin e 116-të pas dy rezultateve jo shumë pozitive ndaj Moldavisë dhe Greqisë.
Ndërkohë kreun në renditjen e FIFA-s vazhdon ta mbajë Belgjika e ndjekur nga Franca, Brazili, Anglia dhe Portugalia. Vendi i 7-të për Spanjën që ka fituar një pozicion, të njëjtën gjë ka bërë edhe Italia që është ngjitur e 12-ta ndërkohë që Gjermania është ngjitur në vendin e 14-të.